Todor Petrov, kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas (KBM) ka përkujtuar betejën e 18 gushtit mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së në rajonin e Radushës.

Ai përmes një postimi në facebook ka evokuar momente nga konflikti i vitit 2001, por duke dhënë edhe të dhëna kontradiktore. “18 gushti ishte beteja më e ashpër në vitin 2001 në Radushë. 70 policë dhe kufitarë në betejë heroike gjoks me gjoks me formacionin më të madh që kishte hyrë nga territori i Kosovës, arritën të shpëtojnë Shkupin dhe Maqedoninë, nga katastrofa humanitare, pasi që ruajtën burimin e ujit Rashçe”, ka shkruar Petrov, informon INA.

Sipas tij, këta 70 policë kanë qenë përballë 700 pjesëtarëve të FSK dhe luftëtarë lokalë.

“Përveç mbështetjes nga ajri me aeroplanët Suhoj, ishte përfshirë edhe artileria e ARM-së dhe me ndihmën e njësiteve speciale humbjet e palës tjetër ishin të mëdha dhe se janë vrarë nga 150 deri në 500 veta (terroristë siç shkruan autori) nga Kosova dhe Maqedonia”, ka shkruar kreu i KBM-së, i cili është i njohur me tezat e tij antishqiptare dhe për skenaret për vendosjen e kryqeve nëpër Shkup. (INA)

Loading...