Shumë pak mësuam nga e kaluara, prandaj jemi aty ku jemi

SHAIP SULEJMANI

 

 Historiku i shkurtër për fesatat e Nëntorit

  1. a) Reformat në kohën e Tanzimatit

 Që me sjelljen e Kushtetutës së Re /TANZIMAT-in/ në vitin 1876, nga të ashtuquajturit “Turqit e rinj” /xhonturqit/, fuqitë e mëdha botërore dita më ditë e detyronin të sjellë reforma të reja dhe lëshime në aspektin e lirive, sidomos të përdorimit të gjuhës dhe hapjen e shkollave në gjuhët amtare.

Sulltan Abdul-Hamiti, i cili pas bërjes së reformave filloi të konsolidohet, por jo edhe të përforcojë mëkëmbjen e pushtetit si në kohët e mëparshme. Turqit e rinj që nga 1908-1909 filluan të heqin dorë nga platforma e Tanzimatit, por sërish filluan ta zëvendësojnë atë me politikë diskriminuese në baza nacionale, duke filluar të mbyllin shkollat e hapura më parë në gjuhën shqipe, siç ishte ajo e Korçës, që u hap  më 7 mars të vitit 1887, ajo e vashave më 23 nëntor të vitit 1891, si dhe shkollën e Normales në Elbasan, që u hap në vitin 1909 menjëherë pas Kongresit të Manastirit. Po ashtu vendosën të mbyllen klubet apo shoqëritë politike të hapura të shqiptarëve në diasporën e atëhershme, siç ishte ajo e “Stambollit”, e “Bashkimit” në Manastir, ”Agimi“ dhe “Bashkimi“ Shkodër etj., duke u bazuar në platformën: “Ekzistencë të një kombi, të një gjuhe, në kuadër të një shteti turk”.

Revolucioni borgjez në fillim solli disa reforma siç përmendëm, por më vonë filluan shumë lojëra politike ndaj popullit shqiptar, që e ngarkuan gjendjen dhe e bënë shumë më të rëndë dhe të padurueshme. Prandaj, nga këto rrethana apo gjendja e tillë e krijuar, në vitin 1909 shpërtheu një Kryengritje shqiptare kundër politikës së xhonturqve /apo turqve të rinj/. Kjo kryengritje u përhap në mbarë trojet shqiptare, gjë që solli edhe shpalljen e Pavarësisë në Shqipëri, që do të cekim më  pas në këtë tekst.

Në këto rrethana filloi Lufta e Parë Ballkanike (1912-1914). Perandoria osmane që kishte sunduar më se pesë shekuj filloi të perëndojë; filloi më të tërhiqet nga shumë vende të Ballkanit nën presionin e Fuqive të Mëdha, sidomos  nga Bashkimi sovjetik dhe të shteteve të Lidhjes Ballkanike Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi, që kishin formuar një aleancë pa Shqipërinë, të cilën e kishin në shënjestër për ta copëtuar, prandaj edhe nuk e morën në aleancën e tyre.

Këtë presion luftarak më nuk mund ta përballonte Perandoria turke, sepse ishte shpërndarë në shumë vende të botës me forcat ushtarake, andaj në ato vende

                                                                                                                                    2

 ishte dobësuar. Dhe, duke i shfrytëzuar rrethanat e krijuara, Serbia pasi e mori Kosovën dhe Maqedoninë e sotme, vazhdoi depërtimin në drejtim të bregdetit shqiptar. Mali i Zi vazhdoi të ndjekë ushtrinë turke drejt Shkodrës. Greqia pasi i mori Thesalinë /Thesaliotët me Çamërinë/ dhe Epirin, vazhdoi drejt Shqipërisë Jugore.  

