Opinione

Srebrenica

received_1082282355238497

NEZIR KRAKI

(Diçka përtej ngushëllimeve)

Lufta në Bosne dhe gjenocidi në Srebrenicë e kanë burimin në vitin 1945 (më sakt 1943), kur disa luftëtarë të pashkolluar dhe disa të shkolluar frikacakë menduan se ideologjia ishte materja që tash e tutje do krijonte ‘Njeriun e Ri’ jugosllav, dmth kombin e ri jugosllav.

Nga ai moment popujt e zonës jugosllave u futen kolektivisht (kush me hater e kush me zor) në iluzionin e bashkim-vllaznimit duke aspiruar në zhdukjen e identiteteve kombëtare të secilit, zhdukjen e miteve, zhdukjen e historisë, zhdukjen e arsyes për luftë dhe për vdekje. Ishte viti zero dhe inaugurimi i ‘fabrikës’ që do prodhonte njeriun pa identitet dhe pa histori u realizua me sukses.

Kështu, rreth 20 milionë individë, nën hipnozen e ideologjisë, u nisën drejt ëndrrës së kombit jugosllav, flamurin me yll në shtizë, Marshallin Tito ne zemër dhe urrejtjen të fshehur diku thellë në trup.

Çfarë marrëzie! E gjitha ishte një gënjeshtër e madhe sa vet Jugosllavia. Në çdo jugosllav kishte urrejtje për jugosllavin tjetër. Ata i mbante bashkë zori dhe terrori, as bashkimi dhe as vllaznimi.

Ata popuj asnjëherë s’e deshën njeri-tjetrin dhe çdo lidhje në mes anëtarëve të tyre, të ketë qenë ajo edhe lidhje dashurie, ishte e mbështjellë me një dozë mosbesimi dhe rreziku.

Në realitet ata e dinin se ishin pjesë e një shfaqjeje ideologjike që për skenë kishte Jugosllavinë dhe për aktorë kishte dhjetra popuj të ndryshëm që “kostumet” e shfaqjes tentonin t’i paraqisnin TE NJEJTË.

Gati 40 vite kaluan dhe ‘Njeriu jugosllav’ nuk doli nga prodhimi. Prototipet testuese nuk arriten të konfirmohen në terren dhe kur ideatori i këtij spektakli vdiq, vdiq edhe materja që shërbente për t’i fabrikuar.

Tito shkoi pa iu treguar 20 milion jugosllavëve se projekti i tij ishte veç test, test i dështuar. Me vdekjen e tij, dmth. me mbarimin e shfaqjes, urrejtja që çdo jugosllav e kishte në trup u bë më e fortë se ylli i flamurit. As fotografia e Titos dhe stafeta e tij s’arriten ta ndalnin vlimin e urrejtjes.

Kjo urrejtje pastaj, me rrethanat që veç dihen, u bë shkas i shfaqjeve tragjike në Kroaci dhe në Bosne e më vonë edhe në Kosovë. Dhe, krejt sqarueshëm, barbaria shfarosëse që ndodhi në Srebrenicë ishte në përmasat e urrejtjes që ishte akumuluar për gati 55 vite në mendjet dhe trupat e ‘jugosllavëve të vllaznuar’ të fabrikës ideologjike, të cilët sikur e kishin pritur me padurim ‘rikthimin’ në gjendjen e parë.

Gënjeshtra kolektive është gjëja më e tmerrshme që mund t’i ndodhë një populli. Sa keq që edhe sot ka shumë popuj që jetojnë në gënjeshtra, edhe më keq kur njëri ndër ta ende mbetet populli serb.

Nezir Kraki, ligjërues i shk. politike në Paris.
13 korrik 2017

To Top