Si dështoi Millosheviçi për të dëbuar shqiptarët

Si është shkatërruar Jugosllavia” është titulli i librit që solli në Tiranë, Stjepan Mesiç, një nga politikanët që prej vitesh “luftoi” për paqen në rajonin e Ballkanit dhe për shpalljen të pavarur nga Serbia të shtetit të Kosovës. Ish- presidenti i Kroacisë për dy mandate gjatë viteve 2000- 2010, Mesiç solli në një libër tashmë të përkthyer edhe në shqip të gjitha kujtimet e tij mbi rënien e ish- Jugosllavisë. Në ambientet e Universitetit Evropian të Tiranës, Mesiç mblodhi rreth vetes figura politike të dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë. Ish- presidentët Alfred Moisiu, Fatmir Sejdiu, Bamir Topi ishin pjesë e promovimit të librit të ishpresidentit kroat.

Në një prezantim të shkurtër të rrjedhës kronologjike të ngjarjeve autori risolli në vëmendje copëza nga ditari i tij për mënyrën sesi ishin organizuar ish- republikat Jugosllave në kohën e Titos dhe politikat diktatoriale të Sllobodan Millosheviçit për të krijuar Serbinë e Madhe. “Unë me anën e këtij libri dua të kujtoj se çfarë ka ndodhur në ish-Jugosllavinë e kohës. Jugosllavia nuk ka qenë aq e izoluar sa Shqipëria. Ajo përbëhej nga 6 republika dhe 2 krahina autonome. Ajo mbahej nga tri elemente që përbënin shtetin, Tito me karizmën e vet, Partia Komuniste si parti e vetme dhe ushtria. Kjo e fundit dëgjonte vetëm Titon dhe partinë.

Tito vdiq, partia u shkatërrua. Në krye të Serbisë erdhi Sllobodan Millosheviçi, i cili nuk donte as federatë, as konfederatë, vetëm Serbinë e madhe” tha ish- presidenti kroat Mesiç. Në bashkëbisedim e sipër mes kujtimit të situatave tëtensionuara të kohës dhe batutave rreth realitetit, Mesiç shprehet se ka “risjellë” në jetë një pjesë të shënimeve nga ditari personal, nga koha kur ka qenë, aq sa i është dhënë mundësia të ishte, president i kolektivit të asaj bashkësie popujsh dhe pakicash kombëtare.

Ai erdhi në kryesi të Presidencës Jugosllave pas zgjedhjeve pluraliste të vitit 1990 në Republikën e Kroacisë. Në këtë kohë, kryesia e Jugosllavisë akoma funksiononte si organ kolektiv, ku 8 anëtarët e saj delegoheshin nga Kuvendet e njësive federale. Në këtë ditar gjithçka flet për periudhën 15 maj 1990 – 15 maj 1992, kur republikës së Kroacisë i takonte posti i zëvendëskryetarit dhe më pas edhe kryetarit të shtetit.

Plani i Millosheviçit për Kosovën

Në librin e tij Mesiç u kushton një vend edhe shqiptarëve të Kosovës, duke kujtuar planin e Sllobodan Millosheviçit për largimin e shqiptarëve nga trojet e Kosovës dhe zëvendësimin e tyre me serbë. “Millosheviçi donte vetëm Serbinë e madhe dhe etnike. Ai donte të bashkonte Kroacinë me Bosnjën së bashku me Malin e Zi. Ndërsa për sa i përket shqiptarëve të Kosovës dëshironte t’i largonte nga trojet e tyre dhe t’i popullonte me qytetarë serbë. Por që të merreshe vesh me Millosheviçin ishte e pamundur, ndaj alternativa e vetme ishte që ta ndaheshim dhe të shihnim për vetëvendosje.

Millosheviçi nga ana e tij mashtronte Perëndimin duke u shprehur se do më të mirë për të gjitha shtetet e Jugosllavisë. Serbëve u thoshte se do të jetoni më së miri në një shtet, por kjo ishte një gënjeshtër pasi ata jetonin në Serbi, në Kroaci, në Bosnjë dhe në shtete të tjera, ndaj për këtë qëllim ai u thoshte rrëmbeni armët, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jetojmë të gjithë të bashkuar. Por në këtë pikë pati një shpërbërje të ushtrisë pas daljes prej saj të kroatëve, boshnjakëve, sllovenëve dhe shqiptarëve.