Pra, Lidhja Ballkanike nuk deshi që ta merrte Shqipërinë si aleate për shkak të aspiratave të tyre pushtuese ndaj tokave shqiptare. Prandaj, duhet kuptuar mirë në prizmin e sotëm se në çfarë rrethanash arritën patriotët shqiptarë në krye me Ismail Qemalin ta Shpallin Shqipërinë-Shtet të Pavarur e Sovran, e jo se pse nuk u shpall në Shkodër, Durrës, Tiranë, Prishtinë apo në Shkup, siç mundohen sot shumë historianë të shprehin kritika të ndryshme, për të cilën më gjerësisht do të shkruajmë në këtë artikull.

Nga fuqitë e mëdha për Shqipërinë autonome ishin vetëm Austro-Hungaria dhe Italia, por nën Perandorinë otomane, më vonë konvertuan si shtete të pavarura. Rusia me ato shtete të Lidhjes Ballkanike ishin për copëtim të ri mes veti.

Kjo situatë e krijuar detyroi që të mbahet  Konferenca e Londrës /17 dhjetor 1912 – janar 1913/, e njohur si Konferenca e Ambasadorëve për të sjellë gjoja paqen, ku dhe u vendos që Shqipëria të kufizohet me Malin e Zi, që të pengohet dalja e Serbisë në Detin Adriatik, kurse kufijtë tjerë për një kohë të ardhme të definohen.

Më 19 korrik 1913 për së pari herë u njoh Shqipëria Shtet i Pavarur ndërkombëtarisht me garanci të shteteve të mëdha, por një Shqipëri e cunguar, ku më se 2/3 e tokave shqiptare mbetën jashtë këtij trungu amë. Nuk mund t`i ikim realitetit që akoma ai sindromë edhe sot për fat të keq na përcjell, përçarjet mes veti si komb janë evidente.

Në atë kohë, kur mbahej Konferenca e Londrës nuk patëm përfaqësues të përbashkët me platformë të unifikuar të popullit shqiptar. Në Durrës, Esat Pasha e shfrytëzoi rastin dhe rrethanat konfrontuese, si dhe ato politike nga faktorët e jashtëm dhe u paraqit si përfaqësues i Shqipërisë së Mesme, gjoja me një qeveri të tij në vitin 1913. Nga Mirëdita ishte Preng Bib Doda si përfaqësues i Shqipërisë Veriore. Prandaj Komisioni Ndërkombëtar i Konferencës mori qëndrim që të gjitha ata të jenë jashtë përfaqësimit të Shqipërisë, bashkë me atë të Ismail Qemalit dhe më 7 mars 1914 të emërojë përkohësisht sundues Princ Vilhelm Vidin, të cilën qeveri e njohën fuqitë e mëdha dhe të shteteve të Lidhjes Ballkanike.

Në rrethana të tilla Princ Vidi në shtator të vitit 1914 u detyrua ta lëshojë fronin. Me Traktatin e Bukureshtit të 13.08.1913 Maqedonia e sotme iu dha Serbisë. Gjendja e shqiptarëve u keqësua edhe më tepër sesa para vitit 1913. Ushtria serbe kishte bërë edhe më parë, por edhe në vitin 1913 në Maqedoninë Perëndimore ushtroi dhunë dhe terror të paparë në tokat e tyre, duke bërë presion për shpërnguljen e shqiptarëve dhe duke i asgjësuar dhe zhdukur fizikisht. Sidomos pjesa e Rekës së Epërme dhe të Poshtme, që nga Struga, Dibra, Kërçova, Gostivari, Tetova, Shkupi, Kumanova dhe Karadaku, përfshirë edhe Kosovën, bashkë me

3

 fshatrat në rrethinë: Qafë, Sërbinovë, Reçan, Vrutok, Raven, Zdunjë, Debresh, Kalisht, Dobridoll, Negotinë, Senakos, ku ishte edhe qendra komanduese e çetnikëve. U dogjën mbi 20 fshatra, u masakruan më se 700-800 shqiptarë bura, gra, fëmijë, pleq. Shumë gra u dhunuan, ndërkaq vajzat e reja i martuan me serbë. Akoma gjenden dëshmitarët e gjallë të cilët me lot në sy dhe trishtime trupore e lëndime shpirtërore tregojnë, duke thënë: “mos ardhtë ajo kohë”, por, ja që kjo histori u përsërit edhe nga koha e pushtimit të Bullgarisë

