Andrew Foxall “CAPX”

Duket se ka ndodhur përsëri. Ndërsa Downing Street, ka theksuar se çështja është nën një hetim të vazhdueshëm, po bëhet gjithnjë e më e qartë se qeveria beson se një ish-spiun rus që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, është helmuar në një sulm i sponsorizuar nga Moska.
Dhe nuk është e vështirë të kuptohet se përse. Incidenti që përfshin Sergei Skripal dhe vajzën e tij, ka të gjitha shenjat dalluese të “punëve të pastra” që kryehen zakonsiht nga ana e shërbimeve ruse të inteligjencës.
Duke folur në Dhomën e Përfaqësuesve menjëhertë pas ngjarjes, Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Xhonson, e përshkroi Rusinë si një “forcë keqdashëse dhe shkatërruese” në çështjet globale, duke paralajmëruar se qeveria do të “reagonte në mënyrë të përshtatshme dhe të fuqishme”.
Më pas, Amber Rud, Ministër i Brendshëm, e quajti helmimin “një akt të tmerrshëm dhe të pamatur”, dhe theksoi se “nuk do të ketë asnjë lloj butësie në përgjigjen që Mbretëria e Bashkuar, do të ketë ndaj çdo lloj veprimtarie të huaj shtetërore në këtë vend”.
Por ky nuk ka qenë gjithmonë rasti. Reagimi i Britanisë së Madhe ndaj vrasjes së Aleksandër Litvinenkos në vitin 2006, ishte i dobët. Katër diplomatë rusë u dëbuan nga Britania e Madhe, u vendosën kufizime në rregjimin e vizave për zyrtarët rusë, dhe u pezullua ndarja e informacioneve të inteligjencësm me partnerët rusë.
Ndërkohë u vendos ngrirja e aseteve financiare ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e ish-agjentit të KGB-së, Andrei Lugovoi dhe Dimitri Kovtun, pavarësisht se asnjeri prej tyre nuk zotëronte ndonjë të tillë në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga ana tjetër, qeveritë e njëpasnjëshme, i rezistuan me forcë zhvillimit të një hetimi publik. Në vitin 2013, Tereza Mej, asokohe ministre e Brendshme, pranoi se kjo ishte nxitur nga frika e dëmtimit të marrëdhënieve diplomatike me Rusinë.
Kur një hetim publik u njoftua përfundimisht – më 22 korrik 2014 – periudha e zgjedhur ishte e dyshimtë. Ai nisni pikërisht 5 ditë pasi avioni malajzian i fluturimit MH17, ishte qëlluar në ajër mbi Ukrainën lindore nga një raketë ruse. Të gjithë 298 personat që gjendeshin në bord u vranë, duke përfshirë edhe 10 qytetarë britanikë.
Veprimet e Britanisë së Madhe ishin shumë të pakta, tejet të vanuara, dhe për më tepër u dëshmuan të pafrytshme në bindjen e qeverisë ruse për të bërë ndonjë gjë tjetër përveç vetëkënaqjes me veprimet e veta, dhe për të mohuar në mënyrë të pacipë ndonjë nga fakte e zbuluara nga Mbretëria e Bashkuar.
Rusia vrau një qytetar britanik në rrugët e Londrës, dhe lau sërish duart me ketë akt. Por bota në vitin 2018, është shumë e ndryshme nga bota në vitin 2006. Ashtu siç është edhe imazhi ndërkombëtar i Rusisë – ai tanimë shihet si një shtet gangster. Nëse provohet përfshirja ruse në helmimin e Sergei Skripal, si mund të reagojë qeveria britanike?
Ambasadori i Rusisë, Aleksandër Jakovenko, mund të dëbohet nga Britania e Madhe. Po kështu edhe spiunët e Rusisë. Vlerësimet sugjerojnë se ka më shumë se 40 të tillë, shumica e të vilëve veprojnë jashtë ambasadës së Rusisë që ndodhen në lagjen londineze Kensington.
Disa përfshihen në spiunazhin tradicional të shtetit, ndërsa të tjerët do të monitorojnë disidentët dhe oligarkët me banim në Londër, apo do të angazhohen në spiunimin industrial për përfitime komerciale të kompanive ruse. Ata që kanë bashkëpunuar me to, mund të ndiqen penalisht.
