Srecko Katanec, trajner i ri i kombëtares së Irakut

Do të jetë slloveni i famshëm Srecko Katanec trajneri i ri i kombëtares së Irakut. 55-vjeçari, i cili ka bërë historinë e Sllovenisë si trajner, përveçse ka pasur një karrierë fantastike si futbollist, është prezantuar të dielën e shkuar në Bagdad, duke firmosur një kontratë 3-vjeçare, ndaj e cila do të përfitojë rreth 1 milion euro në vit në total, shifër që do të mbulojë edhe 4 anëtarët e stafit të tij, që i ka zgjedhur vetë.

“Nuk kam shkopin magjik, na duhet kohë për të përparuar”, paralajmëroi në konferencën e prezantimit trajneri i njohur.

“Kupa e Azisë do të jetë një hap para kualifikueseve për Kupën e Botës. Nuk premtoj që do të fitojmë Kupën e Azisë, sepse synimi im kryesor është kualifikimi për në Botërorin 2022”.

Katanec ishte trajner i Sllovenisë në Kupën e Botës 2002, ndërsa drejtoi edhe Maqedoninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, para se të rimerrte Slloveninë në vitin 2013, duke e drejtuar deri në 2017, kur dha dorëheqjen për shkak se nuk u kualifikua për në Kupën e Botës.

Testi i parë për Katanec në stolin e Irakut do të jetë më 10 shtator, kundër Kuvajtit, në një ndeshje miqësore. Iraku, që ka marrë pjesë në Kupën e Botës 1986, bisedoi me Sven-Göran Eriksson muajt e fundit, por kur marrëveshja u duk pranë, suedezi refuzoi, duke preferuar të presë ndonjë ofertë më komode nga Europa.

Loading...