 

 

 

Këto veprime diskriminuese dhe retrograde sollën pakënaqësi dhe revoltë te populli shqiptar, sidomos kur me shumë mundime dhe sakrifica ia arritën që t`i hapin shkollat dhe të krijojë një Alfabet të përbashkët me mbajtjen e Kongresit të Manastirit gjatë vitit 1908, më konkretisht, më 14-22 nëntor 1908, ku morën pjesë 50 delegatë, me 32 delegatë me të drejtë vote, e që përfaqësonin më se 26 klube nga trojet shqiptare. Përveç atyre që cekëm më lart, morën pjesë edhe nga Kolonitë e Amerikës, Turqisë, Rumanisë, Egjiptit, Greqisë etj.

 

  1. b) Kongresi i Alfabetit-Manastirit

 

Lëvizja kombëtare shqiptare bëri kompromise për të unifikuar një alfabet të përbashkët, e që do të ishte bazë dhe shpirti i kombit shqiptar për të formuar dhe shpallur- Shtetin e Pavarur Shqiptar në Vlorë më 28 nëntor 1912, në krye të qeverisë me Ismail Qemalin.

Në këtë Kongres, të cilin e hapi Fehmi Zavallani, kryetar i përhershëm i klubit të Manastirit “Bashkimi”, për kryetar të Kongresit delegatët e zgjodhën Mit-hat Frashërin, Kryetar nderi u zgjodh Hivzi Pasha. Punën ia besuan Komisionit të zgjedhur 11 anëtarësh: Kryetar Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi nënkryetar, anëtarë: Mit-hat Frashëri, Gjergj Qiriazi, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Taqi Buda, Sotir Peci, Bajo Topulli, Nyzhdet Vrioni dhe Gligor Ciklja.

Pas punës së mundimshme komisioni dhe Kongresi e aprovoi Alfabetin e Ri të gjuhës shqipe që ne sot e përdorim, duke marrë shkronja për tingujt e posaçëm të shqipes nga këto tre alfabete: nga alfabeti i “Stambollit” u morën shkronjat: v, c, ç, q, z, x; nga ai i alfabetit të “Bashkimit” u morën shkronjat: dh, th, ll, rr, sh, si dhe nga alfabeti i De Radës, u morën shkronjat: ë, gj dhe nj. *

_______________________________________________

  • Shënime të marra nga prof. Rasim Gashi dhe Justina Rota, ”Për historinë e alfabetit shqip”, Shkodër, fq. 90 të vitit 1936
  •  

­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­Edhe pse pati shumë këmbime mendimesh si dhe kundërshtime mes veti në Kongres, Kongresi e aprovoi këtë Alfabet të Ri të gjuhës shqipe. Ai u mbajt në

 

4

 rrethana shumë të tensionuara luftarake e politike në rrethinat e kufijve të këtij shteti.

 

 

  1. c) Formimi i shtetit të pavarur shqiptar

 

