Disa qindra shqiptarë që jetojnë në New York, morën pjesë të dielën në ceremoninë e inaugurimit të një statuje kushtuar Nënë Terezës, një nga figurat më ikonike të shekullit XX, e cila do të qëndrojë nga sot, “Dita e madhe e shenjtërimit të saj”, në Battery Park në Manhattan.

Trëndafilë të bardhë kishin rrethuar shtatoren e bamirëses shqiptare e cila u shenjtërua këtë të diele në Vatikan nga Papa Françesku.

Interpretimi i himnit tonë kombëtar dhe Himnit kushtuar Nënë Terezës interpretuar nga sopranoja Inva Mula, e vendosur me këtë rast, ishin momente solemne të kësaj ceremonie në Battery Park, një park prej 10 hektarësh në pikën jugore të NY, përballë portit të qytetit botëror.

Aktiviteti i organizuar dhe mbështetur nga Asambleisti i shtetit të New Yorkut, Mark Gjonaj, u përshfaq me një mori aktivitetesh të shumëllojta, interpretime të shumë këngëve dhe valleve shqiptare nga grupi Rozafati me drejtuese Angjelina Nika, sfilata me kostume tradicionale shqiptare, nën drejtimin e etnografes së njohur Bora Balaj.

I gjithë programi e kishte drejtor artistin, Raif Hyseni dhe drejtor artistik Fadil Berishën.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të lartë të komunitetit shqiptar, shqiptarë me banim në NY, organizata të shumta jo qeveritare, shoqata që punojnë dhe veprojnë në New York, të gjithë së bashku në emër të dashurisë dhe përkushtimit që dëshmoi Nënë Tereza gjatë jetës së saj.

“Ne kemi qenë shumë me fat që kemi një Nënë Terezë me prejardhje shqiptare… Ky është momenti që komuniteti shqiptar të tregojë se çfarë arriti të bënte një individ, me mjete modeste. Është shembull i një jete me synime të larta, i një jete që sjell ndryshime”, citohet të jetë shprehur Mark Gjonaj mbi këtë aktivitet.

Statuja e shenjtores është sponsorizuar nga Mark Gjonaj dhe ajo është punuar e gjitha në bronz.

Loading...