Sot takimi i liderëve, ja kush merr pjesë?

Kryeministri Zoran Zaev ka thirrur për sot takimin e liderëve ku janë të ftuar liderët e partive politike për të diskutuar për zhvillimet aktuale që kanë të bëjnë me referendumin për emrin, KSHZ dhe çështje që ndërlidhen me procesin e integrimeve euroatlantike, pas marrjes së ftesës për në NATO dhe fillimit të procesit të përgatitjes për anëtarësim në BE, informon INA.

Në këtë takim janë ftuar kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, Ali Ahmeti i BDI-së, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami nga krahët e dy Lëvizjeve BESA, Ziadin Sela nga ASH, Menduh Thaçi nga PDSH, Liljana Popovska nga DOM, Goran Milevski nga PLD, Tito Petkovski nga PRSD dhe Lubisav Ivanov – Xingo nga PS.

Një pjesë e liderëve të këtyre partive kanë konfirmuar pjesëmarrjen, derisa nga lideri i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski ende nuk ka pasur ndonjë konfirmim.
Ky takim i liderëve për herë të parë mbahet në këtë format, ku janë të ftuar liderët e partive me më shumë se një deputet.

Kryeministri dhe lideri i LSDM, Zoran Zaev thirri takimin për sot në ora 18.00 në Klubin e deputetëve, për të gjetur zgjidhje për zhbllokimin e situatës me KSHZ, pasi që procesi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj është bllokuar nga VMRO-DPMNE. KSHZ është vendimtare pasi që do të jetë përgjegjëse për organizimin e referendumit për emrin, që është planifikuar në muajin shtator ose tetor. Megjithatë, Zaev ka lënë mundësinë që sot të gjejë kompromis me Mickoskin, për një zgjidhje koncensuale me KSHZ, në të kundërtën do të miratohet përbërja e re me 61 vota, sipas ndryshimeve të ligjit që u miratuan dje. (INA)

Loading...