Nga: Alpin Ollogu

Bazuar në shembullin e R.Shqipërisë, me miratimin e shtesës dhe ndryshimit në ligjin nr.155/2015, për Lojërat e fatit, ligj në të cilin nga një janari i vitit të ardhshëm, ndalohet aktiviteti i basteve sportive, basteve për garat në pistë, në të gjithë territorin e vendit, gjithashtu mbyllja e veprimtarisë së kazinove elektronike nw afersi tw vendbanimeve, me mundësi aktiviteti vetëm në hotelet me pesë yje dhe resortet turistike, kurse bastet online të funksionojnë nëpërmjet kompanive të cilat përmbushin standartet evropiane për ushtrimin e një aktiviteti të tillë, si dhe të jenë të kontrollueshme drejtpërdrejt nga shteti, kjo duhet jetësuar edhe në legjislacionin e R.Maqedonisë.

Logjika e ligjvënësve të ligjit të sipërpërmendur, ka paraparë që tju pamundësohet një shtrese të madhe të njerëzve të frekuentojnë këto lojëra fati, përveç atyre që kanë mundësi financiare të udhëtojnë tek këto pika hotelesh dhe resortesh turistike, ashtu edhe të basteve online, nevoja e pajisjes me kartela bankare dhe njohje kompjuterike, për qytetarin e rëndomtë që është i varur nga bixhozi (krahasuar me atë në pikat e bastoreve), është thuajse e pamundur për tu arritur, si për nga mosinteresi i basteve online, kartelave bankare, ashtu edhe nga pamundësia për të shkuar fizikisht larg venbdanimeve të tyre në kazinotë e hoteleve luksoze. Theksojmë që me ligjin në fjalë, lejohen Llotaritë kombëtare të kontrollueshme nga shteti. Në këtë mënyrë mund të procedojnë edhe ligjvënësit në R.Maqedonisë, pra nuk ka një ndalesë totale të lojërave të fatit, por goditet lloji më i përhapur i tyre.

Ndër vite, mënyra e organizimit, shtimi dhe mungesa e kontrollit shtetëror të lojërave të fatit, përhapja anormale pranë vendbanimeve, institucioneve të ndryshme, dhe shtimi i pakontrolluar i numrit të tyre, i ka bërë ato tmerrësisht të dëmshme për popullatën dhe funskionimin e shtetit të mirëfilltë socialo – ligjor. Pastaj, pasojat janë evidente, si për zhvillimin e krimit të organizuar në bërthamën e kësaj veprimtarie, duke marrë parasysh se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë në pronësi të personave me precedentë penalë, apo të udhëhequra nga të njëjtët nëpërmjet personave të tretë që mundësojnë larjen e parave të kontrabandës dhe aktiviteteve të palejuara, ashtu edhe për dëmtimin e buxhetit të shtetit me shkaktimin e evazionit fiskal nga veprimtaria informale. Pasojat financiare dhe psikologjike të konsumatoreve nga të gjitha shtresat shoqërore, janë të evidentueshme edhe nga syri më i pavëmendshëm qytetar.

Pavarësisht se tek ne, disa herë ka pasur propozim ligje dhe ndryshime ligjore për këtë çështje, efekti megjithatë ka qenë negative, e nuk ka përmbushur pritshmërinë as të ligjvënësve e as të qytetarëve, pos që janë shtuar përfitimet e atyre që kanë monopolin e lojërave të fatit, të lidhur shpeshherë me zyrtarë të lartë shtetëror dhe krimin e nëntokës. Për këtë arsye lind nevoja e domosdoshme e procedimit me metodologjinë e ndalimit kategorik në masën më të madhe dhe me kritikë të lojërave të fatit, basteve sportive dhe basteve për gara në pistë, dhe spostimi i kazinove nga vendbanimet, vetem në hotelet me pesë yje, ashtu siç parashihet në ligjin e miratuar në R.Shqipërisë, gjë për të cilën suksesi ndjehet paraprakisht, me mbylljen vullnetare të shumë bastoreve sportive, edhe para se ky ligji të hyjë në fuqi. Shtuar entuziazmin e popullatës për një akt të këtillë; çlirimin e familjarëve nga makthi i pjestarëve të saj, të varur pas këtij vesi të shëmtuar dëmsjellës.

