Superkupa e Europës, Talini “ndez dritat” për derbin madrilen

Talini i Estonisë është gati për të pritur një nga ndeshjet “derby” më prestigjioze të historisë së Superkupës së Europës.

Në fushë do të zbresin Reali i Madridit, fitues në fuqi i Championsit, por pa Zidane në pankinë dhe pa yllin Cristiano Ronaldo; si dhe Atletico Madrid, fitues në fuqi i Europa League; dy skuadra që sfidohen për herë të parë në këtë kompeticion.

“Los Blancos”, të cilët vijnë edhe si kampionë në fuqi të Superkupës së Europës, nëse do t’ia dalin mbanë të ngrejnë trofeun në Talin do të barazonin sukseset e Milanit dhe Barcelonës. Ndërkohë, “Los Colchoneros” do të kërkojnë hakmarrjen, pas zhgënjimeve europiane në Champions kundër Realit në sezonet e fundit.

Numërimi mbrapsht i orëve ka nisur dhe po shkon drejt fundit. Reali do të drejtohet nga pankina nga një tjetër emër, ish-tekniku i Spanjës Julen Lopetegui, ndërsa tek Atletico vijon “mbretërimin” e tij Simeone.

Edhe pse nuk janë sfiduar asnjëherë në një Superkupë të Europës, kjo do të jetë ndeshja e 10 mes tyre në kompeticionet europiane.

Lopetegui ka grumbulluar edhe kroatin Modriç, pavarësisht zërave të merkatos që e shohin larg Madridit me destinacion Milanon, tek ekipi zikaltër. Kjo sfidë do të shënojë gjithashtu edhe një përplasje mes Griezmannit, i saposhpallur kampion bote me Francën, si dhe Benzema, i cili nuk u grumbullua për Botërorin e Rusisë./Top Channel

Loading...