Territori i Ballkanit, siç është e njohur, është i populluar me një numër të dalluar popujsh me origjinë të ndryshme, të ndarë në shtete më vete. E kaluara për disa prej  tyre ka qenë mjaft e zymtë. Për shkak të pozitës natyrore-gjeografike, Ballkanin kanë synuar ta okupojnë edhe popuj të tjerë që kanë qenë në përbërje të fuqive të mëdha të kohës. Populli shqiptar si më i vjetër, kuptohet, i pat përfshirë ato vende që ofronin kushte më të mira për ekzistencë dhe lidhje natyrore me trojet e tjera. Më vonë aty paraqiten edhe popujt sllavë. Prej tyre serbët duke depërtuar nga veriu në drejtim të jugut dhe duke e ç`pronësuar popullatën e vjetër (iliro-shqiptarët), e okupuan pjesën qendrore, përkatësisht luginën e lumit Morava, nëpërmjet të së cilës ekziston një lidhje e mirë me rajonet e tjera. Më vonë ky territor, për një kohë shumë të gjatë, okupohet prej Perandorisë Osmane. Lufta për çlirim nga ky okupator ka qenë shumë e gjatë dhe mjaft e përgjakshme. Çdo popull synonte që sa më shpejt të çlirohet dhe të krijojë shtetin e vet. Mirëpo ndër popujt që synonin t’i arrijnë këtij qëllim, fshihej edhe diçka tjetër. Disa prej tyre nuk patën qenë të kënaqur me madhësinë e hapësirës që e popullonin, por deshën të marrin edhe atë që nuk u takonte. Këtë qëllim populli shqiptar nuk e ka pasur. Shqiptarët luftonin të çlirohen dhe të krijojnë shtetin e vet në ato hapësira që i kanë pasur me shekuj. Mirëpo kështu nuk mendonin popujt sllavë.

 

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 i dha fund sundimit shekullor osman duke shënuar një kthesë rrënjësore në fatet e Shqipërisë. Populli shqiptar i dha grushtin e fundit ushtarako – politik Perandorisë Otomane, duke kurorëzuar ëndrrat dhe aspiratat mijëvjeçare të tij. Shqipëria u shpall sovrane, e pavarur jo vetëm ndaj zgjedhës otomane, por edhe ndaj çdo zgjedhe e zinxhirëve të rinj që farkoheshin në kurthet e fqinjëve. Rilindja Kombëtare arrinte me këtë kulmin e vet, sepse pavarësia kurorëzonte luftërat e përpjekjet heroike të brezave të tërë për të kthyer lirinë e humbur, për të gëzuar të drejtat kombëtare dhe për t’i hapur vendit rrugën e zhvillimin e të përparimit.

 Me vendimin historik të Kuvendit të Vlorës triumfonte edhe në Shqipëri parimi kombësisë i shpallur nga rilindësit tanë dha nga demokracia ballkanike e evropiane qysh në shekullin XIX. Vihej në vend kështu një e drejtë imanente e një kombi të formuar në territorin e vet të banuar pa ndërprerje gjatë shekujve, me gjuhë, kulturë,

5

 histori e individualitet të vet, e drejtë e fituar nëpër llogoret e një lufte të gjatë e të ashpër, e drejtë që i takonte edhe për kontributin e vyer që kishte dhënë në procesin çlirimtar ballkanik dhe evropian. Me gjithë kufizimet e saj, pavarësia, e parë edhe në prizmin e zhvillimeve të mëvonshme, e afirmoi me dinjitet idenë e madhe të kombësisë dhe të unitetit kombëtar që  erdhi si rezultat i mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit , edhe pse vendi ishte në pjesën më të madhe i pushtuar nga ushtri të huaja.

Pavarësia e Shqipërisë nuk ishte thjesht vepër e një grushti patriotësh që ngritën flamurin në Vlorë. Ata sigurisht e kanë vendin e tyre të nderuar në histori. Por ata dhe Kuvendi Kombëtar i Vlorës sanksionuan juridikisht me një akt të nënshkruar nga përfaqësuesit e kombit atë që kishin përgatitur gjatë dhjetëra e dhjetëra vjetëve, me luftë, vuajtje e sakrifica masat e gjera popullore në të gjitha trevat shqiptare. Në themelin e pavarësisë kishte vënë gurë  e gjithë shqiptaria. 

