Oliver Spasovski, i cili me gjasë do të kthehet në postin e ministrit të punëve të brendshme, deklaroi se gjashtë deputetë kanë marrë pjesë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvend, raporton Gazeta Lajm. Sipas Spasovskit, tre deputetë u kanë mundësuar protestuesve të futen në Kuvend, kurse tre të tjera u kanë treguar vend ndodhjen e deputetëve të shumicës së re parlamentare.

Spasovski premtoi se qeveria e re reformuese e kryesuar nga LSDM-ja është e vendosur  të zbatojë  reforma në polici dhe shërbimet e sigurimit me qëllim që ajo të bëhet servis profesional, modern dhe efikas për qytetarët.

Ai shtoi se do t’i përmirësojnë kushtet për punë të të punësuarve në polici dhe shërbimet e sigurimit dhe do ta përforcojnë besimin dhe bashkëpunimin midis policisë dhe qytetarëve.

“Së bashku me profesionistët, do t’i bëjmë reformat e nevojshme përmes të cilave do të mundësojmë që policia  t’i mbron vetëm qytetarët, e jo interesat personale të dikujt , ose interesat partiake . Vetëm përmes depolitizimit dhe dekriminalizimit të policisë mund të ndërtojmë sistem të sigurt profesional dhe efikas që do ta garantojë sigurinë, stabilitetin dhe shtetin ligjor, ashtu siç jemi të vendosur  ta ndërtojmë Republikën e Maqedonisë”, theksoi Spasovski.

 

Loading...