Policia e Kosovës së bashku me Forcën e Armatosur të Kosovës si dhe me ekipet e tjera të kërkimit kanë vazhduar edhe sot ta kërkojnë trupin e policit të zhdukur Armend Trenës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka deklaruar se pavarësisht të reshurave të shiut, kërkimet kanë vazhduar për policin që mbetet ende i zhdukur që nga e shtuna mbrëma.

“Ne jemi duke bërë ende kërkimet, pavarësisht shiut që ka rënë, ashtu janë duke u bërë kërkimet nga pjesëtarët e FSK’së dhe ekipet e tjera, gjithashtu janë kontrolluar brigjet mos po del ndonjë gjë, por nuk ka pas asgjë deri më tani”, ka deklaruar ai për Insadjerin.

Gashi ka thënë se së shpejti ekipet e kërkimit do të tërhiqen për shkak të territ, në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e zhytësve.

“E shfrytëzuam rastin pasi u rrit niveli i ujit, mos po nxjerr mbi sipërfaqe ndonjë gjë, por që tash duhet të tërhiqen ekipet e kërkimit për shkak të territ si dhe të mos rrezikohen ekipet për shkak të reshjeve të shiut. Nesër në ora 9 do të vazhdojnë përsëri kërkimet”, ka deklaruar Gashi.

Dy policët Malsor Dashi dhe Armend Trena u aksidentuar me veturë teksa ishin në detyrë zyrtare. Ata dyshohet se kanë rënë në lumin e Lepencit. Polici Malsor Dashi është gjetur para dy dite në Lepenc, ndërsa për policin tjetër po vazhdojnë kërkimet ende.

Loading...