Rreth librit  të ri “Lidhja Kosovare në SHBA dhe Jusuf Azemi – dokumente sekrete jugosllave (1971-1990)”, përgatitur për botim nga Qerim Lita, dhe botuar nga SHB “Vatra” – Shkup

Shkruan: Sevdail DEMIRI

Në rrethanat e reja të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, me triumfin e komunizimit, shumë figura të shquara shqiptare u detyruan që të largohen nga vendi, dhe veprimtarinë e tyre atdhetare ta vazhdojnë në emigracion. Në shtetet perëndimore gjetën mundësinë më të mirë për t’u organizuar politikisht dhe për të themeluar organizata, që për qëllim kishin përmbysjen e sistemeve komuniste dhe krijimin e një tërësie etnike shqiptare në Ballkan. Në mesin e këtyre organizimeve mjaft aktive të kohës, bën pjesë edhe Lidhja Kosovare në SHBA, e cila vazhdimisht ishte nën survejimin e operativës shtetërore jugosllave.

Lidhja Kosovare luajti një rol shumë të rëndësishëm dhe aktiv për mobilizimin e mërgatës shqiptare, në solidarizimin me problemet kombëtare të shqptarëve nën ish-Jugosllavi.

Dokumentet sekrete jugosllave, që gjenden brenda kopertinave të këtij libri, flasin pikërisht për këtë involvim të mërgatës shqiptare në ngjarjet në atdhe, gjatë periudhës së viteve 1971-1990.

Konkretisht, në këtë libër gjenden gjithsej 160 dokumente sekrete jugosllave, si raporte, informata, vështrime, telegrame, shkresa zyrtare, plane operative, elaborate etj, përmes së cilave zbardhet veprimtaria e organizatës kombëtare Lidhjes Kosovare si dhe e kreut të saj.

Hafëz Jusuf Azemi, një nga udhëheqësit kryesor të Lidhjes Kosovare dhe i Ballit Kombëtar në SHBA, është figura qendrore e këtij libri. Ai që nga rinia e tij e hershme, e deri në këto vitet e fundit, ku sivjet ka hyrë në 90 vitet e jetës së tij, për asnjë çast nuk ndal së vepruari për çështjen e pazgjidhur shqiptare.

Hafëz Jusuf Azemin kisha nderin që disa herë ta takoj në këto 10-15 vitet e fundit.

Me një memorie të palëkundur, në hollësi na i rëfente tmerret e kaluara në ferrin komunist të Monopolit të Tetovës (Nëntor 1944), atëherë si 22 vjeçar, pastaj mundimet për shpëtimin e jetës drejt Greqisë e Italisë, ku do të ketë fatin të takojë udhëheqësinë më të lartë të Ballit Kombëtar, me në krye Mit’hat Frashërin.

Pas kampeve të përqëndrimit në Greqi, Itali e Siri, ai arriti të vendoset në SHBA, ku do ta kalojë pjesën më të madhe të jetës së tij në shërbim të atdheut, që kishte mbetur i coptuar në disa pjesë. Ai në Amerikë me shokët e vetë e formoi Komitetin e Ballit dhe Lidhjen Kosovare, si dhe zhvilloi një aktivitet vetëmohues në drejtim të senzibilizimit të çështjes shqiptare.

12299488_916313428446863_1550428645_o

Për 60 vjet me radhë, Jusuf Azemi mori pjesë aktive në organizimin e qindra demonstratave, protestave, peticioneve, simpoziumeve, takimeve me diplomatë dhe kongresmenë të huaj, për të alarmuar padrejtësitë që bëheshin ndaj shqiptarëve nga pushteti jugosllav i kohës. Pas disa dekadave të gjata e të mundimshme jetë dhe veprimtari të bujshme në mërgim, Jusufi vendlindjen për herë të parë e pa në vitet e 90-ta, kur përfundimisht ra regjimi komunist. Ai thoshte se amerikanët janë aleatë të vërtetë të shqiptarëve, pavarësisht nëse janë të krahut demokrat apo republikan. Ka mbajtur raporte të mira me senatorë të shumtë amerikanë, dhe ka pasur takime të rëndësishme me personalitete të mëdha të jetës politike amerikane, si ish-kryetarin e SHBA-ve Xhorxh Bush (Plakun), ish-sekretarin e shtetit amerikan Henri Kisinxher, e të tjerë. Siç do të shohim, shumica nga këto takime janë edhe pjesë e interesimit dhe shqetësimit të oficerëve të sigurimit shtetëror jugosllav.

Këta të fundit, përmes informatorëve të tyre të shumtë, kanë përcjellë çdo lëvizje dhe çdo aktivitet të Lidhjes Kosovare dhe Jusuf Azemit, për ta neutralizuar veprimin e tij.

Përpos Jusuf Azemit, në këto dokumente sekrete jugosllave, do të hasim edhe në dhjetra e qindra emra të tjerë, të vërtetë apo pseudonime, që lidhen me këto veprime të nacionalizmës shqiptare, në harkun kohor 1971-1990.

Me botimin e këtyre dokumenteve për Lidhjen Kosovare në SHBA dhe Jusuf Azemin, krijojmë një pasqyrë më të plotë të veprimtarisë atdhetare të shumë personaliteteve të shquara, të cilat për një arsye apo tjetër, nuk janë shpërfaqur nëpër qarqet tona shkencore dhe publike.

Studiuesi Qerim Lita, ka bërë një punë të mirëfilltë shkencore me publikimin e këtyre dokumenteve, të cilat më pastaj do të mund të shërbejnë si një lëndë e parë për zhvillimin e shumë temave dhe dilemave shkencore historike te ne.

Për këtë, përgëzojmë z.Litën, sikurse edhe botuesin Halil Zendeli, që historiografisë shqiptare i ofruan një botim të tillë.

Loading...