Halil_mat
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, po bëjnë lojë të dyfishtë me themelimin e Gjykatës Speciale, vetëm për t’u shitur kredibil brenda vendit dhe para ndërkombëtarëve.

Kështu është shprehur analisti Halil Matoshi, në një intervistë për zëri.info. Ai thotë se, kjo është tendencë e hapur e dy zyrtarëve të lartë të PDK-së, ministrit të Jashtëm Thaçi dhe kryekuvendarit Veseli, për të rritur pazarin e ‘kokës’ së tyre, dhe këtë po e bëjnë në një çast tepër të errët që po kalon vendi.

Ndër tjerash, publicisti Matoshi ka folur edhe për liberalizimin e vizave, imazhin që e ka skena politike e Kosovës në botë, çfare mund të jetë e ardhmja e Kosovës më këta akter të politik-bërjes…shkruan zeri.info.

Gjykata Speciale, konfirmim i sovranitetit të saj.

Zëri: z. Matoshi si e komentoni zhagitjen e votimit të amendamenteve kushtetuese nga ana e parlamentit të Kosovës, që do t’i hapnin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale?

Matoshi: Është thjeshtë lojë e dyfishtë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit (PDK-së) për t’u shitur si kredibil brenda dhe të pazëvendësueshëm jashtë. Tendencë e hapët për ta rritur pazarin “e kokës” së tyre, brenda e jashtë. Në një çast tepër të errët për ta dhe atë që e kanë prezantuar para se të vinin në pushtet.

Zëri: A mendoni se janë të vetëdijshëm deputetet e kuvendit të Kosovës për rëndësinë që e ka themelimi i Gjykatës Speciale, kur dihet që kjo kërkohet nga miqtë tanë ndërkombëtar. A po bëjnë deputet gabim historik në dëm të vendit duke mos e votuar Gjykatën?

Matoshi: Natyrisht që këtë ua kanë bërë tashmë me dije shumë individë e organizatat kryesore Perëndimore, miqët dhe aleatët e Kosovës. Por disa nga deputetët e zgjedhur nga populli i Kosovës po veprojnë sipas fabulkës së dhelpres së cilës i është kallur bishti. Kërkesa e aleatëve që Kosova ta themelojë Gjykatën Speciale për krimet e pretenduara të luftës është konfirmim i sovranitetit të saj – si subjekt i së drejtës ndërkombëtare – përndryshe, sipas Rezolutës 1244, OKB-ja së bashku me Serbinë do të krijonin një gjykatë të tillë, e cila do të kishte juridiksion mbi Kosovën. Pra, themelimi i kësaj Gjykate nga Kuvendi i Kosovës është së pari interes vital shtetëror; Së dyti, konfirmim i të qenit shtet sovran dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare realiste; Dhe, së treti, si dëshmi se Kosova nuk është një shtet i dështuar, por shtet normal, ku mbizotëron arsyeja shtetërore (Raison d’Etat) dhe shtet i cili “u jep dhëmbë” mekanizmave që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe ka ndjeshmëri për viktimat.

Me këtë sistem, Kosova nuk e meriton liberalizimin e vizave

Zëri: Liberalizimi i vizave është tjetër çështje që po preokupon më shumë kosovarët. Pse Kosova po vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë? A e meriton Kosova këtë trajtim. A janë me të vërtet kaq përpara vendet e Ballkanit krahas Kosovës?

Matoshi: Më vjen keq, por pa ndërtimin e një sistemi kredibil të drejtësisë, pa ndryshimin radikal të raportit që kanë shqiptarët e Kosovës ndaj drejtësisë (e cila mund të blihet, të negociohet, të shmanget…), pa ndalimin e korrupsionit dhe luftimin e krimit të organizuar, pa inicimin e një reforme shoqërore dhe ekonomike, që do të mundësonin krijimin e vendeve të reja të punës në mënyrë permanente, Kosova nuk e meriton liberalizimin e vizave, prandaj çdo zhurmë a mallkim ndaj vendeve Perëndimore (BE-së) tingëllon i pasinqertë dhe në lotët e krokodilit…

Zëri: Cili është imazhi i Kosovës sot në botë dhe cila mund të jetë e ardhmja e saj me këtë klasë politike?

Matoshi: Imazhi i Kosovës, kurrë nuk u ndreq, që 16 vjet pas luftës nga kjo klasë abuzuese politike. Nga një imazh i një populli të sakrificës që vuante syrgjynin dhe trenat e vdekjes – është shndërruar në një imazh të një shoqërie tribale, që nuk ia kthen shpinën një klase politike, e cila, i bishtëron vendosjes së drejtësisë dhe e cila e zhvat dhe e vjedh, ndërsa në sytë e publikut kosovar, vazhdon që të mbetët ende “shpëtimtarja”, “heroikja” etj. Kjo gjendje është për t’u vajtuar. Imazhi i Kosovës në Perëndim sot është i tillë, i zymtë, sa që i ka bërë pishman ata që e shpëtuan popullin e Kosovës jo vetëm nga tentim gjenocidi serb por e quan atë në pavarësi kombëtare! Plus tash me tendencat në rritje të islamit politik dhe me luftën e shtetit me mjete policore ndaj këtij “armiku fiktiv” për sa i përket Kosovës. Ne vetëdijshëm po i japim botës sinjale diabolike për vetën, sepse Kosova udhëhiqet nga një kakistokraci (nga qytetarët më të lig.) /Zëri/

Loading...