Stoltenberg për Maqedoninë: E ardhmja juaj është në duart tuaja

Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg në një shkrim për gazetën Koha në Maqedoni ka shkruar opinion për sfidat e vendit për të ardhmen, pas marrjes së ftesës për të nisur bisedimet, shkruan Telegrafi Maqedoni. “Herë pas herë, ju keni treguar guxim për të ndërtuar rrugën tuaj drejt paqes, sigurisë dhe pavarësisë, pavarësisht sa e vështirë ose sfiduese ka mund të jetë. Në vitin 2001, ju dhe udhëheqësit tuaj politikë dëshmuat se ka patur një alternativë për shabllonin e Ballkanit të luftës dhe shkatërrimit. Me mbështetjen e NATO-s dhe të komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë edhe përmes implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, ju zgjodhët unitetin kombëtar kundrejt shkatërrimit kombëtar.”

“Që atëherë, ju keni punuar pa pushim për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të ndërtuar ura me fqinjët, duke përfshirë edhe Traktatin historik të Miqësisë me Bullgarinë. Marrëveshja historike me Greqinë për çështjen e emrit e ka hapur tashmë mundësinë e përparimit drejt integrimit transatlantik, duke përfshirë edhe anëtarësimin e plotë në NATO.”

“Anëtarësimi në NATO do t’i japë vendit tuaj një zë të barabartë në diskutimet tona, një votë të barabartë në vendimet tona dhe sigurinë që vjen nga të qenit pjesë e aleancës më të suksesshme ushtarake në botë. Kjo do të thotë që ka njëzetenëntë vende të tjera të zotuara për t’ju mbrojtur ju dhe sovranitetin tuaj kombëtar kundër çdo agresori” ka shkruar Stoltenberg në shkrimin “Një hap i madh drejt një të ardhme më të ndritshme”.

Loading...