Të paktën 70 persona kanë vdekur pas një sulmi të dyshuar kimik në qytetin sirian Duma, që gjendet në enklavën e Gutas Lindore, kanë thënë organizatat mjekësore dhe ekipet vullnetare të shpëtimit.

Ekipi vullnetar i shpëtimit “Helmetat e Bardha” kanë publikuar imazhe të viktimave. Ky grup thotë se numri i viktimave mund të rritet, transmeton BBC.

Qeveria siriane i ka quajtur pretendimet për sulm kimik si “fabrikim”.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara thanë janë duke monituar nga afër raportimet “shqetësuese” për mundësinë e përdorimit të armëve kimike nga forcat e qeverisë siriane dhe Rusia, duke shtuar se ata do të mbahen përgjegjës nëse vërtetohet se janë kryer sulme me armë kimike.
“Historiku i qeverisë siriane në përdorimin e armëve kimike ndaj popullit të vet, nuk vihet në diskutim”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Neurte.
“Rusia, me mbështetjen e saj të palëkundur për regjimin, në fund të fundit mban përgjegjësi për sulmet ndaj sirianëve me armë kimike”.

“Duke mbrojtur Sirinë, Rusia ka shkelur obligimet e saj ndaj Kombeve të Bashkuara”.
Neurte ka shtuar se “Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë që t’i japë fund kësaj mbështetjeje të pamatur dhe të punojë me bashkësinë ndërkombëtare që të parandalojë sulme të tjera me armë kimike”.

Loading...