Të gjithë bashkë pro referendumit për emrin

Të gjitha partitë parlamentare shqiptare janë shprehur se do të mbështesin pozitivisht referendumin për emrin, pasi që me këtë hapet rruga e anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE, informon INA. Ato do të jenë pjesë e fushatës duke i bërë thirrje elektoratit të tyre që të dalin për të votuar pro marrëveshjes për ndryshimin e emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. “A jeni për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE përmes ndryshimit të emrit”, është pyetja e referendumit, ku votuesit shqiptarë do të dalin dhe të japin edhe votën e tyre pro ose kundër.

Ahmeti: Referendumi duhet të na bashkojë

BDI që në fillim është shprehur pro këtij procesi që do të finalizohet me 30 shtator në ditën e votimi. Kjo parti në mbledhjen e fundit të kryesisë ka vendosur që të caktojë organet dhe shtabin që do të merret me fushatën për referendumin.

“Referendumi është një moment që duhet të na bashkojë të gjithëve, pozitë e opozitë sepse anëtarësimi në NATO është në dobi të të gjithë qytetarëve, paqja stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik janë për të gjithë. Dhe unë nuk mendoj në drejtim tjetër, që ky referendum të mos ketë sukses sepse suksesi për referendumin dhe materializimin, respektimi i marrëveshjes së arritur mes palës greke dhe asaj maqedonase vërtetë është i dobishëm për të gjithë Republikën, për të gjithë qytetarëve që jetojmë, pavarësisht dallimeve që i kemi. Dallimet le të vazhdojnë, kjo është një pikë shumë e rëndësishme që duhet të na bashkojë drejt anëtarësimit të vendit tonë në NATO, dhe këtë nuk duhet ta bëjmë se e kërkon NATO por prse ne kërkojmë të hyjmë në NATO”-deklaroi kohë më parë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Sela: po referendumit, por kërkojmë marrëveshje shqiptaro-maqedonase

Aleanca për Shqiptarët si partia më e madhe në opozitë vendosi dje që të mbështesë referendumin e 30 shtatorit për Marrëveshjen për emrin me Greqinë, por ka vendosur edhe disa kushte për rregullimin e raporteve shqiptaro-maqedonase, apo për zgjidhjen e statusit të gjuhës shqipe e cila në Kushtetutë përcaktohen si gjuhë që e flasin 20 për qind të popullatës së përgjithshme të Maqedonisë, por edhe çështje tjera si ajo e dokumenteve të udhëtimit, në të cilat me zbatimin e marrëveshjes shqiptarët do të shkruhen si maqedonas që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
“Pala maqedonase ka pasur të drejtë të flasë për gjuhën dhe identitetin e tyre, por edhe për rregullimin shtetëror. Ne i përshëndesim marrëveshjet që Qeveria i ka arritur me Bullgarinë, me vërejtjet që i kemi edhe me Greqinë, por Qeverisë i mungon edhe një marrëveshje shumë më e rëndësishme dhe kjo është marrëveshja e brendshme ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni, shqiptarëve dhe maqedonasve”, theksoi kreu i ASH-së, Ziadin Sela.

Gashi: Referendumi i rëndësishëm, bashkë ta përkrahim

Lëvizja BESA e udhëhequr nga Afrim Gashi po ashtu ka vendosur që ti jap përkrahje referendumit për emrin. Kryetari i saj, Afrim Gashi ka apeluar për unitet politik ndërshqiptar në Maqedoni në prag të proceseve të rëndësishme që po e presin vendin, siç është referendumi.
“Neve si gjeneratë na ra barra të ndërmarrin vendime të rëndësishme për shtetin në të cilin jetojmë. Janë këto vendime që nuk kanë të bëjnë vetëm me të sotmen tonë, por aq më shumë me të ardhmen dhe me fatin e brezave që vijnë pas nesh. Andaj edhe vlerësimi jonë përkitazi me këto vendime duhet bërë përmes gjykimit se sa do të jenë ato të dobishme për pasardhësit tanë. Mbi këto kritere duhet vlerësuar edhe referendumi lidhur me emrin e shtetit dhe të ardhmen e tij euro-atlantike.”, theksoi Gashi.

Thaçi: Referendumi do të jetë i suksesshëm, flini rehat!

Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi kohë më parë është shprehur i bindur se referendumi për çështjen e emrit do të del i suksesshëm dhe se kthim prapa nuk ka.
“Neve na nevojiten të drejta kolektive politike, ne nuk pranojmë të drejtat biologjike që na i ofrojnë të tjerët. Ashtu siç është i rëndësishëm procesi i integrimit në NATO dhe BE, vazhdon PDSH-ja pikë të parë ta ketë mekanizmin e vendimmarrjes me konsensus të plotë në institucionet e sistemit duke filluar prej Parlamentit të vendit. Nëse kjo nuk bëhet nuk do ketë efekt asnjë prej integrimeve të shtetit.”, ka theksuar Thaçi, duke bërë të ditur që PDSH e përkrahë referendumin për emrin.

Unë mendoj se me marrëveshjen me Greqinë, një ndër pikat kapitale të programit të PDSH-së dhe shqiptarëve në tërësi, integrimi në NATO. E shoh dilemën tek shqiptarët se mund kjo të mos ketë sukses. Flini rehat se kthim prapa nuk ka”- u shpreh Menduh Thaçi. Kryetar i PDSH-së.

BESA e Kasamit: Fuqishëm do të mobilizohemi për suksesin e referendumit

Lëvizja BESA e udhëhequr nga Bilall Kasami ka theksuar se do të mobilizohen për suksesin e referendumit. Megjithatë shtoi se edhe ata do të kenë kërkesat e saj kur të vijë koha për ndryshimet kushtetuese.
“Edhe ne kemi vërejtjet tona për marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë, por këto vërejtje do t’i adresojmë në momentin e duhur, tek politikanët e duhur, do me thënë tek Kryeministri Zaev, në momentin që do të hapet Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë ku do të kërkojmë që 20% në Kushtetutë të zëvendësohet me gjuhën shqipe dhe shqiptarët” deklaroi Elmedin Memishi nga Lëvizja Besa.

RDK dhe partitë e tjera pritet të deklarohen

Partitë shqiptare Rilindja Demokratike Kombëtare, Uniteti dhe parti të tjera joparlamentare pritet të shprehin qëndrimet e tyre për referendumin. RDK kohë më parë ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për emrin, duke e vlerësuar lartë arritjen e saj me fqinjin jugor. Kjo parti pritet të dal me qëndrim pozitiv edhe për referendumin për emrin. Nga ana tjetër qëndrimet e tyre pritet ti japin edhe partitë e tjera. (INA)

Loading...