Skandal/ Ministria e Arsimit, kontrata 5,3 milionë euro në katër sy me dy kompani

Televizioni Alfa ka publikuar një skandal financiar milionësh, në të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë, ka ndarë dy tenderë milionësh në katër sy, shkruan Fakte. Bëhet fjalë për blerje të librave për shkollat fillore si dhe libra të adaptuara nga jashtë vendit për vitin shkollor 2018/19.

Në kontratat e publikuara, ministri Arbër Ademi në marrëveshje të nënshkruar në katër sy, ka ndarë 3 milionë euro për kompaninë nga Shkupi “Ars Lamina” si dhe 2.3 milionë euro për kompaninë “Arbëria Design” nga Tetova. Sipas Byrosë për Furnizime Publike, MASH ka arsyetuar kontratat në katër sy për arsye teknike dhe artistike.

Të dy kontratat janë nënshkruar më 14 gusht këtë vit, ndërsa kanë hyrë në fuqi dje. Kontrata me “Ars Media” mbanë numrin 19-9384/43, ndërsa me “Arbëria Design” 19-9384/42. Për të dy kontrata ka pasur vetëm nga një ofertë dhe MASH ka vendosur të nënshkruajë kontratë me të njejtat.

Në Nenin 3 të të dy kontratave shkruan se e tërë procedura është zbatuar pa shpallje paraprake publike, ndërsa pagesa do të kryhet në dy pjesë, ashtu që gjysma e mjeteve do të paguhet jo më vonë se 30 dhjetor këtë vit, ndërsa gjysma tjetër deri më 30 maj vitin e ardhshëm./FAKTE

Loading...