Aktuale

Specialja heton donacionet e mediave (VIDEO)

media-1

Prokuroria Speciale Publike është duke hulumtuar raportet financiare të shumë mediave në Maqedoni. Prej të premten hulumtuesit e PSP-së i kanë kontrolluar dokumentet e kompanisë MPM, nën të cilat janë gazetat ditore “Dnevnik”, “Utrinski Vesnik” dhe “Vest”, ndërsa hetimi ka filluar edhe për punën e televizionit Kanal 5 dhe disa mediave të tjera. Nga ekipi i Katica Janevës nuk deklarojnë se për çfarë hetimi bëhet fjalë, por me siguri bëhet fjalë për kontrollime në kuadër të procedurës paraprake për donacionet e VMRO-DPMNE-së, shkruan TV Nova, përcjell Portalb.mk.

Tashmë në disa cikle zgjedhore mediat paraqiten si donatorë më të mëdhenj të partive qeveritare, reklamat e Gruevskit dhe ekipit të tij me orë janë sjellur nëpër televizione dhe radio, dhe në gazeta kanë mbizotëruar listat zgjedhore dhe programet e VMRO-DPMNE-së. Gjithë këtë, VMRO-DPMNE nuk e ka paguar, ose ka fituar lirime të mëdha në të gjitha mediat pro-qeveritare. Dhe jo vetëm kaq, por partia e Gruevskit e ka okupuar pjesën më të madhe të termineve të reklamave dhe nëse ndonjë parti tjetër do të donte të reklamohet, do të ishte e pamundur.

Nova TV i llogarit të gjitha donacionet e mediave, sipas raporteve financiare të dorëzuar në Entin shtetëror për revizion, për paratë e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe BDI-së. Ata tregojnë se në vitin 2011 partia e Gruevskit ka marrë donacione prej mediave në shumë prej 3.648.000 euro. Pastaj ajo shumë ulet në vitin 2013 gjatë kohës së zgjedhjeve lokale, kur donacionet e mediave përfshijnë 642.000 euro, që për vitin 2014 të bien në 145.000 euro. Është interesante se në vitin 2011 dhe 2013, donatorët më të mëdhenj janë TV Sitel, Kanal 5 dhe MPM, ndërsa në vitin 2014 paraqiten mediat lokale si TV Sonce, TV Edo, TV Kis Tetovë, Intell Strumicë dhe TV Tera nga Manastiri.

Konkurrencës jolojale në fushata parazgjedhore në media iu vu fundi i vitit 2015 ku një ndër kushtet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në marrëveshjen e Przhinos u ndërrua Kodi zgjedhor në pjesën e reklamave të partive. Prej atëherë mediat nuk mund të jenë donatorë të partive.

To Top