Me mijëra rumunë po marrin pjesë në protestën antiqeveritare në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht. Rreth 40 mijë pjesëmarrës në demonstratë kërkonin dorëheqjen e qeverisë, për shkak se mendojnë se ajo është e korruptuar.

Në harkun kohor të një viti, në Rumani janë zhvilluar protesta dhe demonstrata të ndryshme, të cilat janë shtrirë në disa prej qyteteve të shtetit anëtar të Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja në protesta është një ndër të drejtat e qytetarëve në shtetet demokratike.

Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës, të kryer nga Komisioni Evropian, Shqipëria ka përqindjen më të ulët të anketuarve, vetëm 2% e të cilëve kanë deklaruar se kanë marrë pjesë në një protestë apo demonstratë në 12 muajt e fundit, ndër më të ulëtat në Evropë, së bashku me Bullgarinë, Estoninë, Hungarinë, Luksemburgun, Letoninë, Portugalinë, Slloveninë, Sllovakinë, shkruan ‘monitor’. Krahasuar me vendet e tjera kandidate për t’u bërë pjesë e anëtarëve, Turqia ka përqindjen më të lartë të të anketuarve që janë përgjigjur se kanë marrë pjesë në protesta dhe në demonstrata në 12 muaj e fundit. Prej të anketuarve 12% janë shprehur se kanë marrë pjesë në protesta, përcjell albinfo.ch.

Në vend të dytë për sa i përket pjesëmarrjes në protesta ndër vendet kandidate për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian është Maqedonia, ku 10 % e të anketuarve janë përgjigjur se kanë marrë pjesë në protesta në 12 muajt e fundit. Më pas renditet Mali i Zi me 7% të të pyeturve dhe Serbia me 5%.

Ndër vendet anëtare të Bashkimit Evropian, pjesëmarrjen më të lartë në protesta dhe demonstrata e kanë Franca, Suedia dhe Irlanda, ku përkatësisht 10% e të anketuarve janë përgjigjur se kanë marrë pjesë në protesta dhe demonstrata. Edhe Greqia ka një përqindje të lartë të anketuarve që kanë marrë pjesë në protesta, me 8%. Në Greqi gjithashtu janë zhvilluar protesta të herë pas hershme, ku njerëzit janë ngritur kundër reformave që kanë ndërmarrë qeveritë për të dalë nga kriza që goditi vendin.

Rekordin për përqindjen më të ulët në protesta e mban shteti ishullor i Maltës. Vetëm 1% e të anketuarve në Maltë u përgjigjën se kanë marrë pjesë në një protestë apo demonstratë në 12 muajt e fundit të vitit.

Loading...