 

 

Shpallja e Pavarësisë nuk ishte një akt i veçuar. Ajo u përgatit hap pas hapi, me kujdes, durim, guxim, me ndjenjën e përgjegjësisë për dhjetëra e dhjetëra vjet. Ashtu si protagonistit kryesor të saj Ismail Qemalit i vinte pas historia, ashtu edhe pavarësisë i priu një histori e tërë. Akti i 28 nëntorit nuk mund të kuptohet pa këtë histori. Ata që e nënshkruan dokumentin e pavarësisë nuk ishin njerëz të rinj që i nxori në skenë gjendja e ndërlikuar e krijuar nga Lufta e Parë Ballkanike dhe nevoja për të gjetur një rrugëdalje. Një pjesë e mirë atyre që u mblodhën në Kuvendin e Vlorës e kishin filluar veprimtarinë patriotike shumë kohë përpara dhe ishin dalluar si luftëtarë të pushkës e të penës për çlirimin kombëtar.

Pavarësinë e lidhin organikisht me Rilindjen jo vetëm protagonistët, por edhe mendimi e veprimi patriotik e revolucionar i tyre e në mënyrë të veçantë i masave popullore që panë te akti i 28 Nëntorit shpërblimin për gjakun e derdhur, për vuajtjet e sakrificat e bëra për të arritur atë ditë. Prandaj pavarësia dhe Rilindja jonë janë një e tërë dhe e pandarë.

Ideologjia e Rilindjes u konkretizua në programet politike. Të ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë dhe jo më pak për të drejtën për të qenë të lirë e të pavarur dhe për një zhvillim normal të vendit, ideologët e Rilindjes përpunuan në përputhje me kohën dhe rrethanat një strategji politike të qartë mbi rrugët drejt pavarësisë dhe mbi formën dhe përmbajtjen e tyre. Autonomia dhe pavarësia janë konceptuar gjithmonë si dy etapa në zgjidhjen e çështjes shqiptare të lidhur ngushtë me njëra-tjetrën. Platforma e autonomisë nën sovranitetin e sulltanit mbizotëroi gjatë Rilindjes deri në nëntorin e 1912-ës. Ajo lejonte të ngriheshin strukturat shoqërore-ekonomike dhe institucionet juridiko-politike që do të shërbenin si bazë për rendin shtetëror të

6

 

pavarur, i cili do të vendosej me t’u krijuar kushtet e përshtatshme. Kjo shpjegohet jo me dëshirën e shqiptarëve, për të qenë nën hijen e sulltanit e as me papjekurinë e tyre për vetëqeverisje, siç duan ta paraqesin këtë një varg autorësh të huaj. Kjo ishte rruga që kishin ndjekur edhe disa shtete të tjera ballkanike, përveç Greqisë. Por në rastin e shqiptarëve kërkesa e autonomisë shpjegohet kryesisht me konsiderata të karakterit ndërkombëtar. Në radhë të parë, vetë Porta e Lartë do të pranonte më lehtë, në raste se do të ishte e detyruar ta bënte këtë, një Shqipëri autonome duke ruajtur sovranitetin e saj në këtë zonë sesa një shkëputje të plotë të saj. Në fakt kështu ndodhi. Ajo e njohu autonominë e Shqipërisë, por pas Shpalljes së Pavarësisë. Faktori i jashtëm kryesor që kushtëzoi platformën e autonomisë ishte rreziku serioz e i vazhdueshëm i copëtimit të tokave shqiptare nga ana e monarkive fqinje, rreziku që kishte filluar të dukej qysh në vitet 40 të shekullit XIX. Në këto kushte Shqipëria autonome në kuadrin e Perandorisë Osmane mund të përfitonte për sa i përket tërësisë territoriale të atdheut, qoftë nga interesi i Portës së Lartë për t’i ruajtur të paprekur kufijtë e Perandorisë, qoftë nga garancitë e Fuqive të mëdha për të ruajtur paprekshmërinë e saj. Shqipëria autonome do të kishte mundësinë të konsolidohej në atë shkallë sa kur të dilte e pavarur të ishte në gjendje t’u qëndronte rreziqeve të jashtme që i kanoseshin.

