Shkruan: Xhevdet POZHARI

Nëse mendoni se do të lexoni një tekst për burrështetasit tanë, atëherë bëni mirë të ndaloni. Qëmoti kam rreshtur së shpresuari se një ditë mund të ndodh “mrekullia” dhe ata do të shkundin pluhurin e librave në bibliotekat e tyre që më tepër shërbejnë si dekor, sesa në kënd të dijes.

Mjerisht, jetojmë në shtet që drejtohet kryesisht nga burrështetas që ta krijojnë bindjen se nuk kanë lexuar asgjë më shumë sesa abetaren dhe të cilët librat më të dashur i kanë menytë e restoranteve ku majmen në llogari të popullit. Dhe, mbase, për këtë arsye shtetet tona janë shndërruar në territore ku më lehtë gjen një vrasës me pagesë, sesa një shkrimtar të ri i cili ndjehet mirë me dhuntitë e tij rrëfyese.

Në kryeqendrën e Kosovës ku çdo ditë hapet nga një kafene e re, por ku vështirë mund të gjesh ndonjë librari apo bibliotekë, sot, në ditën e librit, datë që shënon edhe ditëvdekjen e disa prej shkrimtarëve më të mëdhenj botëror, veprat e të cilëve na motivuan ndër vite , vëmendjen ma tërhoqën librashitësit e Prishtinës.

Derisa institucionet kanë harruar qoftë edhe simbolikisht ta shënojnë “Ditën e Librit”, ndërsa sheshi i Prishtinës është vërshuar me kamera të gazetarisë që ngjarje “kulturore” i kanë dasmat dhe ndarjet e “VIP-ave”, në një kënd qëndrojnë edhe librashitësit, në mesin e tyre edhe Florimi.

Të papërtueshëm dhe me plot dashamirësi, ai dhe të tjerët mundohen që tët ndihmojnë në përzgjedhjen e librave.

Në këtë kohë të zhvillimit të hovshëm teknologjik kur njerëzit gradualisht e humbin ndjesinë e prekjes së letrës duke e zëvendësuar me ekranet e celularëve, ndërsa të rinjtë thuajse preokupim të vetëm e kanë modelin e fundit të celularit, në hyrje të sheshit të Prishtinës, janë librashitësit ata që i rezitojnë kohës dhe presin lexuesit të cilët e njohin kënaqësinë që të sjellë leximi i librit.

Por, kjo nuk ishte arsyeja pse sot ndalova të blejë libra. Ishte gjesti fisnik i Florimit që kishte vendosur të kontribuojë për librin duke vënë çmim simbolik prej 2 eurosh, për secilën vepër letrare, diçka që nuk u kujtua askush tjetër ta bëjë, e më së paku “të mbërthyerit në kravata” që udhëheqin institucionet kulturore.

Përzgjodha veprat e Anton Pashkut, tregimtarit të patejkalueshëm që letërsisë i la margaritarë të papërsëritshëm, veprat e të cilit sot i blija me një çmim simbolik, falë zemërgjerësisë së Florimit.

– A, më lejohet t’i fotografojë? , e pyeta.

– Patjetër! Tashmë të përkasin ty!, mu përgjigj.

Teksa largohesha më përshkoi një ndjenjë se me pak para bleva një thesar të tërë.

… Kamerat vazhdojnë të sillen vërdallë. Ato nuk regjistrojnë librashitësit, ata që në qetësi dhe heshtje kontribuojnë në vazhdimësinë e jetëgjatësisë së librit. Mbase ngarendin pafund pas burrështetasve me kollare, atyre që më shumë rëndësi i kushtojnë kopertinës së librit!

Loading...