Kemi fatin që nga një vend fqinj me problematika thuajsë të ngjashme, të marrim gjërat e duhura, për fillimin e ndërtimit të një shoqërië të sigurtë dhe me mirëqenie stabile ekonomiko – mentale. Në këtë aspekt s’duhet të bëhemi kompleksiv, përkundrazi të pranojmë dhe ndjekim atë që është më e mira. Këtë gjë duhet t’ju bëjmë të qartë edhe partnerëve maqedonas të koalicionit qeverisës, të cilët sipas gjitha gjasave u kompleksuan për mos aplikimit e Ligjit të vetingut për reformën në sistemin e drejtësisë (i aplikuar në Shqipëri), ndoshta që të mos bien në sy si qeveri pa iniciativë dhe programe vetjake për këto çështje. Meqenëse ndonjëherë më mirë është të kopjosh metodologjinë e duhur të dikujt tjetër, sesa të dështosh më reforma – null vetjake.

Besoj është mendim unanim i shumicës së partive politike në pushtet dhe atyre opozitare, organizatave joqeveritare, shoqërise civile, bashkësive fetare, që parimisht, janë kundër kësaj veprimtarie të zezë, dhe si të tillë, bashkarisht duhet të jemi të gatshëm në vetëdijësimin dhe marrjen e masave drastike për ndalimin – reduktimin e skajshëm të lojërave të fatit, aty ku ata tashmë kanë mbirë si kërpurdha mbas shiut, të shiut të varfërisë, devijimit shoqëror, dhe mbi të gjitha dobësisë qeverisëse të viteve me radhë. Tek ne, ngjashëm si në shumë prej vendeve ballkanike, fatkëqësia është më e madhe sepse njerëzit nga pozita varfërie dhe parazitizmi, i shohin lojërat e fatit si mundësi pasurimi, por meqë bastoret dhe kazinotë janë të krijuara për t’ju zhvatur popullatës pasurinë, dhe për tu pasuruar skajshmërisht nje grup i vogël njerëzish – pronarësh të lojërave të zhvatjes, njerëzit rëndom falimentojnë, marrin rrugë nga më shkatërrueset, si ne aspektin familjar edhe atë profesional, nga pasoja e gjendjes psikike që u shkakton humbja e pasurisë së luajtshme dhe paluajtshme, me një zinxhir fatkeqësish pasuese.

Në R.Shqipërisë, sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Mbikqyrës i Lojërave të Fatit, numri i pikave të basteve deri në fund të vitit 2017 ishte 4466 në total. Po kaq është edhe numri i pikave të basteve ilegale, që punojnë në treg të zi, pa asnjë kontroll. Erion Braçe, deputeti i Partise Socialiste, aktualisht qeverisëse, deklaroi se asnjë kompani bastesh nuk kontrollohet online nga kompania që qeveria ka kontraktuar.

“Thuajse 90% e lojrave elektronike, kazino e të tjera, janë të lidhura dhe kontrollohen në rrjet në kohë reale për xhiron e tyre. Ndërkohë që asnjë kompani bastesh, qofshin me licensë apo me nipte sekondare, nuk është e lidhur në rrjet. Dhe xhiroja e tyre nuk kontrollohet online përmes kompanisë që qeveria ka kontraktuar”. Fenomeni shkon edhe më tej, pasi burime konfidenciale për kanalin televiziv “Top Chanel”, bëjnë me dije se në treg operojnë rreth 4000 sallone bastesh të tjera informale. Pra, në treg të zi dhe pa asnjë kontroll nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit, xhiroja e gjeneruar në total nga të gjitha këto pika, shkon në një miliard euro në vit. Nga këto, vetëm 130 milionë deklarohen në shtet, ndërsa mbi 800 milionë euro janë evasion fiskal.