Prandaj duhet kuptuar mirë në prizmin e sotëm në çfarë rrethanash arritën patriotët shqiptarë në krye me Ismail Qemalin të Shpallin Shqipërinë-Shtet të Pavarur dhe Sovran, e jo se pse nuk u shpall në Shkodër, Durrës, Mat, Tiranë, Prishtinë apo në Shkup, siç mundohen sot shumë historianë të shprehin kritika të ndryshme.

Por, kemi të dhëna se në vjeshtë të vitit 1912, Fan Noli e ka kritikuar Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën për dështimin që në Shkup nuk u shpalua flamuri dhe nuk u bë kryeqytet i Republikës së Shqipërisë.

Shkupi në atë kohë ka pasur mbi 50 mijë banorë, mbi 40 mijë prej tyre kanë qenë banorë të popullatës shqiptare.

Luigj Gurakuqi në të njëjtin vit thotë: ”Faji është i të gjithëve, sepse u lanë të ndërhyjnë fanatikët e Prishtinës, Shkupit e të Tetovës“.

Nëntë vjet pas, Hasan Prishtina ka publikuar kujtime mbi kryengritjen shqiptare: ”Koha e shënueme për kryengritje u afronte gjithnji. I shkrova Ismail Qemalit, m’u përgjigj me sot e me nesër, e me premtime të thata… Në Prishtinë, Riza Gjakova dhe Isa Buletini më thanë  se ne nuk duam autonomi dhe nuk mund të ndahemi prej Osmanëve… Në Shkup mbërritëm me 20 për qind të fuqisë që kishim në Prishtinë“. /Marrë nga shkrimi i Brikena Rexhepi, e botuar te revista “Koha” më 4 nëntor 2014/.

 

7

Autorja ka pasur qëllimin për të na dërguar mesazh se duhet mësuar nga e kaluara për gabimet e bëra dhe në të ardhmen duhet dëgjuar zëri i diturisë dhe i unitetit shqiptar. Pa platformë të përbashkët politike të mbarë subjekteve politike të shqiptarëve në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup, por pse jo edhe në Luginën e Preshevës dhe Medvegjës dhe në Mal të Zi, ndërsa para se të unifikojmë platformën e përbashkët politike për mbarë kombin shqiptar, duhet ndërtuar po ashtu platformë në oborret e veta shqiptarët në shtetet ku jetojnë dhe kështu të formohet uniteti, ku sukseset nuk do të mungojnë dhe as të dështojnë. Përndryshe, kurrë shqiptarët nuk mund t`i zgjidhin problemet e tyre ashtu siç janë tani të përçarë, të ndarë dhe të vrarë mes veti.

T`i largohemi demagogjisë shumë shpesh të përfolur për t`u arsyetuar me frazën: ”sllavët na kanë përçarë”. Vallë mos presim apo duhet pritur që ato të na bashkojnë dhe sjellin unitetin shqiptar? – sigurisht se jo! Pse ne lejomë të na përçajnë? Pse ne nuk mundemi ato t`i përçajmë? Nuk jemi në kohët e vjetra, jemi të shekullit 21, ku kemi arritur pothuajse kulminacionin e arsimimit, kulturës, dijenisë dhe vetëdijesimit.

Kaloi koha e analfabetizmit dhe gjysmë analfabetizmit. Duhet zgjuar më nga gjumi dhe të vetëdijesohemi kombëtarisht; të largohemi nga dashuria e karrierizmit dhe njollosjes me para të fëlliqura nga sllavët dhe pastaj t`u ngelim besnik dhe t`u bëjmë gjithnjë vasalitet, duke u trembur se mos na nxjerrin keqpërdorimet në shesh. Përçarjet dhe injorancën duhet harruar dhe t`i kthehemi unitetit, platformës së përbashkët, së bashku me pozitën apo opozitën kur bëhet fjalë për çështjet madhore, sidomos tek shqiptarët e Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Medvegjes, Malit të Zi, në koordinim me ato të Tiranës apo Prishtinës /Republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës/.                                                                                                          

 

                                                                                                               

        

Loading...