Ideja e Millosheviçit ishte që të largonte rreth 250 mijë serbë nga shtëpitë e tyre për t’i vendosur në Kosovë. Për këtë qëllim ai e ndaloi autonominë e Kosovës, të gjithë shqiptarët që ishin në funksion të autonomisë i hoqi. Plani i tij ishte që gjithë shqiptarët e Kosovës që do të zboheshin nga trojet e tyre, një pjesë do të vendoseshin në Maqedoni, ndërsa pjesa tjetër do të shpërnguleshin në Shqipëri” shprehet ish- presidenti kroat. Sipas Millosheviçit me dëbimin e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre, do të krijohej një situatë destabiliteti edhe në vendet ku ata do të “emigronin” si në Maqedoni apo Shqipëri.

Por në fund gjithçka përfundoi në një dështim, me nisjen edhe të një lufte të armatosur. “Sipas tij këta 2 milionë shqiptarë që do të largoheshin nga Kosova do të krijonin një situatë destabilizimi si në Maqedoni edhe në Shqipëri. Millosheviçi mendonte si ishte personi i duhur për rajonin dhe Perëndimi do ta lejonte që të ushtronte “funksionin” e tij për të krijuar një situatë “paqeje” si në Shqipëri edhe në Maqedoni. Mirëpo plani i Millosheviçit dështoi. Kosovarët u bashkuan, formuan UÇK-në dhe kundërshtuan me luftë regjimin e tij. Serbët nuk dëshironin që të shpërnguleshin në Kosovë, shqiptarët nga ana tjetër nuk dëshironin të largoheshin nga trojet e tyre në Kosovë dhe plani i Millosheviçit për të krijuar Serbinë e madhe nuk u realizua. Si përfundim gjatë luftës mbetën të vdekur qindra mijëra banorë, të plagosur akoma më shumë, por kufijtë nuk lëvizën asnjë milimetër.

Fjalimi

Ka serbë që ende mendojnë për Serbinë e Madhe Duke folur për arsyet që çuan në luftë Serbinë me shqiptarët e Kosovës, Sipe Mesiç thekson se “oreksi” serb për të zgjeruar territoret solli si pasojë luftën. “Shtrohet pyeta përse u desh kjo luftë? Serbia kishte interesat e veta për të hapur kufijtë. “Kur erdhi në pushtet Qemal Ataturku gjeneralët i kërkuan që të zgjeronte perandorinë më gjerë në Azi, por ai u përgjigj të dashur qytetarë ju fatin tuaj duhet ta kërkoni brenda kufijve dhe jo jashtë saj. Këtë gjë askush nuk ua tha në Serbi. Fatkeqësisht edhe sot në Serbi ka njerëz që mendojnë se Serbia mundet dhe duhet t’i zgjerojë kufijtë e saj”, theksoi Mesiç.

Ish- presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ftuar në promovimin e librit të ish- presidentit kroat Stjepan Mesiç u shpreh se ai është një mik i shqiptarëve që erdhi në kohë të vështira për ta, por që bëri ato që shumë pak politikanë i kanë bërë. Interesimit të “Shekulli”-t për situatën në Kosovë Sejdiu iu përgjigj se tashmë mazhoranca dhe opozita duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët në të mirë të vendit.

Zoti Sejdiu cili është gjykimi juaj për librin e zotit Stipe Mesiç? A ka ardhur ai në momentin e duhur?

Mendoj se ky është një libër shumë i mirë. Ai ka edhe një botim më të hershëm, ndonëse kanë kaluar vite prej asaj kohe. Tashmë me këtë libër është një gërshetim i mirë i ndjenjës së tij për të evokuar të gjithë atë kohë që është përjetuar, në një pozicion tepër të vështirë që ka pasur si president i ish- Jugosllavisë dhe një sfidë e veçantë që është përcjellë përkarshi interesave nacionale të popullit kroat, por edhe të lëvizjeve që i është dashur t’i bëjë në një koment jashtëzakonisht kyç për kohën. Ndërsa ajo që dua të theksoj është se në kohën kur Stipe Mesiç ka qenë president i ish-Federatës Jugosllave, Kosova ka bërë lëvizje të mëdha politike. Në atë kohë në kemi mbajtur edhe referendumin për pavarësinë e vendit dhe jemi deklaruar se nga cili kah do të lëvizim si një shtet i pavarur dhe sovran. Ajo ishte një ecje paralele edhe me njësitë e tjera federale si Sllovenia dhe Kroacia.

Pse zoti Mesiç quhet një mik i madh i shqiptarëve?

