Valencia tashmë nuk është më një surprizë por një realitet i bukur i futbollit spanjoll. Los Che ndalën në një barazim 1-1 Barcelonën në stadiumin Mestalla në një ndeshje ku i shkuan shumë afër fitores por pak minuta përpara fundit u ndëshkuan nga një gol i Jordi Albas. Ishte një spektakël i vërtetë futbolli sfida e Mestallas mes dy skuadrave që kanë shfaqur formën më të mirë në këtë sezon të La Ligas. Si Valencia ashtu edhe Barcelona ruajtën pathyeshmërinë në kampionat, por skuadra e Marcelino Garcia Torral ndali hovin e fitoreve radhazi në 8-të të tilla. Barça e Ernesto Valverdes ruajti avantazhin prej 4 pikësh ndaj Valencias ndjekëse por nga ana tjetër sheh ti afrohen me 2 pikë dy skuadrat e Madridit, Reali dhe Atletico. Mund të kishte marrë një tjetër sfida nëse arbitri kryesor Villanueva nuk do të kishte bërë një gafë të rëndë në pjesën e parë kur nuk akordoi një gol mëse të rregullt Barcelonës pas goditjes së Messit dhe gabimit të Netos që i rrëshkiti topi nga duart, me topin që kaloi vijën fatale plotësisht, por kjo nuk u pa nga arbitri. Ai top dukshëm brenda vijës fatale dhe një gol i paakorduar për Lionel Messin në “Mestalla” është një detaj që dukshëm do të eklipsojë kronikën e ndeshjes dhe ndoshta do të shërbejë për të nisur një revolucion në futbollin spanjoll, ende hermetik ndaj risive teknologjike si Goal Line Technology apo sistemi VAR.

 

 

 

Në minutën e 60-të Rodrigo Moreno i asituar nga Gaya kaloi në epërsi vendasit, duke bërë që në Mestalla të shpërthente festa. Por tifozëve të Valencias u ngriu buzëqeshja në fytyrë kur në të 82-ën, Messi shpiku një asist perfekt për Jordi Albën që mposhti Neton me një goditje fluturimthi për t’i dhënë një pikë Barcelonës dhe për të ruajtur pathyeshmërinë e blaugranave në kampionat. Deri në fund të dyja skuadrat e kërkuan golin e fitores me ngulm por asnjëra nuk gjeti atë. Barazimi ndoshta ishte rezultati më i drejtë në një sfidë që prodhoi emocione pa fund dhe mbi të gjitha shumë spektakël.

Loading...