Hetimet kryesore mbi pastrimin e parave, mund të fillojnë mbi shumën e madhe të parave të pista të Rusisë, që ekzistojnë në sistemin tonë financiar. Në vitin 2006, bursa e Londrës e lejoi kompaninë shtetërore ruse të naftës “Rosneft”, të listonte aksionet e saj.
Rosneft është një nga mekanizmat e shtetit rus për pastrimin e parave nëpër bankat e huaja. Pasuritë e kompanisë u blenë nga shteti, kur Kremlini ndaloi në mënyrë të paligjshme veprimtarinë kompaninë gjigante të naftës Jukos, dhe futi në burg drejtuesin e saj, Mikhail Khodorkovski.
Mund të zbatohen në një mënyrë më të plotë proçedurat e vigjilencës, të ndërmarra nga institucionet financiare të Mbretërisë së Bashkuar. Vitin e kaluar, En+, një kompani konglomerat e prodhimit të metaleve dhe energjisë, e kontrolluar nga oligarku Oleg Deripaska, u listua në Bursën e Londrës.
Deri paska deklaroi publikisht tha se të ardhurat nga shitja e parë e aksioneve do të shkonin për të shlyer borxhin e kompanisë tek VTB, një bankë ruse me shumë lidhje politike dhe e prekur nga sanksionet perëndimore, dhe që për këtë arsye e ka të ndaluar të kryejë operacione financiare në Londër.
Urdhrat e pashpjeguara të Pasurisë, të cilat kanë hyrë në fuqi kohët e fundit, mund të përdoren kundër pasurisë ruse potencialisht të paligjshme në Britani të Madhe. Igor Shuvalov, zëvendëskryeministri i parë rus, dyshohet të ketë dy banesa në 4 Whitehall Court, vetëm 10 minuta më këmbë nga parlamenti britanik. Pasuria e përbashkët e tij dhe bashkëshortes së tij është 634.000 mijë paund, në një kohë që vetëm banesat kanë një vlerë prej 11.44 milionë paund.
Mbretëria e Bashkuar, mund të miratojë ndërkohë ligjin Magnitsky. Një ligj i tillë, i cili aktualisht konsiderohet si pjesë e sanksioneve të lidhura me Brexit dhe Ligjit kundër Pastrimit të Parave, do t’u jepte kompetenca ministrave që të ngrinin pasuritë e individëve nga Rusia (dhe gjetkë), të cilët janë fajtorë për “abuzime të rënda të të drejtave të njeriut” dhe ndalimin e tyre nga Britania.
SHBA-të miratuan një ligj të tillë në vitin 2012, dhe që atëherë Kanadaja, Estonia dhe Lituania e kanë ndjekur këtë shembull. Ka një mori përgjigjesh të tjera të mundshme, duke përfshirë vendosjen e aftësive sulmuese kibernetike.
Por çfarëdolloj veprimi që të ndërmarrë sot qeveria e Londrës, ndikimi i saj do të jetë më i madh nëse koordinon veprimet me saj me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë perëndimorë. Ky koordinim, ka të ngjarë të përqëndrohet në mbledhjen e mbështetjes ndërkombëtare, për të patur një qëndrim kundër të gjitha formave të subversionit rus – nga proçeset zgjedhore, shantazhet me furnizimet me energji, dhe deri tek propaganda dhe presioni ushtarak.
Rusia vrau Aleksandër Litvinenkon, jo vetëm për t’i dërguar një mesazh Rusëve të tjerë të cilët mund të kishin marrë parasysh idenë e dezertimit apo bashkëpunimin me shërbimet sekrete perëndimore, por gjithashtu për t’i dërguar një mesazh edhe Britanisë – se Rusia mund të bëjë atë që i pëlqen në rrugët tona. Nëse vërtetohet përfshirja e Rusisë në helmimin e Sergei Skripal, çfarë mesazhi do t’i dërgojë kryeministrja Mej Kremlinit?
Shënim: Dr. Andrew Foxall është drejtor i Qendrës së Studimeve mbi Rusinë dhe Euroazinë në The Henry Jackson Society, një think-tank mbi çështjet ndërkombëtare me bazë në Londër.
Përktheu: Alket Goce

Loading...