Shteti do t’u ndihmojë komunave në kthimin e borxheve të vjetra

Shteti do t’u ndihmojë komunave në kthimin e borxheve të vjetra, ndërsa me ribalancin në tetor do të ndahen mjete që përgjithmonë të zgjidhet problem, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për atë se si do të zgjidhen borxhet e shkollave.

“Zgjidhja përfundimtare e atyre borxheve të vjetra është përmes mënyrës në të cilën shteti do t’ju ndihmojë komunave në kthimin e borxheve. Pjesa më e madhe e atyre borxheve janë ndaj shkollave, kopshteve për fëmijë dhe institucioneve tjera arsimore. Besoj se me ribalancin në tetor të gjitha këto mjete do të ndahen që përgjithmonë të zgjidhet problemi, e deri atëherë unë si kryeministër së bashku me kryetarët e komunave jemi të përfshirë në procesin e larjes së borxheve, të cilat janë mbledhur nga vetë shkollat”, tha Zaev.

Zaev u falënderua për fleksibilitetin e shërbimeve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe kryetarët e komunave dhe këshillave, që të gjejnë mënyra dhe të paguajnë një pjesë të borxheve që të fillojnë shkollat me punë.

Kryeministri Zaev, sot së bashku me ministrin e Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi dhe kryetarin e komunës së Butelit, Velimir Smilevski, mori pjesë në ceremoninë me rastin e ditës së parë shkollore në SHF “Aco Shopov” në Radishan.

Ministri Ademi i vlerësoi si të pavërteta dhe tendecioze, informatata në disa media, se janë lidhur tenderë në katër sy për furnizim të librave.

“Kjo procedurë, si dhe gjatë viteve të kaluara është në pajtim me të gjitha rregullat ligjore. Opsioni për sigurimin e librave përmes blerjes është procedura që ne e kemi zbatuar, ashtu që procedura këtë vit është e njëjta nga viti 2009 e këndej”, tha Ademi.

Ai i ftoi përfaqësuesit e mediave dhe sektorit të OJQ-së në hapësirat e MASH-it, ku, siç tha, do të ndahen të gjitha dokumentet dhe do të informohen për procedurën.

Loading...