Një vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 1996 ka miratuar kthimin e shtëpisë së poetit të madh Lasgush Poradeci në muze. Por pas afro njëzet vjetësh nuk është bërë asgjë për ta vënë në zbatim. Ish-Drejtori i Pallatit të Kulturës “Lasgush Poradeci” në Pogradec, Budjon Xhelo, flet për gjendjen e mjerueshme që gjendet sot shtëpia dhe bën një apel për institucionet…

Budjon Xhelo thotë se e pat njohur poetin e madh më ’81, kohë kur punonte si gazetar korrespodent në Pogradec. Me kostumin e zi që Xhelo thotë se e kish prej vitit ’41 dhe kapelën e republikës mbi krye ku i dukej edhe ndonjë vrimë nga vjetërsia. Sistemi vetëm sa nuk e mbylli pas hekurave, por e dënoi me vetmi, izolim, thuajse i varrosur për së gjalli.

“E shihni Lasgushin si është katandisur. Në mjerim. Sheh do i bëhet varri, por më vonë lapidari”, kështu kujton Xhelo se thoshte Lasgushi kur fliste me njerëzit e thjeshtë. E duket se kjo profecia e tij për fat të keq doli e vërtetë.

Qyteti i tij deri tani vetëm sa i ka ndërtuar një përmendore, ndërsa shtëpisë, tempullit të letërsisë së tij, ende nuk i kanë vlerën që ka për ta shndërruar në muze. Për këtë të fundit ekziston një Vendim i Këshillit të Ministrave me nr: 350, i datës 13 maj 1996, miratuar nga Kryeministri i asaj periudhe, Aleksandër Meksi.

Asgjë nuk është bërë nga ajo kohë, ndërsa shtëpia e Lasgush Poradecit –e cila dy vjet pas vdekjes së tij u shit nga të bijat, siç rrëfen Xhelo për shumën e katër televizorëve bardhezi “Iliria” –jep shpirt çdo ditë në gjendje të mjeruar, e tjetërsuar nga pronari i ri, e deformuar në atë çka i përngjante kullës së Lasgushit, ku gjetën frymëzim shumë piktorë dhe ndërtesat e larta nëpër rrugica ia kanë marrë frymën. “Mund ta shquash të ashtuquajturën shtëpi të Lasgush Poradecit vetëm në një kënd nga lumi”, – tregon Xhelo, i cili thotë se ky vendim është ende në fuqi dhe deri tani nuk ka dalë asnjë akt që e shfuqizon dhe askush deri më tani, ministra të qeverive të djathta a të majta në rotacionin qeverisës të këtyre 20 viteve nuk kanë bërë asgjë për ta kthyer shtëpinë e Lasgush Poradecit në shtëpi-muze.

INTERVISTA

Z.Xhelo, kur jeni njohur ju me këtë VKM?

Kam një histori të gjatë me këtë VKM. Ua kam vënë të gjithë kryetarëve të bashkisë në tavolinë, madje edhe këtij të fundit që qeverisi 12 vjet. Por është një absurd ta përmend dhe më vjen neveri se kur i thashë: “ Ja ku e kemi anën ligjore sesi mund ta shndërrojmë në muze shtëpinë e Lasgushit!” Ai e pa edhe tha: “Duhet të presim të vdesë pronari aktual i shtëpisë!”. Ishte një përgjigje mizerabël dhe këta njerëz e shpërdoruan Pogradecin. Për 12 vjet nuk patën kohë të shihnin që të mos i zihej fryma shtëpisë e të bëhej muzeu se e kishin bazën ligjore ku ta mbështesnin. Edhe dy monumentet që u bënë,e Lasgushit dhe e Mitrushit, ua sugjeruam ne, por e përuruan po ata. Sikur ishin ca princër që e kishin privatizuar qytetin. Ndërsa duhej që Lasgushin ta zbulonte Kadareja, kurse Mitrushin, Dritëroi apo një tjetër. Është mentalitet feudalësh që drejtojnë provincën, gjë që duhet të ndryshojë.

Përse emri i Lasgush Poradecit është lënë kaq në harresë?

Është një çudi, se ashtu siç u rrethua me një mallkim gjatë komunizmit, për afro 20 vjet Lasgush Poradeci, tani po vazhdon në çerek shekulli, në një kohë që duhet të gjallonte sepse ai aderoi për këtë kohë të lirisë dhe shoqëria jonë politike u sul e babëzitur dhe do të jetë në rrethin e Ferrit të Dantes ku babëzia dhe interesat vetjake shkelën mbi çdo parim dhe njerëzillëk. Qoftë majtas a djathtas u sulën për interesa vetjakë; prona, hotele, motele, etj., etj.