Ndërsa në R.Maqedonisë, nuk ka të dhëna publike se sa pika bastesh ekzistojnë, sa janë informale dhe sa kontrollohen realisht, pasi as nga mediat as nga faqet e internetit të institucioneve shtetëtore nuk mund të merren informacione të tilla. Nga politika jo e jo, edhe opozitarizmi thuajse është strukur dhe ngulfatur nga financimet e atyre që kanë monopolin e bixhozit. Personalisht kam kërkuar nga Enti shtetëtor për statistikë (e kam të evidentuar kërkesën me shkrim) të dhëna për numrin e lojërave të fatit sipas llojit – kategorisë, por përgjigja e tyra ka qenë negative, se nuk posedojnë informacion të tillë. Edhe kërkesa drejtuar Drejtorisë së të hyrave publike, gjithashtu ishte negative me mospërgjigje. Sigurisht diku duhet të ekzistojnë, por vështirësia për gjetjen e tyre, tregon mosinteresimin dhe ndoshta fshehjen e qëllimshme para opinionit publik. Perfitimi i parave nga këto baste është tejet i madh, dhe kjo është e lidhur me monopolin e 20 kompanive të kazinove dhe basteve sportive më të mëdhaja në vend, të cilat deklarojnë të ardhura prej 250 milion eurove në vit, gjë e cila për R.Maqedonisë është vërtet një shumë e madhe, kjo sipas programit investigativ “Kapital”. Sa të tilla mund të jenë informale dhe mospagesë tatimesh, shpeshherë të lidhura me funskionarë shtetëror, për këtë mund të referohemi në një krahasim të thjeshtë me të dhënat e R.Shqipërisë për informalitetin e dukurisë në fjalë. Pastaj, dikush edhe mund të thotë që shteti përfiton nëpërmjet taksimit të këtyre kompanive, megjithatë demi i tërthortë është shumëfish më i madh, jashtëzakonisht i madh, në të gjitha sferat. (Kujtojmë së R.Maqedonisë sipas Indeksit të “Transparency Internacional” është vendi më i varfër në Evropë).

Pavarësisht territ informativ apo mosinteresimit të organeve shtetërore, një gjë është e kuptueshme, lojërat e fatit janë në çdo qoshe të vendbanimeve tona. Sa më shumë rritet varfëria, aq më shumë shtohen bastet sportive dhe kazinotë elektronike, saqë qytetarët shpenzojnë edhe paratë e fundit me shpresën për të fituar diçka. Për ilustrim mund të marrim qytetin e Dibrës (pasi mund të evidentohet lehtë për shkak të territorit), një qytet me popullsi të vogël, por që kazinotë dhe bastet sportive i ke thuajse në çdo hap, si tempuj të varfërisë mentale dhe financiare. Paradoksi është më i madh, kur ky qytet njihet për shkollim të lartë (në krahasim me numrin e popullsisë), mjerisht është degraduar në qytet bixhozi. Gjendja e këtillë është edhe në vendbanimet tjera në R.Maqedonisë, çka e bën gjendjen identike me atë të R,Shqiperisë. Por meqe atje ka luftë politike më të zjarrtë, media më të fuqishme, edhe problematikat janë më evidente dhe të bujshme, në krahasim me ne ku e keqja fle e pa trazuar me dekada të tëra, dhe do duhet të shfaqen “bomba” të përgatitura nga ndërkombëtarët për të na zgjuar nga gjumi vrastar!

Në shumë shtete të zhvilluara perëndimore, pjesë e Bashkimit Evropian ku ne trumbetojmë të integrohemi, në shumicë, lojërat fatit janë atraksion turistik, argëtim, të izoluara në periferi të largëta qytetesh, larg vendbanimeve, pavarësisht se edhe atje përbëjnë problem shoqëror, megjithatë kontrolli dhe dispozitat ligjore e zbehin fuqinë e ketij vesi shkatërrues, duke i izoluar ato larg vendbanimeve dhe duke kufizuar aktivitetin e tyre. Minimalisht kështu duhet vepruar edhe në R.Maqedonisë, të shpëtojmë sadopak popullatën në shembullin e ligjit të miratuar në R.Shqipërisë dhe modelit të shteteve perëndimore. Mbyllja e pikave të basteve dhe spostimi i kazinove larg nga vendbanimet dhe institucionet e ndryshme, ti bënte të konsumueshme vetëm për ata që kanë pasuri dhe kohë të marrin rrugën dhe shkojnë pranë këtyre hoteleve apo resorteve turistik.

