Për herë të parë në kryeqytetin e Turqisë në Ankara me 25 Prill 2015 në mjediset e Qendrës Kulturore Shqiptare “Sami Frashëri” do fillonin të shqiptoheshin shkronjat e para të alfabetit shqip.

Për të mësuar pak me shumë rreth kursit ne i morëm një intervistë mësueses Olta Murataj, e cila ka kryer baçelor dhe master shkencor në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Filologjisë dega “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe” dhe aktualisht ndjek studimet doktorale në sociologji, në Universitetin e Hacettepes, Ankara.

Kur ka filluar kursi i Gjuhës Shqipe?

Nën përkujdesjen e Ambasadorit të Shqipërisë Genci Muçaj dhe atë të Kosovës Avni Spahiu, kursi i Gjuhës Shqipe në Ankara ka filluar me datë 25 Prill 2015 ku janë regjistruar njëmbëdhjetë nxënës. Pas një shkëputje të shkurtër nga periudha e verës kursi ka rifilluar ne fillim të muajit Tetor.

A ka pasur regjistrime të reja ne muajin Tetor?

Po, ka pasur datë të veçantë për ata nxënës që donin të regjistroheshin për herë të parë. Shumë nxënës erdhën te Qendra e Kulturës si për regjistrim por dhe për të marrë informacion mbi kursin.

shqip-ankara

A krijuat një grup te ri nxënësit për fillestarë?

Po, sigurisht. Krijuam dy grupe, një grup me nxënësit që kishin kaluar një nivel dhe një grup tjetër me nivel fillestar.

Sa herë në javë zhvillohet kursi?

Kursi zhvillohet dy herë në javë të martën dhe të shtunën. Të martën 90 minuta mësim dhe te shtunën 2 ore e gjysme. Nuk jam strikte në këto minuta mund te bëhen dhe me shume pasi ora kalon shume shpejt dhe këndshëm.

A mund të na flisni pak për nxënësit dhe për interesin e tyre ndaj gjuhës shqipe, a ka turq mes atyre që vinë apo vetëm nxënës me origjinë shqiptare?

Para se të fillonte kursi kisha menduar se nxënësit që do vinin do ishin shqiptarë të ardhur prej vitesh në Turqi. Por nuk ndodhi kështu. Nxënësit që vinë në kurs të gjithë e kanë një lidhje me Shqipërinë. Ne kemi nxënës me origjinë shqiptare dhe turq. Ka nga ata nxënës që kanë ardhur në Turqi në moshën 5–vjeçare dhe gjuhën shqipe e kanë të dëgjuar në shtëpi nga gjyshërit ose prindërit. Kjo kategori nxënësish vjen, ata dinë shumë fjalë por nuk ndërtojnë dot fjali. Kuptojnë por nuk shprehen dot, e duke ardhur në kurs arrijnë ti sistemojnë gramatikisht bukur ato fjalë që dinë e shumë të tjera që mësojnë.

Ka dhe nga ata që kanë lindur në Turqi dhe prindërit nuk u’a kanë mësuar gjuhën shqipe dhe vinë në kurs. Edhe kjo kategori nxënësish dinë ndonjë fjalë që u ka mbetur në mendje nga bisedat e prindërve, dhe kur në mësim kalon ndonjë fjalë që ata dinë reagimi i tyre është i tille “ah po këtë e di, n’shpi e kam dëgju”.

Ndërsa nxënësit turq vinë për dy arsye, me Shqipërinë i lidh një arsye pune që mund të planifikojë të shkojë të punojë, të tillë kam një nxënës nga grupi i parë që ka hyrë në provimin e gjuhës shqipe në Ankara, dhe e kishte kaluar me sukses gjë qe me gëzoi shume. Kështu ai do vijë për të shërbyer në Shqipëri për disa vite. Po ashtu kam pasur dhe një nxënës tjetër turk që studionte për histori dhe donte të lexonte dokumentet origjinale dhe kjo ishte arsyeja pse donte të mësonte shqipen. Rast tjetër është një vajzë turke, e cila ka vizituar Shqipërinë dhe e ka pëlqyer shumë. Është shumë e pasionuar pas gjuhës shqipe dhe do ta mësojë që të mund të përktheje letërsinë tonë këtu.

Dhe arsyeja tjetër e nxënësve turq që ndjekin kursin është për shkak të bashkëshortëve, djem turq të martuar me vajza shqiptare dhe anasjelltas. Kur unë i kam pyetur pse keni zgjedhur të mësoni gjuhen shqipe? Përgjigja e tyre është “kam nusen shqiptare” ose “kam burrin shqiptar”.

Olta sa je e lidhur ti me nxënësit?

Jam e lidhur sepse na bashkon një dëshire “gjuha shqipe”, dëshira ime për ta dhënë dhe dëshira e atyre për ta përthithur. Na bashkon Qendra e Kulturës dhe ambienti i ngrohte dhe miqësor që krijohet. Mua më lumturon shumë kur shoh kujdesin që ata tregojnë për Qendrën dhe dëshirën me të cilën vinë aty dhe dëshirën më të cilën mësojnë. Kjo më jep gjithmonë stimul dhe energji për të mos i ndjerë minutat e orës së mësimit.
Gjuha shqipe është e vështirë, mendon se nxënësit tuaj do ja dalin të bëje përkthimet nga shqipja në turqisht, siç ishte dhe rasti i asaj vajzës që lartpërmende?

Çdo gjë e re fillimisht ka vështirësinë e vet por kjo ndodh vetëm fillimisht, pasi kalon një kohë e shkurtër dhe nuk ka të bëjë më me vështirësinë por me dëshirën dhe vullnetin. Kështu që nëse asaj nuk do ti mungojnë këto dy cilësi, sigurisht që do i’a arrijë.

Dicka të fundit për ta mbyllur?

Gjithmonë për në fund lihen falënderimet. Dua te falënderoj Ambasadorin e Shqipërisë Genci Muçajdhe atë të Kosovës Avni Spahiu që krijuan mundësinë për hapjen e kursit. Po ashtu falënderoj dhe ish-kryetarin e Unionit Studentor në Ankara Indrit Seko për kontributin që ka dhënë në këtë kurs.

Falënderoj shumë nxënësit e mi që shpërblejnë punën time duke përmirësuar çdo dite gjuhen shqipe.

 

Loading...