Sepse vërtet ai ka pasur një qasje pak më ndryshe në lidhje me shumë politikanë të tjerë, që nuk mund t’i quaj armiq për shqiptarët, por që nuk kanë bërë atë që ai ka bërë. Lëvizjet e tij dhe debati për çështjet e shqiptarëve ka ardhur atëherë kur është dashur. Stjepan Mesiç është një njeri që erdhi në kohë të vështira dhe bëri kohën e vet, në kohë furtunash kur maten burrat me qasjen pragmatike që pati, me vizionin e tij largpamës, me qëndresën ndaj kurtheve të shumta që pati para vetes. Presidenti Mesiç, me librin e tij dha kallëzimin më të mirë të gjithë atyre debateve të nxehta, të gjithë atij presioni fillimisht ndërkombëtar se Jugosllavia duhet të qëndrojë, por ai dha vizionin se cila duhet të jetë rruga më e mirë.

Kroatët zgjodhën të udhëhiqeshin nga një person që do të ishte njeriu i tyre dhe jo person që do të udhëhiqej nga pro jugosllavët. Presidenti Mesiç do të mbetet në kujtesën tonë pasi ishte mbrojtësi i vetëm në atë situatë kaq të rëndë që kishim si popull kur na kanosej zhbërja totale në Kosovë, por edhe në vise të tjera. Në libër do të gjejmë referenca për shqiptarët, do të gjejmë ata që dolën si përfaqësues të Kosovës pas atij shkatërrimi kushtetues të statusit që kishte Kosova, të atyre që thjesht ishin vegla të të tjerëve. Por ajo që është e jashtëzakonshme është kujdesi i sotëm që ai i kushton Kosovës, shqiptarëve, kujdesi për paqe dhe stabilitet, për një lëvizje të mirë në proceset integruese.

Si e komentoni situatën aktuale në Kosovë?

Duhet një unitet mes mazhorancës dhe opozitës për të gjetur gjuhën e përbashkët për tema të mëdha. Absolutisht Kosovën dhe institucionet e vendit nuk i bën vetëm mazhoranca, por edhe opozita. Ndaj ajo duhet të shkrihet në një ndjenjë përkushtimi për të ardhmen e vendit. Unë e kuptoj që çdo opozitë ka mënyrat e saj të protestës dhe është e drejta e saj legjitime, por jam kundër protestimit me mënyra të dhunshme.

Cili është qëndrimi juaj për marrëveshjet mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë?

Tashmë ato marrëveshje janë bërë. Kemi një iniciativë të presidentes që çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, ndaj duhet të presim dhe të shohim.

Moisiu: Libri na njeh me të shkuarën, por na shërben edhe për të ardhmen

Fatmir Sejdiu: Duhet një unitet mes partive, në të mirë të Kosovës Ish-presidenti i vendit Alfred Moisiu, një mik i vjetër i ishpresidentit kroat Stjepan Mesiç, duke folur për librin e këtij të fundit, shprehet se ai nuk është vetëm mik i shqiptarëve, por ithtar i paqes në rajon. “Zoti Mesiç është protagonist i ngjarjeve mbi shkatërrimin e Jugosllavisë, e cila ka qenë pjesë e historisë së Ballkanit dhe vijon të mbetet si e tillë. Ai nuk është vetëm një mik i shqiptarëve, por një mbështetës i paqes dhe i stabilitetit në rajonin e Ballkanit që njihet me nofkën e vjetër “fuçi baruti”. Të qetësosh ballkanasit nuk është aq e thjeshtë, ndërsa të bindësh ballkanasit është akoma më e vështirë.

Unë kam pasur fatin të njihem me presidentin Mesiç që në vitin 2002 dhe në nëntor në takimin e NATO-s në Pragë, së bashku me të ndjerin president Trajkovski të Maqedonisë, ramë dakord dhe hartuam kartën “Adriatik 3”, e cila hodhi themelet e Kroacisë, të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera për integrimin në NATO”- u shpreh Moisiu. Gjatë fjalës së tij Moisiu tregon angazhimet e tij së bashku me presidentin Mesiç për organizmin e takimeve mes liderëve të Ballkanit me qëllim sheshimin e situatave të tensionuara. “Bashkë me presidentin Mesiç kemi qenë të shqetësuar se si të mblidhnim bashkë drejtuesit e vendeve të Ballkanit, jo thjesht në takime formale, por në takime që do të ishin të rëndësishme për të ardhmen e rajonit. Jo vetëm për të njohur pikëpamjet dhe idetë, por për t’i përforcuar marrëdhëniet në të mirë të stabilitetit dhe të ruajtjes së paqes në rajon, që edhe sot ka problemet e veta. Pikërisht për këtë qëllim në 2006 bëmë takimin e Durrësit, ku për herë të parë presidenti i Serbisë, Tadiç, shkeli në Shqipëri”, përfundoi ish- presidenti Moisiu.

/Mirel Sheme/

Loading...