Lura Pollozhani

Ideja e shqiptarëve si kategori shtet-formuese në Maqedoni gjithmonë është paksa eluzive, na ik si koncept dhe kurrë nuk është e qartë. Një element i të qënurit shtet-formues është elementi ligjor, më saktësisht kushtetues, në kuptimin e asaj nësë shqipëtarët rënditen si shtet-formues. Në këtë aspekt preambula e ndryshuar në vitin 2001 shëron paksa frikat dhe dilemat e 1991-shit duke marrë një qasje më qytetare (edhe pse jo sa do ishte dashur sipas MKO-së) ku populli shqiptar, mes tjerësh vendoset në barazi me qytetarët e popujve tjerë që jetojnë në Maqedoni. Në preambulë poashtu ekziston një referencë interesante ku do doja të kapesha në përgjigjen e pyetjes se si mund të bëhemi shtet-formues. Preambula thotë që të gjithë qytetarët e Maqedonisë, që i përkasin popujve të ndryshëm (po parafrazoj) bëhen «përgjegjës para gjeneratave të ardhshme për ruajtjen dhe zhvillimin e të gjithë asaj që është e vlefshme nga trashëgimia e pasur kulturore dhe bashkëjetesa në Maqedoni, të barabartë në të drejtat dhe obligimet e tyre për të mirën e përbashkët »(Amandamenti VI, 1 i Kushtetutës të RM). Kjo pikë është shumë e rendësishme, sepse e faktorizon qytetarin dhe limiton përgjegjësitë që ajo/ai ka drejt gjeneratave të ardhshme, drejtë bashkëjetesës dhe të mirës së përbashët. Në këtë moment gjendemi në një pikë që na vendos pikërisht përpara kësaj përgjegjësie, gjegjësisht referendumi për emrin. Dalja në votim për këtë referendum është thelbësore për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, përfshirë këtu edhe shqiptarët.

Pyesni se si mund të bëhemi shtet-formues si shqiptarë? Bëhemi shtet-formues duke formuar shtetin në praktikë, duke marrë vendime që e çojnë shtetin para apo prapa. Referendumi është një nga veglat më të fuqishme të demokracisë, e cila jo gjithmonë përdoret për mirë, por gjithësesi hap dyert për pjesëmarrje direkte në vendime të rëndësishme. Ndryshimi i emrit dhe dyert që i njejti do hapte për ardhmërinë e shtetit është një nga vendimet më kryesore ku ne si qytetarë mund të deklarohemi. Republika Veriore e Maqedonisë mund të jetë për dhjetë vjetë shumë më largë se Republika e Maqedonisë. Ne si qytetarë mund të kemi shumë më shumë mundësi dhe të jemi shumë më afër BE-së, gjë që shqiptarët e Maqedonisë gjithmonë e kanë mbështetur në numër të madh. Nëse duam të shihemi si shtet-formues, duhet të jemi të guximshëm dhe të pandalshëm në pjesëmarrjen tonë në vendimet që prekin jetët tona, dhe ky vendim ka konsekuenca për secilën familje që jeton në Maqedoni. Shteti është një organizëm shoqëror, ai formohet nga qytetarët e saj, shqiptarët janë qytetarë të Maqedonisë, prandaj është mëse e rëndësishmë që të japin mendimin dhe zërin e tyre me 30 shtator. Në kutinë e votave formohet shteti, dhe qytetari bëhet shtet-formues.

Loading...