Sot, 95-vjetori i krijimit të Bibliotekës Kombëtare

Historia e Bibliotekës, nga censura drejt hapjes së informacionit

95-vjetori i krijimit të Bibliotekës Kombëtare do të kremtohet sot paradite në ambientet e këtij institucioni në prani të personazheve të njohura të kulturës dhe politikës. Gjatë kësaj ceremonie do të ndahet dhe çmimi i bibliofilisë “Lumo Skëndo”. Për të shoqëruar këtë ngjarje është menduar dhe hapja e një ekspozite të quajtur “Biblioteka e Bibliotekave”. Me një histori gati njëshekullore, Biblioteka Kombëtare është një ndër institucionet më të rëndësishme të kulturës në vend, një pikë referimi dijeje, ku çdokush që ka raporte me librin ka një histori. Por cila është historia e këtij institucioni? Ndonëse institucionet bibliotekare të shqiptarëve në shtetin e tyre janë relativisht të reja, tradita bibliotekare në Shqipëri është e vjetër. Dëshmi të shumta vërtetojnë se gjatë Mesjetës në oborret e princërve shqiptarë, si dhe të bujarëve, kontëve, etj., funksiononin kancelari në të tria gjuhët diturore të kontinentit: latinisht, greqisht, sllavisht e, pranë tyre, edhe bibliotekat përkatëse. Pozicioni gjeohistorik i shqiptarëve në zonën e kalimit nga Perëndimi në Lindje dhe anasjelltas u mundësonte atyre kontaktet librore si me Kostandinopojën, ashtu dhe me zhvillimet e “përtejdetit”. Cezura osmane qe një ndërprerje e dhunshme e këtyre zhvillimeve. Megjithëkëtë, edhe nga gati pesë shekuj sundimi osman, shqiptarët nuk e humbën traditën bibliotekare. Në kushtet e reja, ajo u përcoll kryesisht nëpërmjet bibliotekave të familjeve të mëdha, të pashallarëve e bejlerëve, por edhe atyre të institucioneve fetare: abacive benediktine, kuvendeve françeskane e jezuite, manastireve ortodokse, medreseve, teqeve të bektashinjve etj. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luftës së Parë Botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar. Në momentin e përurimit si BKSh, 1922, ajo kishte rreth 6.000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur institucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe, Sotir Kolea. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti BKSh me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës. Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi për BKSh, por dhe për kulturën kombëtare, ishte dalja më 31.05.1948 e dekretit “Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare”, sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Ky dekret i dha mundësi BKSh të kryejë rolin e qendrës arkivore të të gjitha botimeve të vendit dhe të botojë më pas Bibliografinë Kombëtare të librit shqip. Dekreti është ndryshuar e plotësuar disa herë. Botuesit detyrohen t’i dërgojnë BKSh nga 5 kopje të çdo botimi të tyre. Nga institucion në vartësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSh kaloi në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot. Ndryshimet demokratike të viteve ’90 sollën mundësi ndryshimi edhe në politikat e Bibliotekës Kombëtare. Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore, me kufizime të skajshme në sigurimin e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të literaturës, ajo kaloi në heqjen e barrierave kufizuese të kësaj natyre, duke shkuar drejt lirisë së plotë të informacionit për përdoruesit.
Koleksionet
Biblioteka numëron në fondet e veta rreth 1.176.864 materiale bibliotekare,- deri më 30 shtator 2015,- (libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera). Fondi i arkivit të botimeve shqip, i antikuarit, i dorëshkrimeve, hartave, si dhe fondi i albano-balkanologjisë përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturës kombëtare shqiptare e, si të tilla, të kulturës europiane.

Fondi i dorëshkrimeve
Ky koleksion ka 1189 vepra të dorëshkruara, kryesisht në gjuhët orientale (arabisht, osmanisht dhe persisht), shumica e të cilave janë kopjuar nga kaligrafë të specializuar në Shkodër, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Koleksioni ka qenë pjesë e bibliotekave të medreseve dhe e bibliotekave të familjeve të mëdha shqiptare siç është dhe Biblioteka e Bushatllinjve, prej të cilës numërohen rreth 150 njësi bibliotekare që mbajnë vulën e sundimtarëve të Shkodrës, Mustafa dhe Karamahmut pashë Bushatlliu. Dorëshkrimet orientale kanë përmbajtje fetare, juridike, historike, gjuhësore letrare etj. Vlen të veçohen veprat letrare të dorëshkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab, sidomos divanet. Vlerësohen posaçërisht mynsheatet ose krestomacitë dokumentare (përmbledhje letrash private dhe shkresash zyrtare), një pjesë e të cilave me të dhëna për historinë e Shqipërisë dhe të qyteteve të saj. Pjesë e këtij koleksioni janë veprat e poetëve të mëdhenj të botës orientale. Shumica e dorëshkrimeve orientale u takon shekujve XIII-XIX. Ato shquhen për miniaturat në ar dhe dekoracionet. Koleksioni përmban një numër të vogël dorëshkrimesh shqip me alfabet grek, ku veçojmë Kodikun e Beratit të shek. XVIII me pjesë këndimi, poezi fetare, fjalor greqisht-shqip me 1600 fjalë etj. Pjesë e koleksionit janë edhe disa dorëshkrime në gjuhët perëndimore, ndër të cilat me vlerë të veçantë për Shqipërinë është ditari i albanologut hungarez, Franc Nopça “Albania Notizbücher” në 6 vëllime, shkruar gjatë viteve 1905-1909, 1913 etj. Nga dorëshkrimet greqisht i rrallë dhe i rëndësishëm është kodiku për Shën Nikodhimin nga Berati, i dorëshkruar në fillim të shek. XVIII.
Fondi i albano-balkanologjisë
Në fondin e albano-balkanologjisë ruhen të gjitha botimet shqipe, si dhe ato të huaja, që flasin për Shqipërinë, shqiptarët dhe popujt e ndryshëm të Ballkanit, që trajtojnë historinë, gjuhën, folklorin, kulturën e tyre. Sot qendra e studimeve albanologjike është përqendruar në shtetin shqiptar dhe literatura bazë për këto studime ndodhet në këtë bibliotekë.

Loading...