Shteti është karakteristikë vetëm për qeniet që dijnë

Hysamedin Feraj

Injoranca e Ramës pamundëson ndërtimin e shtetit, sepse shteti është karakteristik vetëm për qeniet që dijnë. Rama ngjason me gjallesat që dijnë të përdorin disa mjete teknike, por nuk njeh asgjë për si krijohen mjetet e përdorimit. Prandaj Rama ka mësuar disa fjalë teknike që shoqërohen me shtetin, por nuk njeh asgjë për çka i themelon këto fjalë dhe as si ndërtohet shteti, që u jep kontekstin e kuptimësisë atyre fjalë.

Ai kërcënon me fjalën “forcë e ligjit”, por nuk di asgjë për themelin e forcës së ligjit. Nuk di se forca e ligjit themelohet mbi konkretizimin (përcaktimin) e drejtësisë dhe mbi zbatimin e drejt të saj.
Nuk njeh as se drejtësia e kërkon ndershmërinë, paanësinë: ajo zbatohet pavarësisht çfarëdo statusi social, politik a kulturor.
Nuk ka njohje as për një moment, pak mbi shkathtësitë gjysëm teknike të njëanësisë (ontike) së ligjit: ligji njerëzor mbron para së gjithash të dobëtit, përndryshe të fortët mbrohen nëpërmjet ligjeve të natyrës: i forti e ka ushqim të dobëtin, lëvizja më e fortë e zbraps më të dobtën…

Duke e zbatuar gjithnjë padrejtësisht, Rama (si paraardhësit) i ka rrënuar themelin çdo force të ligjit: duke e zbatuar vetëm kundër të dobtëve, Rama e ka reduktuar ligjin njerëzor (juridik) në ligje të natyrës dhe shtetin në gjendje natyrore, pra, në opozitën e shtetit.
Rama nuk njeh një moment tjetër, pak më shumë se teknike të ligjit dhe të drejtësisë: proporcionalitetin, ndër të tjera ndërmjet dëmit dhe ndëshkimit. Nuk njeh rrjedhojën e shkeljes së kësaj kërkese: kur ndëshkimi është disproporcional me dëmin, drejtësia kthehet në padrejtësi, e drejta kalon në anën e të ndëshkuarit.

Nëse i beson fjalët që thotë, Rama e di se për rrugën e kombit qenkan vjedhë 200 milion euro; Rama na siguron se e di kush i ka vjedhë: siç ka thënë shumë herë të tjera, i ka vjedhë Lulëzim Basha & Co. Mirëpo, Rama nuk e zbaton forcën e ligjit për këtë shumë, por vendosë të zbatojë forcën e ligjit vetëm për, ndoshta, as të dhjetën e saj (e shpërndarë në shumë persona). Qoftë vetëm me kaq, Rama e ka rrënuar ligjin, e ka kaluar të drejtën në anën e atyre që e kanë bërë dëmin, e ka…
Rama nuk di asgjë se forca e ligjit qëndron në respektin ndaj tij dhe se me respekt e pajis drejtësia; përndryshe, forca e ligjit mbetet forcë e ligjeve të fizikës, jo e ligjit njerëzor. Duke e bërë padrejtësinë ligj, Rama i humbë kuptimin dhe respektin ligjit, domethënë e rrënon forcën e ligjit. Rama mund t’i ketë krijuar vetes një “ligj”, një vendim të Këshillit të Minstrave, një kontratë të ligjshme me Kastratin, etj., por me të gjitha këto teknika e ka bërë një padrejtësi po aq të madhe sa dëmi pronësor dhe ekonomik ndaj mijëra qytetarëve. Dëmi që Rama i ka shkaktuar pronës dhe pasurisë së gjithë qytetarëve që e përdorin Rrugën e Kombit është shumë më i madh se dëmi i kioskave të Kastratit.

Rama mund të mendoj se ka mësuar nga diktatorët: Hitleri i kishte krijuar vetes ligje për holokaustin, Stalini për Gulagun, Enveri për kampet e internimit. Përgjithësisht diktatorët në fillim ia kanë krijuar vetes infrastrukturën ligjore-juridike dhe pastaj e kanë zbatuar atë forcë të ligjit, për veprat që e drejta i konsideron krime. Përgjithësisht ligjshmëria nuk i ka shpëtuar diktatorët nga ndëshkimi prej drejtësisë, por vetëm atëherë kur populli ose popujt janë ngritur kundër tij. Rama shpreson dhe po punon (teknikisht) vetëm që ky të mos jetë rast për të.

Me gjithë veprimet dhe mosveprimet e tij, Rama po punon ta ndajë ligjin nga e drejta dhe t’ia kundërvë ligjin të drejtës, atë çka e quan shtet ta vë kundër qytetarit, instituconet t’i vë kundër sovranit, të pamundësojë ekzistencën e shtetit shqiptar.
Kaq për tani.

Vini re: gjithë sa më sipër, vlen për Ramën e Ramushin, Berishën e Thaçin, Nanon e Mustafën, Metën e Veselin…
Të gjithë, bashkërisht e veç e veç, kuptimit të ligjit për shqiptarët i kanë dhënë një devizë: “Ndalohet vjedhja me pakicë!”; ose “Ndalohet dëmi me pakicë!”; ose në formë më metafizike: “Grimca më e vogël materiale, vlen më shumë se vlera më e madhe morale!”.

Loading...