Bashkimi Demokratik për Integrim po vazhdon taktizimet dhe lojërat politike. Derisa vazhdojnë taktizimet afati i Prokurorisë Speciale Publike po kalon, afër janë edhe zgjedhjet lokale. Partitë e reja vlerësojnë se BDI po ikë nga PSP, ndërkaq analistët janë të ndarë sa i përket asaj se çfarë do të përfitojë e të kamuflojë BDI.

Sipas nënkryetarit të Lëvizjes Besa Zeqirija Ibrahimi, BDI momentalisht nuk është duke mbrojtur politika, por po mbron persona nga burgu, kurse në anën tjetër shtiren kinse e mbështesin PSP-në. Nga këndvështrimi i Ibrahimit te BDI është e mundur gjithçka!

“Lidershipi i saj nuk e ka hallin as të Qeverisë, madje as të BDI-së, por e ka hallin e kokës së tyre. Derisa ata i frikësohen Prokurorisë Speciale, ndonëse shtiren se e mbështesin, është krejt e qartë se BDI-ja nuk mbron më politika, por mbron persona nga burgu. Prandaj çdo veprim i saj, edhe shtyrja e formimit të qeverisë deri pas zgjedhjeve lokale, e ka vetëm këtë motiv – ta ngadalësojë rënien e saj. Por, a do të bie me parashutë, si në këtë mënyrë, ose do të bie në mënyrë të menjëhershme, ky është vetëm dallim në nuanca. Sepse përplasja me tokën nuk i ikë dot”, deklaroi për Lajm nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi.

Ndryshe, nga LR-PDSH  nuk dëshirojnë të paragjykojmë veprimet politike të një subjekti tjetër politik.

“Qëndrimi jonë është i njohur tani më. Ne mendojmë se elitat politike maqedonase duhet të krijojnë klimë sa më të përshtatshme në opinionin publik maqedonas që Platforma e shqiptarëve për barazi të plotë është në të mirë të vendit dhe në kuadër të rekomandimeve të BE-së. Gjithashtu, vlerësojmë se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja sepse sapo kemi përfunduar një cikël zgjedhor, ku sovrani qartë pasqyroi përcaktimin për ndryshime dhe barazi”, deklaroi për Lajm Elmir Sejfullai, zëdhënës i Lëvizjes për Reforma në PDSH.

Xhenur Iseni politolog, mendon se VMRO-DPMNE dhe BDI po taktizojnë dhe se janë duke u koordinuar mes veti si asnjëherë më parë.

“Nuk mendoj që BDI po vonon formimin e qeverisë me qëllim shtyrjen e afatit për zgjedhjet lokale. Mendoj se tani BDI është në koordinim perfekt me VMRO-DPMNE-në për këtë situatë të krijuar dhe vonimin e formimit të qeverisë me të vetmin qëllim që mos të ia vazhdojnë mandatin e PSP-së.  Ndërsa që tani 3 nënkryetarët e BDI-së kanë filluar fushatën për zgjedhjet lokale kur publikisht po deklarohen kundër qeverisë me VMRO-në, por kjo nuk do të thotë që qëllimi është të shtyjë afatin për zgjedhjet lokale, por thjeshtë mos të ia vazhdojnë mandatin PSP-së dhe të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, gjë për të cilën duket se janë marrë vesh me VMRO-në”, theksoi gazetari Xhenur Iseni për gazetën Lajm

Azbi Nuredini për redaksinë tonë thotë se, me vonimin e formimit të qeverisë BDI po i vonon shqiptarët në gjithçka që është interes i shqiptarëve në këtë shtet.

“Normalizimi i jetës institucionale në këtë shtet është imperativ dhe përcaktim i vetëm i shqiptarëve,sepse ne si popull kemi qartësuar rrugën tonë, e ajo është integrimi i plotë i Maqedonisë ne BE dhe ne NATO. Me vonimin e konstituimit të qeverisë BDI vonon integrimin e shtetit në NATO dhe në BE, kjo është qartë kundër interesit shqiptar. Duke kalkuluar me drejtësinë për shpëtimin e kokave të disa funksionarëve të korruptuar dhe të kriminalizuar BDI po bën viktimë gjithë Shqiptarët dhe gjithë qytetarët e Maqedonisë, duke vendosur kështu në pikëpyetje edhe mbajtjen e rregullt të zgjedhjeve lokale që duheshe te mbahen ne Mars të këtij viti, por shkaku i krizës politike me vendim të parlamentit,ku u miratua ligj i posaçëm u shtyn për në Maj të këtij viti, dhe tash është e qartë se as kjo kohë e caktuar nuk i përgjigjet BDI-së sepse do ti humb zgjedhjet në se mbahen në datën e përcaktuar me 7 Maj, dhe kjo do të shënonte edhe fundin e kësaj strukture politike të kriminalizuar deri në palcë”, deklaroi Nuredini për Lajm

Nuredini porositë Ali Ahmetin, që menjëherë të çlirohet nga “HUNJT” e gardhit që i janë kalbur në ujin e korrupsionit dhe krimit të pushtetit,sepse vetëm kështu do te mund të shpëtoj veten edhe shqiptarët”, përfundoi deklaratën e tij Azbi Nuredini.

Loading...