Skënderbeu-Pobeda, miqësorja e klubeve më të dënuara në histori

Ironike! Skënderbeu sfidon nesër klubin maqedonas, Pobeda e Prilepit, që ka vuajtur i pari masën drastike të UEFA-s për trukime, duke u përjashtuar për 8 vite nga kompeticionet europiane. Vendimi u mor në vitin 2009 dhe, krahas klubit maqedonas, u dënua me përjashtim përjetë nga futbolli presidenti i saj, Aleksandar Zbarcanec. Tashmë që Pobeda e ka shlyer dënimin, merr pjesë edhe në Superligën maqedonase.

Klubi korçar ka siguruar një miqësore, pikërisht me këtë skuadër dhe, si për ironi të fatit, bëhet në periudhën kur ankthi te Skënderbeu është i madh, pasi pritet që deri në dhjetor të merret vendimi i KAS-it të Lozanës nëse do të falet apo jo dënimi me 10 vite nga UEFA. “Ndeshje miqësore! Të premte, ora 17:30, në stadiumin ‘Skënderbeu’, do të zhvillohet takimi miqësor ndaj ekipit Pobeda Prilep nga Maqedonia. Për të shfrytëzuar pushimin ndërkombëtar, drejtuesit e klubit kanë programuar një test në dispozicion të trajnerit Orges Shehi për të mbajtur lojtarët në ritëm…”, citohej dje në njoftimin e klubit.

skenderbeu

ÇFARË NDODHI ME POBEDËN

Në vitin 2009, klubi maqedonas i dënua nga UEFA me tetë vite pezullim nga të gjitha kompeticionet europiane, për trukimin e një ndeshjeje kundër armenëve të Pjunik në vitin 2004. Ky takim ishte i vlefshëm për Kupën UEFA dhe përfundoi 0-3 për Pjunik. Hetimi nisi pas indiceve të ardhura nga kompanitë e basteve, ku kishte pasur luhatje të çuditshme të sasisë së parave të vendosura dhe shumës së fituar.

Në procesin e saj hetimor dhe gjyqësor, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA mori dëshmitë e delegatit, arbitrit, zyrtarëve dhe futbollistëve të të dyja skuadrave. Pas vendimit të UEFA-s, edhe federata maqedonase mori vendim për ta rrëzuar katër kategori më poshtë klubin e Pobedës. Apeli i UEFA-s la në fuqi vendimin, ndërsa në KAS pati një ndryshim. Arbitrazhi Sportiv vendosi që ta falë kapitenin Nikolçe Zdaveski, i cili gjithashtu ishte dënuar përjetë.

Loading...