Brenda pak javësh do të keni një referendum në të cilin do të vendosni për të ardhmen, për anëtarësimin tuaj në BE dhe në NATO. Ju do të vendosni nëse doni të votoni dhe të shprehni mendimin, ndërsa NATO-ja është gati t’ju pranojë si shtetin e 30-të anëtar, deklaroi sot sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg gjatë vizitës së tij në fshatin Stajkovc të Shkupit, i cili para dy vitesh u prek nga përmbytjet.

Ai vuri në dukje se në samitin në korrik, të gjithë anëtarët e Aleancës ranë dakord që Maqedonia të bëhet anëtare dhe të fillojë negociatat e pranimit.
“Nëse e implementoni marrëveshjen e emrit, ju do të bëheni shtet anëtar i NATO-s. Shpresoj që herën tjetër që do të vij këtu, do të vij si në një vend-anëtar i Aleancës”, tha Stoltenberg.

Ai tha se është i lumtur që sot po viziton Stajkovcin, duke theksuar ndihmën që trupat e NATO-s u dhanë qytetarëve dy vjet më parë gjatë përmbytjeve dhe theksoi se Aleanca do të vazhdojë të jetë këtu për të ofruar ndihmë kur është e nevojshme.

“NATO është më shumë se një aleancë ushtarake, këtu jemi për të ofruar ndihmë, për t’i bërë njerëzit të ndjehen të sigurt “, shtoi Stoltenberg.
Kryetari i bashkisë së Gazi Babës, Boris Georgievski, i cili kishte një takim me Stoltenberg, tha se NATO ka qenë gjithmonë një partner i Maqedonisë dhe se është i sigurt se vendi do të bëhet anëtari i 30-të i NATO-s.

Ai e falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm për ndihmën e tyre bujare dhe profesionale gjatë përmbytjeve dy vjet më parë, në kohën kur qytetarët kaluan momente shumë të vështira.

Loading...