Sipas Zaevit, qarqe pro-ruse në Maqedoni po përgatisin dhunë në prag të referendumit

Ish ambasadori amerikan në Maqedoni, Christopher Hill, përmes një kolumne autoriale ka analizuar rrezikun që i kanoset Maqedonisë nga influenca ruse në prag të referendumit të ardhshëm më 30 shtator.
“Sipas kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, Rusia ka financuar protestat antiqeveritare dhe ka shtyrë bizneset maqedonase të orientuara nga Rusia që të nxisin dhunë në prag të referendumit të 30 shtatorit”, shkruan Hill, transmeton Gazeta Lajm.
Hill më tej shton se Rusia nuk e ka mbajtur sekret dëshirën e saj për të dobësuar NATO-n. Duke kundërshtuar marrëveshjen e Prespës, ajo është duke shpresuar të pengojë Maqedoninë nga bashkimi me Aleancën.

“Më 6 Qershor, Greqia njoftoi se kishte “prova të pakundërshtueshme” se Rusia po përpiqej të minonte marrëveshjen e Prespës, duke u përpjekur të blinte zyrtarë dhe kësisoj duke ndërhyrë në çështjet e brendshme të Greqisë. Në një deklaratë të theksuar, ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias akuzoi gjithashtu Rusinë për financimin e protestave brenda Greqisë dhe deklaroi se vendi i tij nuk do të intimidohet. Greqia ka dëbuar tashmë dy diplomatë rusë, duke e shtyrë Rusinë drejt anulimit të vizitës në Athinë të ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, si dhe të deklarojë përjashtimin e diplomatëve grekë nga Moska.
Por edhe nën presion, Rusia e Putinit nuk do të pranojë se kundërshton afrimin mes Greqisë dhe Maqedonisë, dhe jo më të kërkojë falje për masat aktive të ndërmarra për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Greqisë dhe Maqedonisë”, shkruan ambasadori Hill.
Kundërshtimi i Rusisë për zgjerimin e NATO-s shpjegohet shpesh si një përpjekje për të penguar vendet që dikur ishin aleate të Bashkimit Sovjetik për t’u afruar me partnerin e ri strategjik. “Por Maqedonia nuk ka qenë asnjëherë një anëtar i Traktatit të Varshavës, dhe as nuk është veçanërisht e rëndësishme për interesat ruse”, konstaton Hill.

Loading...