Opinione

Simulimi i krizës institucionale në Kosovë dhe pasojat e influencës ruse

abdulla mehmeti

Abdulla Mehmeti

Shumica e qytetarëve të Kosovës, por edhe e shqiptarëve jashtë saj, tanimë e kenë të qartë pse disa parti politike dhe koalicioni i tyre, edhe dy muaj pas përfundimit të zhgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017, e sabotojnë dhe bojkotojnë punën e Parlamentit, edhe pse sipas dispozitave kushtetuese dhe rregullativës ligjore ky koalicion i partive politike e ka humbur shansin për sigurimin e shumicës parlamentare dhe formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës, çuditërisht për mungesë të një ose dy deputetëve.

Është shumë e paqartë, e diskutueshme dhe për çdo dyshim e kritikë, pse ky koalicion mes tri partive me orientim të njëjtë ideologjik nuk merr pjesë në seancat e Parlamentit dhe me të gjitha mjetet e në të gjitha format e saboton punën për konstituimin e tij, edhe atë, me përkrahjen dhe në koordinim me ,,listën serbe” dhe grupin e deputetëve të pakicave joshqiptare në Kosovë.

Tri partitë politike të koalicionit që në këto zgjedhje kanë fituar numër më të madh të deputetëve, por jo edhe të mjaftueshëm për formimin e qeverisë së re, pretendojnë ta mbajnë edhe më tej në pushtet ,,vëllain e madh” të tyre, duke u thirrur në ekskluzivitetin e tyre mbi vlerat e Luftës çlirimtare të Kosovës 1998-1999.

E para punë që duhet ta kenë të qartë të gjithë është se, askush nuk guxon të bëjë shkelje të këtilla të Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit vetëm për shkak të mbetjes në pushtet, ose marrjes së pushtetit me çdo kusht.

Asnjë parti politike nuk guxon të jetë në vijë të njëjtë politike me synimet e ,,listës serbe”, e cila në koordinim me Beogradin zyrtar, e shfrytëzon këtë situatë ,,të volitshme” për ata, me përpjekje që t’i realizojë synimet e veta për realizimin e interesave të huaja në Kosovë, ndërkohë që edhe grupe terroriste serbe dhe ruse, sigurisht me mbështetje edhe nga brenda Kosovës, janë identifikuar dhe ndaluar në përpjekjet e tyre për inskenimin e incidenteve dhe destabilizimin e situatës në Kosovë.

Shumica e qytetarëve të Kosovës e kanë më tepër se të qartë kush duhet ta bëjë politikën dhe të udhëheqë me shtetin e Kosovës: satelitët e Beogradit zyrtar, përmes ,,listës serbe” dhe me mbështetjen logjistike të Qendrës politike-ushtarake ruse në Nish, apo forcat politike progresive shqiptare me ndihmën e aleatëve perëndimorë?

Jo rastësisht po keqpërdoret koha e pushimeve të verës, sidomos nga shërbimet e fshehta sllave dhe grupet kriminale nga provinienca të tjera, për destabilizimin e situatës dhe prishjen e paqes edhe ashtu të brishtë në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë.

Çlirimi i Kosovës dhe shpallja e Pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008 është arritja më e madhe kombëtare e qytetarëve të saj dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, gati një shekull pas shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar të përgjysmuar më 1912; si rezultat i sakrificave sublime të shumë gjeneratave, e luftës dhe gjakut të derdhur të popullit shqiptar ndër shekuj për liri dhe çlirim kombëtar, që si i tillë, shteti i Kosovës nuk mund të mbetet pakufi peng i grupimeve politike të sotme me synime të paqarta, për shkak të mosmarrëveshjeve politike ditore, aq më pak për interesa partiake, grupore dhe personale të kujtdoqoftë.

Në pamundësi të destabilizimit më të gjerë të Kosovës, për shkak të pranisë së faktorit ndërkombëtar, sidomos të SHBA dhe NATO-s, elemente të kamufluara me atdhetarizëm të rrejshëm nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse, ato hapur mundohen që Kosova sa më gjatë të mbetet ,,dele e zezë” në sytë e botës dhe ,,projekt i papërfunduar”, sipas planeve strategjike afatgjata sllave në rajon.

Askush nuk ka të drejtë që popullit të shumëvuajtur të Kosovës t’i servojë filma bardhë e zi, në kohën kur institucionet e shtetit duhet të përkushtohen me të gjitha mundësitë dhe potencialin e tyre në përmbushjen e standerdeve demokratike, konsolidimin e shtetit ligjor, ku bën pjesë edhe ndërrimi i pushtetit në rrugë demokratike, përmes zgjedhjeve të lira shumëpartiake, mbi parime të qarta të konkurrencës dhe respektimin e vullnetit të lirë të qytetarëve, sovranit i cili është pronar absolut i shtetit, e jo subjektet politike të krijuara në një periudhë kohore dhe kontekst të caktuar.

Askush nuk guxon që një ose disa subjekte politike t’i paraqesë si vlera të vetme kombëtare, duke pasur parasysh që sot Kosovës më tepër se kurrë ka nevojë për unitet, bashkëveprim të gjithë faktorëve politikë dhe jopolitikë, si dhe përgjegjësi për realizimin e interesave të përgjithshme të qytetarëve të saj.

Rrethanat në të cilat u krijua shteti i Kosovës, pas një shekull sundimi nga pushtuesit serbë e jugosllavë, askujt nuk i jepin të drejtën ta amnistojë cilindo nga subjektet politike të sotme, se në radhët e tyre nuk ka elemente destruktive, njerëz të frustruar dhe traumatizuar në rrethana të caktuara, persona të infiltruar nga shërbimet e huaja sekrete, kryesisht ato serbe dhe ruse, sidomos në mungesë të pastrimit me të kaluarën, hapjen e dosjeve dhe dënimin e krimeve nga periudha e regjimit komunist, pse jo edhe të periudhës së tranzicionit.

Situata në Kosovë është shumë herë më e komplikuar se në shtetet tjera të ish bllokut socialist, për faktin se ajo ka kaluar edhe një luftë të përgjakshme, me masakra të tmerrshme dhe mijëra viktima, me shumë njerëz fati i të cilëve ende nuk dihet, me shkelje të rënda të nderit dhe dinjitetit njerëzor dhe familjar, cënim të pronave dhe shkelje të tjera të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prandaj, si në çdo shtet demokratik të botës, edhe në Kosovë ndërrimi i pushteteve duhet të bëhet në mënyrë që qetë dhe paqesore, pa humbur asnjë ditë të vetme duke u hamendur se kush dhe me çfarë programi politik dhe ekonomik do ta qeverisë Kosovën në një mandat të ardhshëm katërvjeçar. Sovrani është ai që vendos për fatin dhe të ardhmen e Kosovës, ndërsa detyra e partive politike dhe udhëheqësve të tyre është që në mënyrë sa më të ndershme t’i realizojnë detyrimet e veta ndaj votuesve, qytetarëve të Kosovës, duke i respektuar me përgjegjësi të plotë Kushtetutën dhe ligjet e miratuara nga institucionet demokratike të shtetit.

 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top