Përshëndetje të nderuar bashkëqytetarë,
Sot u bën 100 ditë që kam filluar deryrën e Kryetarit të Komunës së Gostivarit dhe tani do ju raportoj për çfarë unë dhe ekipi imi kemi bërë në këtë periudhë.
1. Kemi marrë përsipër hartimin e strategjive për shlyerje të borxhit të trashëguar nga administrata paraardhëse.
2. Kemi nisur hapa të rëndësishëm për marrëdhënie bileterale me shtete të cilët janë gati të investojnë në Gostivar.
3. Kemi realizuar për herë të parë zgjedhjen e kuadrove duke u bazuar në mendimin kolektiv të bashkëpunëtorëve të tyre.
4. Megjithëse e vështirë por jemi Adminstrata që ka realizuar më pak punësime politike se të gjithë administratat e tjera duke dhënë kështu mesazhin e fortë të depolitizimit të emërimeve.
5. Kemi krijuar një zyrë të veçantë për të gjithë mërgimtarët e cila si asnjëherë tjetër ka qenë vetëm në dispozicion të tyre.
6. Kemi krijuar Transparencë 100% duke mundësuar më në fund që çdo qytetar të jetë në dijeni të gjithë veprimeve financiare që kryen Komuna.
7. Kemi shkurtuar në mënyrë të ndjeshme fondet për shpenzime ekstra të Kryetarit të Komunës dhe funksionarëve të tjerë, duke dhënë shembull personal të kursimit të parave për t’i shpenzuar për çështje më akute dhe të ndjeshme.
8. Kemi rritur besueshmërinë në insitucionin e Komunës duke e kthyer në një vend që tashmë qytetarët kanë besim.
9. Kemi hedhur hapat e një politike të favorshme financiare për të lehtësuar biznesin lokal.
10. Kemi nisur reklamimin e Gostivarit në botë duke u bërë qyteti i parë në Maqedoni që në 100 ditët e para po bëhet gati të ketë Gift Shop-in e tij.
Këto pika që ju rreshtova janë ato më të rëndësishmet, kanë qënë punë të cilat kanë marrë nga 10-12 orë punë ditore për ekipin tonë ndaj i falenderoj për vullnetin e dëshirën e tyre të gjithë anëtarët e ekipit tim, ata të rinj dhe ata që gjeta. Kemi pasur gabime? Sigurisht që po, askush nuk është i pagabueshëm, por asnjë prej këtyre gabimeve nuk ka qënë i ndërgjegjshëm dhe falë Zotit pa asnjë pasojë kolektive!
Të jeni të bindur që çdokush që punon në Komunë me mua të parin do duhet të liroj vendin e punës në momentin që evidentohen shkelje të rregullave ligjore me pasoja në popull!
Dua të përmend që gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur obstruksione të pandershme e pamoralshme nga një qytetar që nuk ia artikuloj më emrin, por i cili për fat të mirë po braktiset dhe nga miqtë e tij më të afërt!
Gjithsesi i përket të shkuarës dhe drejtësisë rasti i tij.
Të jeni të gjithë të bindur që ne do vazhdojmë punën tonë, me disiplinë, vetmohim dhe përkushtim.
Politika ime jeni ju, është mirëqënia juaj e përditshme, është e ardhmja e fëmijëve tuaj!
Edhe dua të kujtoj që askush që ka ideologji të ndryshme politike, fe tjetër apo kombësi tjetër nga mua, nuk do të jetë nën shënjestër të hakmarrjeve klasike që historia e varfër politike në Maqedoni na ka treguar!
Ju jeni të gjithë të rëndësishëm sepse ju jeni të gjithë qytetarë të barabartë të Gostivarit!
Faleminderit për besimin që keni tek ne, çdo ditë është një motiv ekselent për të ecur përpara!
Rroftë Gostivari e Zoti e bekoftë atë!
Gostivari i Pari!
Me respekt,
Arben Taravari
Kryetar i Komunës së Gostivarit

P.S. të hënën (12 shkurt 2018) në ora 12,00 në konferencën për shtyp në detaje do të prezentojmë rezultatet tona për 100 ditëshin e parë!

Loading...