Të mirët kundër të keqit: ​Merkel e Macron godasin fort Trumpin

Angela Merkel dhe Emmanuel Macron kanë paraqitur vizionin e tyre për Evropën si kundërpeshë ndaj vlerave të Amerikës së Donald Trumpit, në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos, të mërkurën.
Në goditjen më të drejtpërdrejtë ndaj politikave të presidentit amerikan deri më tani, kancelarja e Gjermanisë i ka thënë një audience prej udhëheqësish të bizneseve nga e mbarë bota në vendpushimin zviceran se “proteksionizmi nuk është zgjidhje”, dhe se gjykimi i njerëzve, sipas stereotipave, është “bash baza e populizmit”.

Ajo ka bërë thirrje që Evropa “të marrë fatin e saj në duart e veta”, me një politikë të jashtme më aktive, dhe më ambicioze, raporton The Daily Telegraph.

E, presidenti i Francës ka nxitur Bashkimin Evropian që të reformohet këtë vit, dhe që të dalë me një “plan strategjik 10-vjeçar”, për të konkurruar me Kinën dhe me Amerikën, transmeton Gazeta Express.

Ai i ka bërë thirrje 27 shteteve anëtare të BE’së që të mos i pengojnë shtetet “më ambicioze” që të ecin përpara.

Franca “është kthyer në themel të Evropës”, ka thënë Macron, teksa ka lëvduar reformat liberale që ka bërë në tetë muajt e fundit.

Adresimi i Merkelit ka qenë më i zymtë për nga toni. Kancelarja gjermane ka kujtuar dy luftërat botërore, teksa ka thënë se udhëheqësit e botës një shekull më parë “kanë fjetur” para rrezikut të Luftës së Parë Botërore.

“Gjenerata e lindur pas Luftës së Dytë Botërore duhet të dëshmojë se ka marrë mësim nga historia”, është shprehur udhëheqësja e Gjermanisë.

“Ne po shohim se shovinizmi kombëtar dhe populizmi janë në rritje. Në shumë vende, ekziston një atmosferë populiste. Në të gjitha vendet ekziston dyshimi nëse globalizimi do t’i marrë të gjithë me vete”, ka thënë ajo.

Por, Merkel ka këmbëngulur se nacionalizmi e izolimi nuk janë zgjidhje. “Multilateralizmi merr kohë. Ama, ia vlen”, ka thënë ajo. “Nëse mbështetemi tek zgjidhja e shpejtë e nacionalizmit, të tjerët do të reagojnë me zgjidhjet e veta nacionale”, ka paralajmëruar Merkel.

Presidenti Trump ishte ende në Amerikë, teksa Merkel fliste në Davos. Kancelarja nuk i është referuar atij asnjëherë me emër, por ishte e qartë se ai ishte cak i shumë prej goditjeve të saj.

“Nëse besojmë se gjërat nuk janë të drejta, duhet të kërkojmë zgjidhje multilaterale, jo të ndjekim në rrugë të njëanshme protekstionste, ku vetzolohemi”, ka thënë ajo, vetëm pak ditë pasi administrata Trump ka vënë tarifën ndëshkuese “Amerika e para” ndaj importeve, transmeton Gazeta Express.

Ajo ka bërë thirrje që Evropa të bëhet më proaktive në promovimin e vlerave dhe interesave të saj. “Evropa s’ka qenë shumë aktive në politikën e saj të jashtme”, ka vlerësuar Merkel. “Ne duhet të marrim më shumë përgjegjësi. Duhet ta marrim fatin në duart tona”, ka porositur kancelarja gjermane.

Ajo ka shprehur keqardhje për vendimin e Britanisë për largim nga Bashkimi Evropian, ndonëse ka pranuar se ai i ka dhënë Evropës “guximin për të ecur përpara”.

Ajo ka qenë shumë e ashpër rreth Brexit’it, duke përsëritur qëndrimin e saj se Britania duhet të pranojë lirinë e lëvizjes nëse dëshiron qasje në tregun e përbashkët evropian. “Është në duart e tyre të vendosin se si duan të jetë partneriteti. Ne jemi të përgatitur të jemi mendjehapur”, ka thënë Merkel.

Fjalimi i saj ishte i fuqishëm, befasisht, dhe Merkel është munduar të rimarrë rolin e udhëheqëses së Evropë, i cili i ka rrëshqitur në muajt e fundit.

Presidenti francez mund të jetë më i pëlqyeri në samitin e sivjetmë, por ai këtë herë është dashur të qëndrojë në hijen e Merkelit.

Duke dalë në skenë pas Merkelit, ai është paraqitur në mbrojtje të tregtisë së lirë globale, para ardhjes së Trumpit. “Për sa i përket tregtisë, ne po ecim drejt proteksionizmit më të madh… po e zhbëjmë atë që globalizimi e ka arritur”, ka thënë Macron.

Trump nuk pritet të arrijë në Davos deri të enjten. Macron ka bërë shaka me borën e madhe në vendpushimin zviceran, duke thënë se ajo mund t’i nxisë disa njerëz të vënë në dyshim ndryshimet klimatike.

“Fatmirësisht, këtë vit nuk e keni ftuar asnjë skeptik të ngrohjes globale”, është shprehur ai.

Loading...