Në organizim të OJQ “CIVIL”, në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit, është mbajtur takim publik me autoritetet lokale, sektorin civil dhe me qytetarë në kuadër të fushatës “Veprim-Integrim” që ka për qëllim promovimin e vlerave evropiane dhe të iniciativave të gjelbra.

Përpjekjet e Komunës së Gostivarit në këto fusha, para të pranishmëve i prezantoi kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari.

“Si komunë kemi bërë një sërë aktivitetesh në kuadër të kompetencave tonë dhe mundësive që na i lejon buxheti komunal. Kemi pasur aksione dhe projekte për gjelbërimin e qytetit, pastrimin e e deponive të egra dhe gjelbërimin e të njëjtave. Planifikojmë të vëmë në funksion transport publik me minibusë me energji elektrike. Angazhohemi për zgjidhje përfundimtare të problemit me deponinë rajonale Rusino. Do të promovojmë shfrytëzimin minimal të makinave, respektivisht përdorim sa më masovik të biçikletave, ku planifikojmë në vjeshtë të shpallim tender për studim fizibiliteti. Të gjitha këto me qëllim që të ruajmë mjedisin jetësor, të kemi ajër sa më pak të ndotur, si dhe shumë komponente tjera ekologjike për të cilat vendet perëndimore shumë investojnë, ndërsa ne si shtet investojmë shumë pak. Ne si Komunë që ka obstruksione nga pushteti qendror përpiqemi që me vet buxhetin modest të komunës të iniciojmë disa punë që mund t’i bëjmë dhe janë për të mirën e qytetarëve të komunës së Gostivarit”, theksoi Taravari.

Xhabir Deralla nga organizata “Civil” falënderoi kryetarin e komunës së Gostivarit për bashkëpunimin e vazhdueshëm me organizatën të cilën ai përfaqëson, si dhe për qasjen e tij korrekte ndaj sektorit civil në përgjithësi.

“Këto iniciativa të cilat i ka ndërmarrë dhe planifikon t’i realizojë Komuna e Gostivarit janë gjëra iniciativa të cilat në Evropë dhe në botën e zhvilluar konsiderohen si punë të mëdha. Unë kam shprehur keqardhjen njëlloj si shumë miq të mijë për atë që doktor Taravari braktisi postin e ministrit të shëndetësisë ku u tregua mjaft i suksesshëm, por tani që shoh se ai shënon rezultate të njëpasnjëshme si kryetar komune, më vjen mirë që përzgjodhi këtë post dhe arrin që edhe krahas asaj që është një kryetar i cili vjen nga radhët e opozitës, kontribuon shumë për qytetarët e Gostivarit”, potencoi Deralla.

Në pyetjen e të pranishmëve se çka ndërmerr Komuna e Gostivarit për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, kryetari Taravari u përgjigj se në rrjedhë është ndërtimi i një stacionari për trajtim të qenve endacak, me çka Gostivari do të jetë qyteti i parë në Maqedoni i cili do ta ketë zgjidhur në mënyrë adekuate këtë problem të kamotshëm.

Loading...