Skandali i 33 hektarëve filloi nga prishja e dashurisë

Skandali i 33 hektarëve tokë në Çagllavicë, ku prokuroria pretendon se shteti është dëmtuar për miliona euro dhe akuzohen 23 persona, në thelb është nisur nga prishja e një romance.

Ajo ndodhi ndërmjet të akuzuarit Mehmet Prishtinës, si i akuzuar kryesorë dhe Serpil Aliut, punëtore në AKP, e cila, nga e dashura e Mehmet Prishtinës, u kthye në dëshmitare bashkëpunuese e prokurorisë.
Pika kulmore e tradhtisë, sipas prokurorit ndodhi në ishullin Seychelle, që ndodhet në oqeanin Indian.

Mehmet Prishtina, në nëntor të vitit 2011 ndodhej në pushime, mijëra kilometra larg Prishtinë apo Kosovës, në ishujt e Oqeanit Indian, Seychelle.

Në pushime, sipas Prokurorit të Eulexi-it, Danillo Ceccarelli, ai nuk kishte shkuar as me gruan e vet, apo me të dashurën Serpil Aliu, por me një femër krejt tjetër, veprim i cili çoi në shkatërrimin e dashurisë ndërmjet Mehmet Prishtinës dhe punonjëses së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Serpil Aliu.

Gjithashtu, ky veprim e Prishtinës, gjithnjë sipas Prokurorit të Eulexit, Danillo Ceccarelli, ndikoi në njërin prej denoncimeve më të mëdha që janë bërë në Prishtinë apo njërën prej aktakuzave më të mëdha e cila përfshin rreth 23 persona dhe ku prokurori italian pretendon së shteti është dëmtuar miliona euro.

Aktakuza kryesisht është e bazuar në rrëfimin e Serpil Aliut, e cila nga e dashura e Mehmet Prishtinës, u kthye në denoncuesen e tij dhe bashkëpunëtore e Prokurorisë së Eulexit. Prokurori italian i EULEXI-it, në përshkrimin e aktakuzës, pretendon se Mehmet Prishtina, ia lëndoi ndjenjat rëndë Serpil Aliut, duke ia shkatërruar dashurinë e marrëzishme që ajo ndjente për Prishtinën dhe dhënien fund të kësaj dashurie romantike që filloi në Prishtinë, në restorantin ‘Ragno’, në mbarim të një dite vere, rreth orës 17-18.Prokurori italian gjithashtu pretendon se Mehmet Prishtina filloi lidhjen me Serpil Aliun për shkak të pozicionit të saj në Agjencinë e Privatizimit dhe me qëllim fshehjen e vendimit të Gjykatës, ku zyrtarët e AKP do të duhej të ankoheshin.

Bëhet fjalë për rastin e 33 hektarëve tokë në Çagllavicë, ku gjykata komunale e Prishtinës, ia njeh të drejtën e pronësisë një personi që quhet Dukagjin Emerlluahu, por që prokurori i Eulexit pretendon që Mehmet Prishtina ka qëndruar mbrapa tij.

Dukagjin Emërllahu, personi që është kompensuar me 33 hektarë tokë në Çagllavicë, ka pasur kontratë me Kombinatin Bujqësorë KBI Kosova Eksport, kontratë të qiradhënies, për shfrytëzimin e tokës së marrë me qira.

Ai ka filluar të ndërtojë aty, por ndërkohë paraqiten disa pronarë serbë, të cilët pretendojnë me dokumente që gjatë privatizimit në vitin 1993, toka iu kishte kthyer atyre.

Kontrata e qiradhënies mes Dukagjin Emërllahut dhe Kombinatit Bujqësorë, ishte bërë me lejen e Administratorit Komunal Brenke, ndërkohë Dukagjin Emërllahu ushtroi padi.

Ai kishte filluar të ndërtonte dhe pretendon se investoi mbi 2 milionë euro, kur ju ndërpre puna nga familjet serbe dhe nuk mund ta shfrytëzonte tokën, për të cilën kishte kontratë.

Përfaqësuesit e Agjencisë së Privatizimit, deklaruan se nuk kanë mjete financiare për të kompensuar demin që iu kishte shkaktuar Dukagjin Emërllahut per shkak te investimit. Paditësi Emërllahu, bazuar në dëmin e shkaktuar e të konstatuar sipas ekspertizës financiare të nxjerrë në procedurë gjyqësore, ndërsa AKP është deklaruar në séance gjyqësore se nuk kanë mjete financiare për t’ia kompensuar dëmin të përcaktuar me ekspertizë financiare, meqë rasti i avokati të paditësit e ka precizuar padinë, duke kërkuar kompensim në natyrë apo tokë me tokë.

Gjykatësja e lëndës, Nexharije Hoti, caktoi tre ekspertë sipas ligjit, për vlerësimin e kompensimit tokë me tokë, ashtu siç ka kërkuar paditësi.

Investimet prej dy milionë euro nga Dukagjin Emërllahu, gjithashtu u verifikuan nga ekspertizat financiare.

Ekspertët e gjykatës konstatuan se investimet dhe vlera e tokës së marrë me qira nga ana e Dukagjin Emërllahut, që gjendeshin në fillim të lagjes së Veterrnikut, ishin të barazvlefshme me vlerën e 33 hektarëve tokë në fshatin Çagllavicë, e cila ishte tokë bujqësorë.

Pas marrjes së tre ekspertizave gjyqësore dhe mbajtjes se 12 seancave gjyqësore, ku në të gjitha seancat kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e AKP-se, e te cilët asnjëherë nuk i kane kundërshtuar ekspertizat dhe as lartësinë të cilën e ka përcaktuar eksperti financiar për demin e shkaktuar paditësit, gjykatësja Nexharie Hoti, ia njohu të drejtën e pronësisë në bazë të investimeve të bëra në parcelat të cilat kanë qenë pronë e KBI-së, e me të cilat ka administruar AKP-ja, si kundërvlerë 11.50 hektarëve të përcaktuar në bazë të bonitetit të tokës nga ana e ekspertit të agronomisë së paditësit Dukagjin Emërllahut.

Ajo, fillimisht, e kishte shpallur veten jo kompetente, duke deleguar lëndën te Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës. Kjo gjykatë e nivelit më të lartë dhe përgjegjëse për lëndët e procesit të privatizimit, e ktheu sërish lëndën në Gjykatën Komunale në Prishtinë, konkretisht te Gjykatësja Nexharie Hoti, duke theksuar se gjykata komunale është kompetente për të vendosur për çështjen në fjalë.

Pas marrjes së aktgjykimit në favor të Dukagjin Emërllahut, gjykatësja Nehxari Hoti, dha këshillën juridike që pala e pakënaqur ka të drejtë që brenda 60 ditësh të bëjë ankesë.
Pas kësaj, hyn në skenë njohja ndërmjet Mehmet Prishtinës dhe Serpil Aliut, dashuria romantike mes tyre, shqyerja dhe fshehja e vendimit të Gjykatës dhe mos ushtrimi i ankesës nga ana e zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Loading...