Lokacioni i Kalasë së Kërçovës pas shqyrtimeve është konsideruar si qendër e civilizimit antik dhe mesjetar në regjionin e Kërçovës dhe është parë e nevojshme që kjo zonë të ekzaminohet. Gjetjet nga qeramika dhe monedhat tregojnë për jetën në këtë hapësirë që nga koha e neolitit dhe deri në Mesjetë.

Muzeu arkeologjik i Maqedonisë, në bashkëpunim me Muzeun e Maqedonisë perëndimore në Kërçovë, kanë filluar me hulumtime arkeologjike në zonën e Kalasë së Kërçovës.

Drejtori i Muzeut arkeologjik të Maqedonisë, Vesella Çestoeva, tha: “Pas tre dekadave, përsëri hulumtohet mbi këtë lokacion arkeologjik, me çka hapet një faqe e re në shkencën e arkeologjisë. Hulumtimet filluan me fillimin e këtij muaji dhe janë kryer në dy lokacione me qëllim që të përcaktohen kufijtë e lokacionit arkeologjik dhe zonat e kontaktit, gjetja e strukturave arkeologjike, gjegjësisht mbetjeve dhe gjetja e të dhënave stratigrafike.” – tha Çestoeva për Sitel.

Drejtuesi i projektit Ordançe Petrov, tha se kjo Kala besohet të ketë qenë një kështjellë bizantine që ka shërbyer si udhëkryq mes Skupit (Shkupit), Lihnid (Ohrit) dhe Prilepit.

Mbetjet e kësaj kështjelle janë aty edhe sot.

Projekti është financuar nga programi për projekte kapitale të qeverisë dhe koordinohet nga Drejtoria për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Duhet theksuar se historia e kësaj kalaje nuk njihet njësoj si nga komuniteti shqiptar ashtu edhe nga ai maqedonas. Kurse, akoma nuk është bërë e ditur nëse në hulumtimin e saj do të marrin pjesë edhe historianë dhe arkeologë shqiptar.

Loading...