Nga, Abdulla Mehmeti

Askush nuk u lavdërua më tepër se anëtarët fanatikë të partive politike të shqiptarëve për votimin e ndryshimeve kushtetuese nga Parlamenti i Maqedonisë, edhe pse secila votë ka pasur peshë të veçantë në këtë proces të ndërlikuar. Me këtë votim, vetëm është hapur procesi i këtyre ndryshimeve, kurse puna më e rëndësishme i pret deputetët gjatë procedurës në vijim. Njeriu i mençur askujt nuk i thotë: „të lumshin duart“ kur e fillon një punë, por kur e përfundon atë me sukses!

A ju kujtohet sa lavde të këtilla ju thurrën politikanëve për Deklaratën e partive parlamentare të shqiptarëve në Maqedoni; sa u ngritën në qiell disa politikanë dhe parti politike për arritjen „historike“ me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve (që u tha se është ligj për zyrtarizimin e gjuhës shqipe), dhe, siç pritej, asgjë nuk u realizua (zbatua) deri më sot; as Platforma (siç e quajtën disa), as hyri në fuqi Ligji për përdorimin e gjuhëve, edhe ashtu i gjymtë siç është votuar dy herë në Parlamentin e Maqedonisë.

Uroj kësaj here të dalim faqebardhë të gjithë, sidomos deputetët, por edhe ne të tjerët që mbajmë përgjegjësi përpara historisë, si brez i këtyre ndryshimeve të mëdha. Përndryshe, janë dy rrugë të vetme, sidomos për deputetët: ose t’u ngrihet përmendore për suksesin në qendër të Shkupit, ose të hidhen në Vardar, nëse lumi do të mund t’ua lajë turpin dhe mëkatet!

(21.X.2018)

Loading...