Ilire Dauti

Vështirë është të jetohet në një shtet ku problemi nuk qëndron te pesha por te peshorja. Ajo mat vlerat e njerëzve, here si peshore e prishur, e herë e kurdisur (made in Macedonia). Asnjëra nga këto nuk ju shërben njerëzve me dinjitet e vlera njerëzore e intelektuale, që nënshtrimin se akceptojnë dot si normal. Prandaj, ikja mbeti alternativë e vetme. Vendi po braktiset nga qytetarët e saj, nga ata të cilët kanë fuqinë unike dhe të natyrshme për të gjeneruar vlerë.

Perderisa qeveritarët për çdo ditë flasin për suksese, qytetarët vazhdojnë ta shohin ikjen si alternativë shpëtimi nga “suksesi i tyre”.

Me ikjen e qytetarëve, Republika e Maqedonisë po humbë njërin nga kapitalet më të çmueshme të saj. Sipas të dhënave të Fondit Ekonomik Botërorë, Republika e Maqedonisë disponon me indeks të lartë të Kapitalit njerëzorë, sidomos në shtyllën e kapaciteteve sipas së cilës në vitin 2017 renditet e 59-ta.

Në vend që ky kapital të shihet si promotorë i zhvillimit ekonomik të vendit, është lënë të kërkoj perspektivë dyerve të botës.Me gjithëse të dhëna qëllimisht jo të realta ato të Entit shtetëror Statistikor të Republikës së Maqedonisë, nëse nga migrimi i jashtëm largojmë të huajt me qëndrim të përkohëshëm dhe të vazhduar, rezulton që vendi po braktiset me të madhe nga qytetarët e saj.

Vetëm në 2012, vendin e kanë braktisur mbi 1330 persona, ndërsa në 2015 vendin e kanë braktisur mbi 767 persona. Shifra jo te realta sigurisht, por që flasin mbi disfatën e shtetit mbi qytetarët e vet, pasi me vite e shoqëron bilanc negativ i migrimit të jashtëm.

Fenomeni bëhet edhe më shqetësues pasi korelacioni në mes emigrimit dhe nivelit të shkollimit të qytetarëve që migrojnë është në nivel shumë të lartë. Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve përgjatë shtatë viteve të kaluara e gjer në fund të Prillit të vitit 2018 numri i mjekëvë që kan braktisur vendin kalon në 1207.

Si rezultat vendi po braktiset nga pjesa më e vyshme e popullsisë, që i duhet aq shumë zhvillimit ekonomik të tij. Me këtë vendi jo vetëm që ka humbur betejën kuantitave në raport me qytetarët e vet, por ka humbur edhe atë kualitative.

Urojmë që largimi të jetë i përkohshëm, ndërsa servilizmi dhe përkrahja e rrobërisë të mos shfrytëzohen aspak si alternativa. E nëse si mundësi mbijetese i shfrytëzojmë këta të fundit, atëherë duhet menduar mirë edhe përgjigjen që do të duhet tua japim brezave të rrinj. Të luftojmë me dinjitet për të ardhmen e fëmijëve tanë. Indiferenca definitivisht nuk paraqet zgjidhje!

PS/ Autorja është anëtare e Kryesisë Qendrore – Aleanca për Shqiptarët

Loading...