Shtimi natyror i popullsisë ka pësuar një kthesë drastike gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, ku janë regjistruar një numër i vogël lindjesh e kurorëzimesh. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, shtimi i popullsisë është thuajse dy herë më i vogël gjatë këtij viti, që do të thotë se nëse një vit më parë popullsia është shtuar me 872 persona, këtë vit shtimi i popullsisë mezi arrin në 477 persona, shkruan gazeta KOHA.

Viti 2018 në përgjithësi ka nisur me ritme negative. Duke iu referuar të dhënave zyrtare nga muaji janar e deri në fund të muajit qershor, mesatarja e shtimit natyror të popullsisë është vetëm 300 persona ose shumë herë më e vogël sesa gjashtë mujori i vitit 2017. Ajo që bie në sy këtë vit janë shifrat e reduktuara të shtimit natyror të popullsisë edhe në ato komuna që kanë qenë prej disa vitesh në vend të parë.

Tetova, për shembull gjatë tremujorit të dytë të këtij viti renditet e dyta, pas Komunës së Çairit (140 persona) sa i takon shtimit të popullsisë, me vetëm 136 persona, pas saj vjen Saraji dhe më poshtë Studenicani. Të dhënat janë alarmante për shkak se ky është viti i dytë me radhë që ritmet e shtimit të popullsisë jo vetëm që nuk janë përmirësuar, por vazhdojnë të thellojnë hendekun çdo vit. Viti 2017 po ashtu karakterizua nga një bilanc negativ, si për numrin e zvogëluar të lindjeve, por edhe për shifrat në rritje të rasteve të vdekjes, divorceve.

“Numri i fëmijëve të lindur gjatë kësaj periudhe krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë është ulur me 6,3 për qind (gjithsej 5160 fëmijë), numri i persona të vdekur është rritur, ndërsa numri i kurorëzimeve është reduktuar me 1,4 për qind”, thuhet në analizën e ESHS. Komunat që kanë ndikuar në reduktimin e ndjeshëm të shifrave të shtimit të popullsisë janë ato maqedonase ku popullsia jo vetëm që nuk shtohet, por pakësohet. Komuna e Manastirit, për shembull është tkurrur me 94 banorë më pak, si edhe Koçani, Kavadari, Novo Sella, Kisella Voda, apo Velesi. Pesë rajonet ku popullsia po tkurret nga viti në vit janë Pellagonia, popullsia e së cilës vetëm gjatë vitit të kaluar numëroi 920 persona më pak, rajoni Lindor me minus 488, ndërsa shtimi pozitiv i popullsisë është në rajonin e Shkupit me një mesatare prej më shumë se 2000 persona. Karakteristike për Maqedoninë është se shtimi i popullsisë ndodh në zona rirale, më shumë sesa në ato urbane.

Në nivel nacional mesatarja e shtimit të popullsisë nuk e kalon shifrën 415 persona në qytete, ndërsa në fshatra arrin deri në 1021 persona.

Sipas demografëve shifrat negative ndikohen mbi të gjitha nga emigrimet. Duke iu referuar lindjeve të shtetasve nga Maqedonia jashtë vendit supozohet se vetëm vitin e kaluar janë regjistruar pesë mijë të sapolindur në vende të ndryshme të botës. Për shembull, 570 fëmijë me prindër nga komuna e Gostivarit janë lindur jashtë vendit, 286 fëmijë me prindër nga Tetova po ashtu kanë lindur jashtë vendit, 330 nga komuna e Strugës, e të tjera. (koha.mk)

Loading...