Propozimi i fundit i Ministrisë së Financave për vendosjen e dy normave të reja tatimore 10 për qind të tatimit personal dhe plus 18 për qind, nëse të hyrat janë mbi 1000, nga ekspertët ekonomik kualifikohet si tatim i dyfishtë i qytetarëve. Sipas tyre, ky lloj tatimi duhet të bëhet për ata njerëz të cilët 10 vitet e fundit kanë rritur pasurinë e tyre me miliona euro.

Ministri i Financave, Dragan Tevdovski, tha së fundmi ka kërkuar nga qeveria të shqyrtojë propozimin e ri për vendosjen e tatimit progresiv përmes të cilit parashikohet që çdo qytetar që realizon të ardhura mujore mbi 1000 euro, përveç tatimit personal të paguaj edhe Tatimin e Vlerës së Shtuar (TVSH)prej 18 për qind, shkruan gazeta KOHA.

Ky propozim më i ri nga fusha e tatimeve, vjen pas kërkesës së Ministrisë së Financave që qytetarët të cilët realizojnë të hyra vjetore mbi 1 milion denarë (rreth 17 mijë euro), përveç pagesës së detyrueshme vjetore të tatimit personal prej 10 për qind, nga fillimi i vitit 2019 do të duhej të regjistrohen si tatim pagues në Drejtorinë e të Hyrave Publike dhe të paguajnë e dhe TVSH-në prej 18 për qind.

PSE KY TATIM I DYFISHTË I QYTETARËVE?

Propozimin e fundit të Ministrisë së Financave për vendosjen e dy normave të reja tatimore 10 për qind të tatimit personal dhe plus 18 për qind, nëse të hyrat janë mbi 1000, ekspertët e kualifikojnë si tatim të dyfishtë të qytetarëve.

Eksperti ekonomik Visar Ademi thotë se problem kyç i këtij propozimi është se kush nga qytetarët do të paguajnë TVSH-në, nëse kanë realizuar të hyra shtesë përveç rrogës në vlerë prej 1000 eurove.

“Kur të gjitha parametrat ekonomik tregojnë për pasqyrë të rëndë sociale të qytetarëve, nuk është e arsyeshme vendosja e masës prej 18 për qind për ato para të cilat qytetari vetëm së njëherë ka paguar tatim personal në vlerë prej 10 për qind”, thotë Ademi. Kjo qeveri sipas ekspertit Ademi propozon masa të njëjta sikur edhe qeveria e mëparshme VMRO-BDI.

“Me 1000 euro të hyra mujore nuk mund të llogaritet i pasur një qytetar i Maqedonisë, të cilit shteti ia heqë rreth 30 për qind të fitimit. Mendoj se ky është një veprim i gabuar sepse kur qeveria propozon masa të këtilla, ajo këto i merr copy-past nga ligjet e vendeve me zhvillim më të lartë ekonomik si Danimarka, Norvegjia apo Suedia ku të hyrat vjetore vetëm nga pagat mujore për një të punësuar në këto shtete mund të shkojnë deri më 50 mijë euro, e jo si në Maqedoni kur pjesa më madhe e të punësuarve në Maqedoni mesi arrijnë të kenë një rrogë vjetore deri më 2800 euro. Me këtë ligj qeveria po tenton t’i detyrojë vetëm 2 për qind e qytetarëve të Maqedonisë të cilat realizojnë të hyra mujore plotësuese mbi 1000 euro përveç rrogës mujore që marrin dhe se këta janë një numër shumë i vogël. Të gjithë këta janë njerëz të afërt me partitë në pushtet dhe se ata sërish do të gjejnë mënyra se si të fshehin të gjitha të hyrat plotësuese që ata realizojnë nga shumë resurse tjera siç janë tregtimi në bursa, dhënie e banesave ne qira apo lokaleve afariste”, thotë Ademi.

TATIM PËR ATA QË KANË RRITUR PASURINË

Ky propozim, vlerëson Visar Ademi, aspak nuk do të rrisë numrin e qytetarëve që do ti deklarojnë të të hyrat plotësuese mbi 1000, siç pretendon qeveria, por këta persona kushtimisht thënë janë njerëz të afërt me pushtetin të cilët deri më sot kanë gjetur mënyra të ndryshme se si të fshehin të hyrat plotësues të realizuara brenda vitit dhe të mos paguajnë tatim të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe të ardhmen.

“Me këto masa tatimore që po propozon qeveria aktuale dëshiron të tregojë vetëm atë frymën social demokrate, mirëpo kjo nuk do të thotë t’i tatimosh të gjithë qytetarët, por të merresh vetëm me ata qytetarë të pasur sepse po them edhe njëherë se i pasur më të hyra prej 1000 euro në muaj nuk bëhesh i pasur, dhe se ky lloj tatimi duhet të bëhet për ata njerëz të cilët 10 vitet e fundit kanë rritë pasurinë e tyre me miliona euro, të cilët jo vetëm që nuk kanë paguar tatime por të njëjtat para i kanë të deponuara në bankat e vendeve të rajonit ku janë të sigurta. Kjo do të thotë se po këta njerëz të cilët realizojnë të hyra shtesë mbi 1000 euro ata tani më kanë kanalet e tyre se në cilat banka në vendet e rajonit t’i deponojnë fitimet vjetore dhe të mos paguajnë tatim siç propozon qeveria aktuale”, thotë Visar Ademi ekspert ekonomik. /Koha.mk/

Loading...