Ejup Berisha
Bijtë e këqij dinë ti bëjnë përherë dëm mëmëdheut, më të këqijtë ata të pamëshirshmit bile edhe mund t’ia vënë flakën vendit që me shumë vështirësi mundime dhe sakrifica i lindi, i rriti dhe i bëri njerëz. Kjo nuk është aspak e befasishme dhe e çuditshme ne jemi dëshmitar të këtij fenomeni që po ndodh kohëve të fundit te ne . Kush janë këta që i bëjnë dëme të konsiderueshme mëmëdheut dhe viseve të tjera të copëtuara e të shkapërderdhura shqiptare. Këta pra janë disa politikanë shqiptar të cilët këtë profesion e kanë përdhosur dhe e kanë kombinuar me aktivitetin më të vjetër njerëzor atë të hajnisë. Të njëjtët jo vetëm që po e vjedhin mëmëdheun por edhe po u bëjnë edhe shumë të këqija të tjera tokave shqiptare. Sot pjesët e mëmëdheut shqiptar nga veprimet e politikanëve janë bërë territore të djegura e të bëra shkrumb dhe hi, këto pra po i ngjajnë Hiroshimës dhe Nagasakit të vitit 1945 qytete këto në Japoni që u sulmuan me bomba atomike nga fundi i luftës së dytë botërore. Në këto kohëra këtu në viset shqiptare nuk ka më aspak jetë për njerëz normal. Sot po nuk qe hajn nuk mund të jetosh dinjitetshëm si njeri psh në Preshevë, Kumanovë, në Shkup, Tetovë, Gostivar, në Kërçovë, Strugë, në Kaçanik, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Prishtinë, Tiranë, Lushnjë, në Vlorë, Sarandë, Berat, Tepelenë si dhe në Gjirokastër. Në këto kohë të vështira o duhesh të jesh vetë hajn o je i obliguar të jesh i lidhur me klane kriminale të kontrolluara e të menaxhuara nga disa politikanë kriminel dhe hajna. Pra në trojet shqiptare nuk ka më vend për njerëz të ndershëm sepse këta ose duhet të shpërngulen ose duhet të bëjnë vetëvrasje. Politikanët patriot në thonjëza dhe në të njëjtën kohë edhe kriminel e hajna ua mundësuan këto privilegje të përmendura më lartë shpërnguljen ose përfundimin e parakohshëm të jetës qindra-mijëra njerëzve, sepse duke vjedhur 24 orë në ditë këta nuk lanë më resurse e as pasuri për njerëz të tjerë sepse të gjitha i vodhën dhe i përvetësuan për vete. Edhe politikan edhe hajn apo edhe patriot edhe tradhtar në shtete normale nuk shkojnë po te ne po funksionojnë tip-top si orë Zvicre këto kombinime aktivitetesh, apo politikanët shqiptar e transformuan veprimtarinë patriotike në tradhti por edhe aktivitetin politik në aktivitet kriminal ndërsa politika këtyre u shërben vetëm si mbulesë për ti mjegulluar dy aktivitetet primare të tyre të shëmtuara tradhtinë dhe kriminalitetin. Prandaj ka kohë që kemi rol të dyfishtë të politikanëve shqiptar që është praktikë e shteteve jonormale të cilat në vend të përpjekjeve që të krijojnë rend dhe rregull ideal po krijojnë kaos kërdi apo sisteme ku lulëzojnë krimi, korrupsioni si edhe hajnia dhe këto politikanët e pamoralshëm dhe të këqij mundohen ti prezantojnë si aktivitete patriotike apo si akte të dashurisë së madhe ndaj mëmëdheut dhe kombit. Por politikanët e sinqertë dhe patriot të vërtetë nuk e vjedhin dhe nuk i varfërojnë vendin dhe kombin por e sakrifikojnë veten duke u varfëruar vetëm e vetëm që mëmëdheu dhe kombi të pasurohen, të përparojnë, të rriten si dhe të zhvillohen. Ku ti gjesh sot politikanët e tillë nuk ka më në trojet tona as për ilaç thotë një fjalë popullore.

Loading...