Sondazhi për Maqedoninë: Mbi gjysma e qytetarëve janë “për” referendumin

Sondazhi i ri kombëtar për Maqedoninë, i zhvilluar nga Qendra për hulumtime të sondazheve e Institutit ndërkombëtar republikan (IRI) tregon rritje të nivelit të optimizmit dhe përkrahjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe Aleancën Veriatlantike (NATO) para referendumit të 30 shtatorit, njofton Portalb.mk.

Sondazhi tregon se shumica e qytetarëve të Maqedonisë janë për zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë. Gjithsej 57% “tërësisht e përkrahin” (37 përqind) ose ”deri diku e përkrahin” (20 përqind) propozimin që Maqedonia të anëtarësohet në BE dhe NATO nën emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Numri i njëjtë (57 përqind) besojnë se përfitimet e anëtarësimit e arsyetojnë pranimin e emrit të ri. Gjysma e të anketuarve (49 përqind) kanë ndërmend të votojnë për zgjidhjen e kontestit për emrit, krahasuar me 22 përqind që do të votojnë kundër ndryshimit të propozuar.

“Ashtu siç Maqedonia po i afrohet këtij referendumi të rëndësishëm, përkrahja për një zgjidhje që paraqet kompromis për kontestin për emrin që hap dyert për anëtarësim në BE dhe NATO tregon preferenca të forta për institucionet transatlantike” thotë Pol Mekarthi, ushtrues i detyrës drejtor rajonal i IRI-t për Evropë.

Përkrahja për anëtarësim në BE dhe NATO vazhdon të rritet. Numri i atyre që janë në favor të anëtarësimit të Maqedonisë në BE u rrit në 83 përqind – rritje prej gjashtë përqind në krahasim me gushtin e vitit 2017 dhe rritje prej 11 përqind në krahasim me marsin e vitit 2017. Përkrahja për NATO-n është gjithashtu e lartë me 77 përqind.

Sondazhi gjithashtu reflekton një trend të vazhdueshëm të optimizmit të rritur dhe perceptimit të stabilitetit kombëtar. Tridhjetë e shtatë përqind të të anketuarve mendojnë se vendi është duke lëvizur në drejtimin e duhur – rritje prej 10 përqind prej gushtit të vitit 2017 dhe rritje prej 23 përqind prej marsit të vitit 2017. Perceptimi i stabilitetit është gjithashtu i lartë: numri i të anketuarve që mendojnë se Maqedonia është më stabile sot se para një viti (37 përqind) tejkalon numrin e atyre që besojnë të kundërtën (25 përqind) për herë të parë në gati se nëntë vite.

Metodologjia

Ky sondazh u zhvillua për Qendrën për hulumtime të sondazheve nga GfKSkopje, firmë për hulumtim të tregut. Të dhënat janë mbledhur prej 28 qershor deri 15 korrik 2018, nëpërmjet intervistave ballë për ballë nga profesionistë të trajnuar. Mostra përbëhet nga 1100 të anketuar, të moshës 18 e më shumë. Shkalla e përgjigjes ishte 69 përqind.

Përndryshe sot duhet të vendoset se sa hapësirë mediale do të marrin partitë në kuadër të fushatës së referendumit që do të mbahet më 30 shtator, në të cilën qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”. Ndërkaq për fushatën e referendumit janë paraparë të harxhohen 80 milion denarë nga Kuvendi i Maqedonisë, dhe 400 mijë denarë nga Qeveria e Maqedonisë.

Ndërkombëtarët përkrahin referendumin, VMRO-ja pa prononcim
Në lidhje me referendumin që do të mbahet më 30 shtator, janë deklaruar edhe Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kancelarja gjermane, Angela Merkel, por jo edhe opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE. Faktori ndërkombëtar pret miratim të referendumit me qëllim të hapjes së rrugës për anëtarësim në NATO dhe BE.

Loading...