SKANDALI ME XHIPIN, TË MARTËN SEANCA PËR SHKARKIMIN E VELLKOVSKIT (VIDEO)

Mbledhja e ardhshme e Qeverisë në të cilën pritet që ministri i brendshëm Oliver Spasovski të propozojë shkarkimin e drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Llazo Vellkovski do të mbahet të martën e ardhshme. Informatën për Televizionin SHENJA e kumtoi zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha, i cili tha se pasi që Spasovski ta japë propozimin për shkarkim në mbledhjen qeveritare, ministrat do duhet të votojnë pro ose kundër shkarkimit.

Ministria e Punëve të Brendshme: “MPB tashmë kumtoi se Sektori për Kontroll të brendshëm dhe profesionalizëm i ka bërë të gjithë kontrollet e nevojshme dhe ka përgatitur një raport mbi gjendjen faktike. Ministri në bazë të kompetencave të tij paralajmëroi se do të propozojë shkarkimin e drejtorit të Byrosë për Siguri publike. Propozimi i ministrit Spasovski sipas procedurave do të vendoset në rend dite të seancës së ardhshme të Qeverisë. Sikurse për të gjithë vendimet e tjera, edhe për këtë Qeveria do ju informojë menjëherë sa të ketë vendim”.

Propozimi për shkarkimin e drejtorit të Byrosë për Siguri publike Llazo Vellkovski erdhi pas skandalit me makinën zyrtare të tipit Range Rover që mediat e zbuluan se po e vozitë për pushime verore në Greqi, vajza e drejtorit të Byrosë për Siguri Publike. Por u deshën disa ditë derisa MPB e shpjegoi skandalin. Sipas njoftimit zyrtar të Oliver Spasovskit, Llazo Vellkovski kokë më vete ia ka dhënë truprojen personale dhe xhipin e punës vajzës së tij, pasi që është ndjerë i kërcënuar.

Sipas arsyetimit që Vellkovski e kishte dhënë në MPB, ai kishte marrë kërcënime të vazhdueshme për jetën e tij dhe të familjes, sidomos pas ngjarjeve në Meçkin Kamen kur u festua Ilindeni kështu që e kishte lëshuar makinën e policisë së bashku me truprojen për ta shoqëruar vajzën.

Loading...