Shaqir Islami
Ky referendum na vjen si ilaç! Po, po bash si ilaç për shërim të demokracisë sonë që lëngon si mëzati nga sëmundja e rëndë e Shapit. Përgjatë regjimit më shumë se një dekadë të Gruevskit – namqor me argatin e tij Ali-baksuzin, demokracia në shtetin tonë u shpërfytyrua dhe u shëmtua. Faktorë politik nga jashtë e emëruan sistem politik hibrid ! Ja, ja deri ku na erdhi puna. Na ishim në apati, letargji dhe Vallahi, në depresion social. Këta dy baksuzat lëre se, e shpërfytyruan demokracinë e vendit; por,e shndërruan vet shtetin gati, gati në pronë tyre, sikur ta kishin trashëguar nga gjyshërit; pra e dhjenë aq shumë sa që e bënë karikaturë. Ne heshtnim si shurdhmemecë. Shtireshim se ishim edhe qorra. Sidomos, shqiptarët kanë vuajtur më keq se në kohën e trishtuar të Rankoviçit famëkeq. Aliu me bandën e pa kurrizorëve politikë të tij heshtën si p… rresht pesëmbëdhjetë vite të kësaj orgjie-perverse politike. Turp, turp … turp.
Katil Aliu ka fat, për fajin e kalama – partive opozitare, ky idiot politik akoma i sundon shqiptarët në Maqedoni. Dhe bën propagandë për referendumin! Ndërsa, ky ishte fajtori kryesor për rrënimin e shtetit. Po nejse, qytetarët me pyetjen e referendumit marrin një dozë të mirë ilaçi për ta shëruar demokracinë e vendit tonë, të sëmurë rëndë nga një bandë kriminelësh maqedono-shqiptarë. Dhe prandaj them se referendumi vjen si infuzion për të na nxjerrë nga letargjia dhe apatia sociale që na zhytën krim-bërësit politik të lartpërmendur.
Kuptimi etimologjik i kësaj fjale latine, përafërsisht do të thotë: një propozim që i dërgohet popullit ta votojë. Referendumi është ftesë popullit, të merr pjesë në një votim të drejtpërdrejtë; pra, të vendos me votë popullore fatin e vet! Kaq lehtë! Vet pyetja është si llokum: a jeni për NATO dhe EU duke pranuar marrëveshjen mes R. së Maqedonisë dhe të R. së Greqisë ? Këtu nuk ka kurrfarë paqartësie! Cili ahmak mund të jetë kundër tyre dhe sidomos kundër një marrëveshjeje midis fqinjësh ? Çdo marrëveshje është e mirë. Vetë domethënia e fjalës tregon për përmirësim të marrëdhënieve midis dy fqinjëve mijëvjeçarë. Karshi botës nuk ka më turp se dy fqinjë të hidhëruar dhe të armiqësuar. Armiqësinë mes dy vetëve e shfrytëzon sekush. Në çdo grindje mes dy vetëve, dihet se i treti fiton. E pse ne t’i krijojmë dikujt këtë kënaqësi ?
Kjo marrëveshje, e ka përmirësuar imazhin e shtetit tonë në arenën politike ndërkombëtare. Javët e fundit Shkupi na ishte qytet politik ndërkombëtarë. Dhe normalisht që dikush e xhelozon këtë akt politik shumë të guximshëm të Zaevit. Sipas meje, Zaevin e xhelozon çdo politikan në Maqedoni ashtu dhe në rajon. Zaevi la gjurmë të thellë në historinë politike të shtetit. Lirisht mund të pensionohet nga politika. Ai bën historinë.
E tani, xhelozia është brand-virtyti i Ballkanit. E dini atë “dëshirën e komshiut,që t’i cofi komshiut tjetër lopa. Unë thotë nuk fitoj asgjë, ama ai le të humb”. Ky është Ballkani, dhe Zoti i madh na e lashtë. Edhe komshinjtë tani, veprojnë në këtë drejtim, dhe nuk gëzohen të gjithë që ne u pajtuam me fqinjët tanë Grekët; nuk gëzohen të gjithë, se ne më përfundimisht dimë ta dallojmë Shapin nga Sheqeri. Nëse deri dje, dikush na e ka futur Shapin në vend të sheqerit, 30 Shtatori është dita kur çdo qytetarë i vendit tonë do të vazhdojë dhe më tej ta hajë shapin e hidhët ose do ta hajë sheqerin e ëmbël. Kaq thjeshtë dhe kaq e qartë është puna e referendumit të Shtatorit historik. Edhe muajt tjerë e xhelozojnë muajin e Shtatorit. Por, kështu e ka horoskopi!

Loading...