Janusz Bugajski

Hetizimet dhe vonesat në trajtimin e problemeve në Ballkanin Perëndimor, mund të japin një ndjenjë të rreme sigurie. Pas viteve të paqes dhe progresit relativ, mund të shpërthejë një krizë e re, në kushtet kur politikanët ambiciozë nacionalistë dhe qeveritë e huaja, synojnë të provokojnë konflikte të armatosura për të fituar pushtet, apo për të zgjeruar ndikimin e tyre.

Muajt e fundit, rajoni ka dëshmuar disa zhvillime ogurzeza, duke përfshirë një përpjekje për grushti shteti në Malin e Zi më mbështetjen e Moskës, krijimin në Bosnje të një force paraushtarake të trajnuar në Rusi, dhe vrasjen e një politikani të moderuar serb në Kosovë.

Pavarësisht nëse ekziston apo një strategji e madhe pas këtyre 3 incidenteve, është e qartë se radikalët nacionalistë, si dhe operativët e Kremlinit, po përfitojnë drejtpërsëdrejti nga paqëndrueshmëria që është shkaktuar.

Në tetorin e vitit 2016, policia malazeze arrestoi disa të dyshuar, duke përfshirë ish-shefin e xhandarmërisë serbe, Bratisllav Dikiç, me akuzat e komplotimit të një grushti shteti kundër qeverisë së zgjedhur. Dëshmitë, tregojnë se ato janë financuar dhe drejtuar nga shërbimi i fshehtë ushtarak i Rusisë.

Komploti, u konfirmua nga shërbimet inteligjente perëndimore, si dhe
nga autoritetet serbe, të cilat i ofruan Malit të Zi ndihmë në arrestimin e komplotuesve. Javët e fundit, janë publikuar raporte rreth krijimit të një njësie paramilitare të quajtur “Nderi Serb” (Srbski Ponos) me urdhër të Milorad Dodik, presidentit të Republikës Srpska në Bosnjë.

Sipas analistëve vendas, njësia është trajnuar në Rusi, dhe në bazën ushtarake të Moskës në qytetin serb të Nishit. Disa nga anëtarët e saj, kanë luftuar si mercenarë përkrah separatistëve të Kremlinit në Ukrainë. Ministri i sigurimit i Bosnjës, Dragan Mektiç, anëtar i Partisë Demokratike Serbe në opozitë, konfirmoi ekzistencën e paramilitarëve, qëllimi i së cilëve është të mbrojnë entitetin serb, në rastin e një konfliktit me qeverinë qëndrore në Sarajevë.
Në një goditje tjetër ndaj stabilitetit rajonal, Oliver Ivanoviç, një politikan i shquar i serbëve në Kosovë, i cili favorizoi bisedimet me qeverinë e Prishtinës, u qëllua për vdekje jashtë selisë së partisë së tij, në të njëjtën ditë që Beogradi dhe Prishtina do të rifillonin bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Edhe pse hetuesit ende i kanë gjetur ende fajtorët, nga vrasja përfitojnë qartazi politikanët të cilët dëshirojnë që bisedimet Prishtinë-Beograd të dështojnë. Dhe në fakt, delegacioni serb u tërhoq nga diskutimet pasi u dha lajmi për vrasjen.

Për të parandaluar radikalizimin politik dhe polarizimin etnik, që mund të ndezë konfliktet e armatosura, nevojitet urgjentisht një strategji më energjike e Ballkanit Perëndimor, e udhëhequr nga Uashingtoni. Një nismë e tillë duhet të bazohet në tre shtylla:kundër-subversioni, siguria kombëtare dhe bashkëpunimi rajonal.

Kundër-subversioni, përfshin monitorimin dhe përballjen me kërcënimet e menjëhershme të sigurisë, pavarësisht nëse ajo vijnë nga paramilitarët ilegalë, celulat terroriste, organizatat kriminale apo rrjetet e financuara nga Rusia.

Mbledhja e përmirësuar e inteligjencës, efektshmëria e politikave, transparenca e bankave, reforma gjyqësore, përgjegjësia e mediave dhe eliminimi i korrupsionit politik, mund të zvogëlojë kërcënimet nën-ushtarake. Uashingtoni, mund të luajë një rol më të dukshëm në zhvillimin e një qasje gjithëpërfshirëse ndërmjet agjencive, për të ndihmuar në zbutjen e rreziqeve.

Në forcimin e sigurisë kombëtare, secili shtet duhet të futet nën “ombrellën” e NATO-s, me strukturën e saj të mbrojtjes të modernizuar sipas standardeve të aleancës. Pranimi vitin e kaluar i Malit të Zi në aleancë, është një hap i rëndësishëm në këtë proces.

Uashingtoni mund të marrë një rol udhëheqës, edhe në zhbllokimin e përparimit të Maqedonisë dhe Bosnjes drejt NATO-s, dhe ofrimin e anëtarësimit si të Serbisë ashtu edhe Kosovës në aleancë, sapo ato të krijojnë lidhje të plota dypalëshe, dhe të përfundojnë reformat e nevojshme ushtarake.
Megjithatë, edhe përfshirja e NATO-s nuk është e mjaftueshme për të garantuar sigurinë në rajon. Aleanca, duhet jo vetëm të ndihmojë çdo shtet në luftën e tij kundër subversionit të brendshëm dhe të huaj, por gjithashtu për të shmangur lëvizjet që dëmtojnë stabilitetin kombëtar.

Për shembull, përpjekjet e disa ambasadave perëndimore për të anashkaluar Milo Gjukanoviçin, figurën më të rëndësishme politike të Malit të Zi, përbëjnë një gabim strategjik dritëshkurtër. Nuk mund të supozohet, se për shkak se Mali i Zi iu bashkua NATO-s, problemet e tij të sigurisë, janë zgjidhur plotësisht.

Kremlini, së bashku me nacionalistët serbë, do të vazhdojnë të minojnë shtetin e vogël, dhe pa një udhëheqje pro-perëndimore të dëshmuar, mundësitë për destabilizim do të zgjerohen.

Shtylla e tretë e politikës, amerikane duhet të rrisë mundësitë për bashkëpunim rajonal të sigurisë, në të cilin nismat praktike do të zbusin tensionet. Kundërshtimi i terrorizmit politik dhe fetar, krimit të organizuar dhe subversionit të huaj, ofron fusha të vlefshme për bashkëpunimin ndërkufitar.

Për shembull, vrasja e Ivanoviçit mund të përmirësojë lidhjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Për shkak se destabilizimi i një shteti ka një efekt negativ mbi fqinjët, secila qeveri do të rrisë efektivitetin e saj duke punuar së bashku. Për më tepër, një bashkëpunim i tillë do të shtonte edhe kredencialet e tyre për anëtarësim në NATO dhe BE.

Në një nismë të rëndësishme të kohëve të fundit, Komiteti i Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan, urdhëroi përpilimin e një raporti nga Pentagoni, mbi ndërhyrjet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ai është veçanërisht i shqetësuar, lidhur me lidhjet mes Serbisë me Moskës në fushën e mbrojtjes, dhe se si blerja e sistemeve të reja të armëve nga ana e Beogradit, mund të ndikojë në stabilitetin rajonal.

Hetimi i kërcënimeve të ashpra dhe të buta të sigurisë, është hapi i parë në luftimin e rreziqeve dhe demonstrimin e efektivitetit të SHBA-së, në kundërshtimin e strategjisë së destabilizimit të Vladimir Putinit.

Përktheu: Alket Goce

Loading...