Spahiu: De facto, Asociacioni është republikë

Nexhmedin Spahiu është publicist nga Mitrovica. Ai është profesor i shkencave politike dhe sheh rrezik të madh nga marrëveshjet e fundit që Kosova i ka mbërritur me Serbinë, e të cilat veçmas e prekin qytetin e tij.

Në një intervistë për “Kohën Ditore” ai vë theksin te dy nga katër marrëveshjet e firmosura gjatë muajit gusht – te Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe te ajo për rivitalizimin e urës qendrore në Mitrovicë, e cila ndodhet mbi lumin që ndan qytetin në dy komuna me shumicë etnike të ndryshme.

Tek flet për Asociacionin, Spahiu pak rëndësi i kushton asaj që shkruan në marrëveshje. Thotë se funksionimi i këtij Asociacioni e bën de fakto funksionimin e “Republika Srpskas” në Kosovë, por pa emrin “republika”. Emri “republikë”, sipas tij, mund t’i vihet më vonë – në momentin kur të vijë në rend dite që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

E tek flet për urën e Ibrit, përmend një paradoks që përmban plani për rivitalizimin e saj – hapësirën e madhe gjelbëruese, në dëm të përgjysmimit të korsive të rrugës. Me të dëmshme se këtë e vlerëson mosplanifikimin për ta ngritur xhaminë e djegur në luftë, themelet e së cilës ndodhen në brigjet veriore të Ibrit, skaj urës. Mungesa e saj thotë se do të krijojë barriera psikologjike në mes të dy pjesëve të Mitrovicës.

Në këtë intervistë Spahiu ka folur edhe për efektet e marrëveshjeve dhe nevojën për dialog. Po kështu, edhe për strukturat që Serbia vazhdon t’i mbajë në Kosovë. Ai ka argumentuar se, edhe nëse shpërbëhen formalisht, nuk do të jetë e vështirë ringjallja e këtyre strukturave.

Loading...