Kjo është harresa, nuk u interesonte Lagushi. Edhe njerëzit nuk para lexojnë, nuk ushqehen shpirtërisht. Kultura ka rënë në nivele katastrofale. Nuk ka aktivitete kulturore. Kryetarët e pushteteve vendore bëhen feudalë, shohin kontot financiare dhe nuk u intereson kultura dhe interesat publike. Le ta mbajnë kujt i takon, le të bëjnë analiza, por gjyqin e kanë në Ferr. Kjo është arsyeja pse Lasgushi dhe poezia e tij brilante nuk vlerësohet, ku figura të mëdha të kombit nuk vlerësohen, ku me të drejtë Kadareja edhe në intervistën e fundit tha: “Pse bëhet sehir Pjetër Budi e Pjetër Bogdani kur kanë qenë shkrimtarë të një niveli europian në atë kohë?”. Nuk kujtohen. Është në kuadrin e marrëzisë kolektive, të politikës, të marrëzisë për të fituar dhe harrohen vlerat. Lasgushi është një vlerë dhe shtëpia e Lasgushit ka një vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm për Pogradecin, por në plan kobtar. Shtëpia muze e Kadaresë në Gjirokastër është e paplotë me atë të Lasgushit, Sepse një pjesës të jetës Kadareja e ka në marrëdhënie me Lasgushin, e një pjesë e krijimtarisë së tij janë shkruar në marrëdhënie me Poradecin e madje në atë shtëpi. Si p.sh novela “Ikja e Shtergut” ku edhe Le Monde shkruan një artikull nën okelion “Kërcënimi i Diellit”, marrë nga kjo novelë. Te “Ftesë në studio” ku përsëri përmendet, apo te “Uragani i ndërprerë” ku Lasgushi, Mitrushi dhe të tjerë janë parë nga ky gjeni në këtë vizion. Po nuk i bëmë këto gjëra, atëherë harresa do të bjerë. Dhe brezat e ardhshëm nuk do na i falin. Unë ndoshta nuk arrita kur isha në marrëdhënie pune me zyrtarë të ndryshëm të çaja e të bëja diçka, megjithëse e kam ngritur zërin, por nuk donin të harxhonin paratë për Lasgushin, nuk kishin fitim prej tij. Por që të mos na gjykojë historia unë e ngre zërin dhe shtëpia e Lasgushit në mos sot, nesër do të bëhet muze dhe kjo VKM do të vihet në fuqi.

Pse ndodh ky fenomen kur gjëra të rëndomta fryhen? Sot dekorohet një kriminel si ai që ka torturuar At Zef Pllumin e Sami Rrepishtin dhe thonë që nuk e dinin, por gjetën këtë ligj. Ata i dinë të mirat dh të këqijat por do t’i zërë nën vete dhe do japin llogari. Këtë VKM do ta vëmë në zbatim. Do i lëvizim ku janë e ku s’janë dhe le ta mbajë në dorë këtë patate të nxehtë ministrja Mirela Kumbaro që duhet të skuqet kur ta lexojë. Siç duhet të skuqen edhe paraardhësit e saj nga çdo krah qofshin.

Po me ministren aktuale keni pasur ndonjë kontakt apo bisedë ? Duket që ajo e ka hedhur fokusin drejt objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore..

Kur ajo nuk ka ardhur në Pogradec dhe as ka kërkuar të takohet me ata që e kanë njohur Lasgush Poradecin. Kur nuk pyet kjo ministre, ku është shumë e vështirë t’i hysh deri te dera, më pret a s’më pret..?! Ata duhet të vijnë të takohen me ne. Apo vijnë vetëm për fushata elektorale. Përse e lë shtëpinë e Gjergj Fishtës në atë gjendje? Përse në rrënoja shtëpinë e Mitrush Kutelit dhe Lasgushit? E ç’është bërë? Vetëm ajo e Kadaresë dhe ajo është në korrelacion me shtëpitë e tjera të shkrimtarëve të mëdhenj.

Po qytetarët dhe qyteti i Pogradecit, a ka një zë që ngrihet për Lasgush Poradecin?

Qyteti është indiferent ndaj Lasgushit. Përse ? Sepse niveli kulturor ka rënë shumë, sepse njerëzit në përditshmëri merren me hallet e vogla të jetës, merren me budallaqet e jetës së përditshme dhe nuk merren me Lasgushin. Janë shterpë, nuk lexojnë. Një qytet me dy emra të mëdhenj të letërsisë, me natyrë brilante, sot Pogradeci është në gjendje të mjerueshme kulturore artistike e arsimore. E kujt do i bjerë ndërmend për shtëpinë e Lasgushit? Qeverisë? E ka për detyrë ministrja ta ngrejë, që të krenohemi me njerëzit e mëdhenj.

Loading...