Deputetët shqiptarë të përkatisë së besimit musliman në Kuvendin e R.Maqedonisë, e kanë një detyrim edhe më të madh të propozojnë ndryshime në ligjin për lojërat e fatit, për mbylljen e tyre, të paktën konform praktikës në shtetin fqinj. E kanë këtë detyrim moral, sepse besimi Islam, me pastërtinë dhe logjikën e vetë superiore në dispozitat për të mirën njerëzore, ndalon veprimtarinë e lojërave të fatit në shkallë Kuranore dhe të mesazheve profetike, duke i konsideruar ato edhe si një prej mëkateve me të mëdha në Islam. Në rrjedhojë të kësaj, deputetët muslimanë, edhe ata që nga inferioriteti i mendësisë/injorancës për të mos u etiketuar islamistë (në kuptim negativ të propagandës islamofobe), që hezitojnë të marrin nisma të tillë ligjore, duhet të zgjohen, le të shikojnë së paku Kryeministrin Rama, se si një jomusliman, për çështje të caktuara, vepron në përputhje me dispozita islame, dhe për më tepër thirret publikisht në këto dispozita, pa asnjë trysni nga opozita apo frikë paragjykimi nga opinioni.

Të zgjedhurit e popullit, deputetët, në shumicën e tyre, le të dalin nga skutat e neglizhencës, nga komoditeti i postit, atë komoditet që e kanë formuar në kundërshtim me moralin e mirëfilltë të detyrës, le të shikojnë problematikat që hasin qytetarët e vendit. Të dalin dhe vizitojnë vendbanimet, të dëgjojnë nga afër hallet e njerëzve, familjarëve, atyre që janë bërë viktima të lojërave shkatërrimtare të fatit. Eshtë e duhur të hulumtojnë edhe lidhjet e krimit me bixhozin, të hetojnë dëmin që i bëhet buxhetit të shtetit, etj. Fundi i fundit në të këtillë rast, të zgjedhurit e popullit, pse jo, mund të dalin edhe në kundërshtim me liderët tyre, politikave ditore apo të x interesave monopoli, gjithmonë nëse keta të fundit i kundërvihen zgjidhjeve serioze të problemeve, pavarësisht se mund tju prishen llogaritë klaneve të caktuara, për të mos thënë kriminale.

Unanimisht e kemi të njohur pasojën e bixhozit, ngase ditë e përditë shohim viktimat e saja. Humbja profesionale dhe e shëndetit mendor të konsumatorëve të këtij vesi famëkeq, pa shtuar dëmin që nuk e shohim, të krimit të organizuar dhe evazionit fiskal, në dëmin e mirëqenies së përgjithshme, është i frikshëm. Asgjë nuk mund të arsyetojë ekzistencën e tyre, as arsyeja e “argëtimit” të njerëzve, as të punësuarit në këto lojëra fati, e as taksat për buxhetin e shtetit, sepse siç thamë më lart, pasojat negative janë bumerang më të dëmshme. Sa për të punësuarit aktualë të këtyre bastoreve, shteti duhet tju japë mundësi më një program enkas për ta, punësimi dhe profesionalizimi në drejtime tjera, të dobishme dhe vazhdueshme, njëlloj siç është paraparë nga qeveria Rama.

Ёshtë më se e qartë, bastet sportive dhe bastet e garave në pistë, duhet të mbyllen me ligj, sepse të gjitha alternativat – ndryshimet ligjore të tjera, u dëshmuan fiktive. Ndërsa kazinotë elektronike të mbyllen për t’ju lejuar aktivitet larg venbanimeve, në hotele me pesë yje dhe resorte turistike. Me këtë metodologji dispozitash ligjore, aktiviteti – biznesi i lojërave të fatit, do të marrë një goditje të fuqishme, për të çliruar popullatën nga kjo e keqe e vazhdueshme e “para derës” së përditshme. Dashtë i Madhi Zot!

Loading...