Shqiptarët treguan se me BDI-në nuk duan të shkojnë as në “xhenet”, e jo më në NATO e BE

Enver Spahiu

Rezultatet e referendumit të 30 shtatorit po analizohen nga këndvështrime të ndryshme. Ishte ky një moment i rëndësishëm historik për Maqedoninë, prandaj edhe vlen të analizohet dhe të shqyrtohet në detaje.
Në këtë tekst do të mundohem të paraqes këndvështrimin dhe përshtypjet e mia nga rezultatet përfundimtare, respektivisht jehonën e ulët te votuesit shqiptar. Pritjet e mia ishin se shqiptarët do të dalin mesatarisht 65 për qind në votime. Shqiptarët e Maqedonisë tani një kohë të gjatë dalin në votime në përqindje më të ulët se maqedonasit, por kjo është për shkak se janë dëshpëruar nga procesi politik dhe nga premtimet e rrejshme që janë stërpërsëritur.
Mirëpo për shkak se referendumi kishte rëndësi për anëtarësimin e vendit në NATO e BE, prisja që në votime të dalin mbi 60 për qind të votuesve shqiptarë.

Mirëpo çka ndodhi?
Sipas mendimit tim, shqiptarët treguan se sikurse të dalë një politikan ose subjekt politik i cili bashkë me BDI-në do të ju premtojë se do të shkojnë në Xhenet, ata nuk do të pranojnë. Rezultatet tregojnë se shqiptarëve nuk u mjafton vetëm gjykimi dhe dënimi i ish udhëheqësve të VMRO-DPMNE-së. Ata dëshirojnë që bashkë me ish udhëheqësinë e VMRO-DPMNE-së të gjykohen dhe dënohen edhe shërbëtorët e tyre shqiptarë.
Shqiptarët dhanë kontribut kyç që skena politike në spektrin maqedonas të pastrohet nga krimi dhe korrupsioni. Mirëpo ata dëshirojnë që e njëjta gjë të ndodhë edhe te spektri politik shqiptar. Zaten, cila do të ishte logjika e pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhje, nëse ata me votën e tyre nuk mund ta ndëshkojnë të keqen në oborrin e tyre.

Maqedonasit u kanë borxh shqiptarëve. Nëse ne u ndihmuam atyre të çlirohen nga kthetrat e Gruevskit e Mijallkovit, tani kur qeveria nuk varet nga 10 deputetët e BDI-së, duhej që maqedonasit (LSDM) tu ndihmojë shqiptarëve të shpëtojnë nga kthetrat e Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit.
Mendoj se këtu e bëri gabimin kyç kryeministri Zoran Zaev. Bile mund të thuhet gabim të dyfishtë. Në njërën anë bashkëpunoi me një subjekt politik që të dielën sabotoi referendumin, e në anën tjetër dërgoi mesazh të gabuar votuesve shqiptarë, me paraqitjen e sforcuar në shoqëri të Bujar Osmanit, Ejup Halimit e Teuta Arifit. Kjo nuk duhet të habisë askë. Ashtu sikur votuesit e LSDM-së që nuk do të merrnin pjesë në një proces që do të udhëhiqej nga Gruevski e Mijallkovi, ashtu edhe (165 mijë) votuesit shqiptarë nuk mund të votojnë një proces që udhëhiqet nga BDI-ja. Madje një pjesë e shqiptarëve që kanë votuar kundër BDI-së bënë kompromis dhe dolën në votime, duke pasur parasysh peshën e madhe historike të referendumit, mirëpo numri nuk ishte i mjaftueshëm.
Vota e shqiptarëve për LSDM-në ishte me shpresë se Zaev do t’a dërgojë në bërllogun e historisë gjithë regjimin e kaluar bashkë, e jo vetëm një pjesë të tij. Prandaj edhe shoqërimi i tepruar i Zaevit dhe figurave tjera të LSDM-së me shërbëtorët e deridjeshëm të VMRO-DPMNE-së, nga shqiptarët u përjetua si thikë pas shpine. Këtë dëshpërim shqiptarët e reflektuan duke mos dalë në numër të mjaftueshëm në referendum. Unë kam besim te Zaevi dhe shpresoj se do të marrë mësim nga ky mesazh i shqiptarëve dhe sa më shpejt të distancohet nga mbeturinat e VMRO-DPMNE-së në skenën politike shqiptare.

Loading...