Fareed Zakaria

Henri Kissinger ka bërë të ditur se gjatë jetës së tij SHBA-të kanë luftuar katër luftëra të mëdha dhe e nisën secilën prej tyre me entuziazëm të madh dhe mbështetje publike.

Por në të gjitha prej tyre amerikanët nisën të kërkonin se kur do të tërhiqeshim. Në tre nga këto luftëra  tha ai, SHBA-të i kanë tërhequr forcat e tyre në mënyrë të njëanshme.

Sot ne shohim të njëjtin entuziazëm të plotfuqishëm dhe të kuptueshëm për ta përhapur më tepër luftën kundër ISIS-it. Por le të shohim se sa të ndërgjegjshëm jemi se çdo të thotë jo vetëm ta nisësh atë, por edhe si ta mbyllësh.

Një vend ku kjo strategji ka qenë e suksesshme dhe nga ku mund të nxirren mësime është lufta ndaj Al Kaedës.

Sikurse ka vërejtur Peter Burgen te “2012-a”, një vit pas vdekjes së Osama Bin Ladenit, lidershipi i grupit u shkatërrua, burimet e tij u zhdukën dhe mëbshetja e publikut arab erdhi duke rënë.

Ata nuk arritën të ndërmerrnin sulme në territorin Perëndimor, deri në bombardimet e  Londrës, përpara 10 vjetësh.

Por nuk është dukur gjithnjë kështu. Pas 11 shtatorit zyrtarët dhe ekspertët flisnin për Al Kaedën me frikën dhe përçmimin që ata sot përdorin për ISIS. Kur SHBA-të dhe aleatët e tyre nisën ta luftonin grupin, ky i fundit frymëzoi apo ndërmori disa atentate terroriste anembanë globit.  Duke përfshirë edhe atentatin më të përgjakshëm në perëndim që pas 11 shtatorit, bombat në trenin e Madridit, që vranë 191 njerëz.

Por këto sulme nuk do të thoshin se Al Kaeda po e fitonte luftën e terrorit, po aq sa atentatet e javës së kaluar në Paris nuk do të thonë se ISIS po e fiton këtë luftë.

Në fakt, ka mundësi që ISIS-i, humbjet e territoreve të tij të brendshme, po i kompenson me sulme terroriste jashtë.

Por si mund të shpjegohet suksesi kundër Al Kaedës?

Shumë ekspertë e shohin si meritë e operacioneve të shëndetshme globale anti-terror, sidomos si shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës, ashtu sikurse edhe falë operacioneve ushtarake.

Disa të tjerë theksojnë faktin se grupi ishte i brishtë sepse nuk kishte bazë në Irak.

ISIS është ndryshe, sepse ka territore. Mposhtja e tij ushtarake nuk do të ishte e vështirë, por që të mbahet i mposhtur, dikush duhet të udhëheqë në territoret e tij, përndryshe ISIS ose individët e tjerë do të kthehen.

ISIS e gjen mbështetje te sunitët në Irak dhe Siri, që ndihen të persekutuar nga qeveritë jo-sunite në të dyja vendet. Në këtë sens, ISIS është më tepër si talebanët se sa si Al Kaeda.

Duhet të kujtojmë se Al Kaeda ishte një bandë të huajsh që ishte mysafire e talebanëve në Afganistan. Por vetë talebanët janë një grup lokal, që ka mbështetjen e komunitetit Pashtun në Afganistan dhe Pakistan. 

Dhe kjo mbështetje lokale shpjegon se përse SHBA-të nuk e kanë mposhtur pas 14 vjetësh luftë dhe dërgimit të dhjetëra mijëra trupash amerikane dhe edhe më shumë afgane.

Dhe kini parasysh se në Afganistan SHBA-të kanë një aleat të denjë në qeveri që ka një legjitimim të konsiderueshëm.

Në Siri SHBA-të nuk kanë aleatë lokalë. Kurdët janë aleatët tanë kyçë dhe duhet të bëhen edhe më të rëndësishëm në muajt në vijim, por ata janë një minoritet etnik dhe nuk mund të udhëheqin tokat arabe që mund të çlironin trupat amerikane.

Ky është problemi kryesor, mungesa e një aleati lokal, çka i bën operacionet ushtarake në terren më të vështira se në Irak, Afganistan, apo Vietnam, ku në secilin rast SHBA-të kishin një partner.

Ky nuk është rasti për t’u dëshpëruar, por duhet ushtruar një durim strategjik, sikurse tha me të drejtë Presidenti Obama.  

ISIS nuk është aspak i fortë sikurse mund të tregojë histeria e tij e momentit, ai është i rrethuar nga zona vdekjeprurëse nga të gjitha anët.

Shumë vende po luftojnë kundër tij, që nga Arabia Saudite sunite, e deri tek Irani shiit, që nga Shtetet e Bashkuara e deri te Rusia e Putinit, që nga Jordania fqinje e deri te Franca e largët.

Territoret e tij po pakësohen dhe mesazhet e tij janë jopopullore për shumicën e banorëve që jetojnë brenda territorit që kontrollon, sikurse dëshmojnë qindra mijëra refugjatët sirianë, që po largohen nga barbaria e tij.

Perëndimi ka epërsi në disa fusha kyçe: kundër-terrorizmi, inteligjenca, bombardimet ajrore,dronet dhe operacionet speciale.

Ka paratë, teknologjinë dhe njohurinë në bashkëpunimin ndërkombëtar. Dhe mund t’i zhdukte brenda disa muajsh ose vitesh.

Por nëse nën panikun e atentateve terroriste, amerikanët do të dërgonin ushtarët nëpër shkretëtirat e Sirisë, do të hynin në një arenë, ku ISIS ka epërsinë përcaktuese.

Dhe pas disa viteve të pafundme, njerëzit do të nisnin të kërkonin: Kur do të filloni të tërhiqeni?  

Loading...